Aleko Likaj

Ai vit ishte i çmendur.
Kishte filluar me protesta njerëzish në rrugë, e demonstrata, në të gjithë hapësirat e ditës. Si kështjella prej letre ishin rrëzuar firmat piramidale të parave, dhe me sa dukej, ngrehina e tyre kishte zënë poshtë mijëra jetë njerëzish, që mendonin se nuk kishte më të ardhme për ta..Por, pas fillim vitit, erdhi Marsi. Prag pranvere, ndonëse dimri nuk kishte ndërmend që të ikte. Qielli ngjyrë plumbi. Retë të ngarkuara me shi. Por as edhe ky nuk binte. Vononte, nuk dihet pse. Në qytet, atë katërmbëdhjetë-mars mbi çatitë e shtëpive, zvarriteshin shtëllunga tymi që vinin nga depoja e armëve, dy kilometër e ca larg. Në flakë ishte edhe një objekt tjetër, për të cilin thuhej se ishte grabitur, e bastisur nga turmat e njerëzve, të cilët kishin lenë shtëpitë atë ditë. Shumica qëndronin brenda. Nuk lëviznin.. Kishin spostuar perdet, e ndiqnin gjithçka përtej xhamave të ftohtë.
Goni i Bihanes kishte dalë jashtë. Aty përpara oborrit. Banor i hyrjes së parë të pallatit tonë. Babai i tij kishte qenë refugjat në Greqi, por tani invalid, dhe i gjymtuar në punë atje. Nuk kishte kush ta paguante, asnjë, sepse s’kishte qenë i siguruar atje në Peloponez. Jetonin me një tezgë që mbante Bihania në treg, duke shitur prodhime sheqeri, që i përgatisnin në shtëpi. Në varfëri të plotë. Por djali i vogël nuk i kishte kaluar të nëntë pranverat. As që mund ti ndihmonte. Vinte i zbehte në fytyrë, e i heshtur. Në shumicën e rasteve dukej si i trembur. Edhe hapat ashtu i hidhte. Nuk e di pse doli në atë çast përjashta. As kush se thirri. Në çast dikush i foli këndej nga ne. Ai ngriti kokën lart. Mblodhi buzët, e pastaj vështrimin e hodhi tek këpucët e tij, që ishin bërë si të “Lulit të vocër”. Të hapura si një shpellë.
Atë moment dëgjova një zë në televizor. Mu duk i njohur. Pyeste gjithmonë pa marrë përgjigje.” Ç’bëhet kështu?”. Në Tiranë, nuk funksiononte shteti, si dhe këtu tek ne. Asgjë. Pastaj, u kujtova se ishte një intelektual i njohur që nuk kishte të bënte as me politikën, por as edhe me “qeverinë e pajtimit kombëtar”, që ishte ngritur ato ditë… Një çast më vonë u riktheva te dritarja dhe largova sërish perden, duke mbështetur ballin në xhamin e ftohtë. Tek shinat e trenit ishin tre fëmijë të tjerë. Vinin nga depot. Në krahët e njomë, mbanin armë që vareshin deri poshtë, në fund të këmbëve të vogla. Ishin të lagjes sonë. Nuk di, se si kishin ikur deri tek depoja e armëve, ku ishte shkulur gati i gjithë qyteti. Nuk më pëlqeu armatosja e tyre. Siç duket kishin marrë edhe për të tjerët . I folën Gonit. Ky pastaj u nis me hap të qetë. Nuk i u gëzua gjithë atij arsenali që kishin sjellë shokët e lodrave. Këtë e tregonte indiferenca e tij, mënyra se si u afrohej “luftëtarëve”. Në një çast që të tre qëndruan përballë djalit. Ishin në një moshë. Fqinjë, në pallatet aty rrotull. I kisha parë shpesh kur harroheshin plot zhurmë pas ndonjë topi llastiku, që në shumicën e rasteve ngatërrohej edhe në këmbët tona, kur kalonim aty për tu kthyer në shtëpi
Pastaj, më i madhi nga të tre, ai që kishte një fytyrë paksa të fryrë e bullafiqe, hoqi armët dhe u ul në tokë. Tjetri zbriti pas shinave. Nuk e di pse. Ne këmbë ishte vetëm flokëverdhi. I imët në trup e i pakët. Duhej që të ishte më i vogli në atë grup. Ai, mbështeti një pushkë të gjatë në shinat e trenit, e pranë saj një çante. Duhej që të kishte fishekë aty. Ndoshta ndonjë bombë, a granate, nga ato që ka me shumicë në armatimin e ushtarëve këmbësorë, që e kishin repartin pranë depove. Diçka po tregonte për Gonin që çapitej ngadalë përpara treshes së armatosur
– Hë më i lumtë atyre – tha djali im i vogël që u afrua tek dritarja. Fërkoi duart si fëmijë, dhe tha për të dytën herë, ” u lumtë”. Mbase u gëzohej armëve që kishin sjellë ata. Ai kurrë nuk kishte parë në të vërtetë të tilla, veçse në filma.
– Armët nuk janë për ju – foli ime shoqe duke e qortuar djalin. – Ato të marrin jetën. He-e-hhh! Kanë ardhur kohë të vështira. Për mua, sot, ata nuk kanë bërë mirë.
Sidoqoftë, qëllimi edukativ, u tha. Mua më erdhi keq që nuk e thashë një fjalë. Mendjen e kisha tek televizori. Doja të dëgjoja ndonjë reagim nga ata në Tiranë, nga qeveria, që me dukej se bënte “gjumë”. Se andej pritej shpëtimi, për të ndryshuar gjithçka që lëshonte tym, por ata mungonin në ekranin e shtëpisë. Djali vogël kishte zënë vend tani në tapet. Kishte marrë një libër fëmijësh me ngjyra, dhe e shfletonte pa e pasur mendjen tashmë aty. I madhi ishte ulur përballë. Në dorë rrotullonte një laps e nuk po vendoste të shkruante në një fletore që e mbante në gjunjë. Më kishte thënë se po shkruante ato ditë një ditar. Kisha vënë buzën në gaz. Nuk e kishte moshën që të gjykonte e të analizonte gjërat e ngjarjet. Trembëdhjetëvjeçar. Pak më i rritur se ata që ishin jashtë. Por ai e kishte zgjedhur një mënyrë, për të kaluar atë kohë i mbyllur aty, e pa shkollë. Nuk mund që ti veja faj. Unë vetë isha një i papunë. Shkolla ku jepja mësim ishte mbyllur edhe për mua. Dukej sikur gjithçka kishte ndalur në vend. Vetëm njerëzit që nxitonin të merrnin armë, jo.
Goni për një çast qëndroi. Biondi përballë, kishte ngritur një kallash, dhe e kishte drejtuar nga djali. Ky bëri me dorë si për ti thënë ” mos “. Tjetri foli, por nuk u mor vesh se, çfarë tha. Pastaj hodhi një hap pas, e sërish lëshoi një zë nga goja e hapur. U dëgjua një zhurmë që më krijoi përshtypjen, se u thye xhami i dritares sime. Ishte një krismë që u pasua menjëherë nga dy të tjera.. Goni ra. Tjetri kishte mbetur ashtu me kallash në dorë. Madje majën e kishte ulur në tokë.
I pari që u gjet në oborr, ishte Refiku, komshi me Gonin. Pastaj vrapoi nënë Fata, nga pallati përballë. Unë i zbrita shkallët menjëherë. Për në vendngjarje ishin sulur plot njerëz të tjerë. Biondi kish ulur kokën e qante.Herë pas here i dridheshin supet, e ai nuk mbushej dot me fryme. Psherëtinte. Shoku i tyre, gjatovina, që ishte ulur për tu çlodhur tek shinat, u tregonte njerëzve aty se, shoku i tij vrasës deshi të imitonte Çok Norisin, heroin e tij të dashur në film. Këtë i kishte thënë edhe rrugës gjatë kthimit. ” Këtej e tutje do të jem një Çok Noris i vërtetë ”. Ishte idhulli i tij. E admironte në filmat që shihte nga ekrani i vogël. Jetonte me ëndrrën që të bëhej si ai
– Shumë bukur, Goni. Ti je një aktor i vërtetë. E qave rolin, si në një film. – i kishte thënë djali biond që zbrazi kallashnikovin
Por viktima nuk kish reaguar.
– Mjaft më. Çohu tani. Edhe filmi mbaroi. Tani je një shok i Çok Norisit, që qëndron si një trim përpara teje.
Por Goni nuk kishte lëvizur më. Qëndronte i shtrire.
Ndërsa dilte akoma tym nga gryka e armës vdekjeprurëse, biondi dhe dy djemtë tjerë dalluan në gjoksin e shokut të tyre një njollë gjaku që skuqte kraharorin. Ajo përhapej me shpejtësi duke zënë gjithë sipërfaqen e gjoksit të vogël.
U kuptua gjithçka…
Biondi ulëriu duke nxjerrë një zë të çjerrë e pastaj u ul në gju. Kapi leshrat e verdha me dy duar e bërtiti.
– Mos, mos…
Ne mbërritëm. Po çfarë duhej që të bënim? Na u duk se ishim kthyer në statuja të vërteta përpara asaj skene
Goni ishte i shtrirë mes nesh. Aty mbi një bllangë gjaku, e me gjoksin e përskuqur nga tre predha, dukej si në filmat e vërtetë. Ashtu i qetë e pa jete. Dikush aty i futi krahun flokëverdhit që tentoi të ulej i përlotur mbi trupin e shokut të tij. Ai bëri një gjest kundërshtimi
– Ai nuk do te luaj më me ne-e-e-e.
Djali që kishte riprodhuar për ne gjithë skenën e krimit, tani kishte heshtur. Ishte bërë i pafjalë dhe vështronte i përlotur të pajetin
Pak metro më tej, u duk portreti i një gruaje që gulçonte, e vinte drejt nesh. Zbathur, e me një fustan të vjetër veror, që me sa dukej e mbante në shtëpi.
Erdhi e u rrëzua para Gonit.
– Fol… – i tha të birit.
Po ai nuk kishte si të reagonte. Ishte krejtësisht i pa jetë. I vdekur. Vërtetë, nuk do të ishte më mes nesh. As në lodrat e shokëve të tij
… Ai vit ishte i çmendur. Vrastar.
Në Shqipërinë e vogël, morri tremijë jetë…