Fahri Musliu
nga Facebooku






36 vjet nga vizita e parë në Shqipëri.
Më 11 maj 1990 në Tiranë erdhi për vizitë sekretari i përgjithshëm i OKB, Peres De Kuelar, që ishte vizita e parë e një shefi të Organizatës Botërore. Nga redaksia e gazetës “Rilindja (korrespondent në Beograd) kërkova lejen për ta përcjellë këtë vizitë, për të cilën mbretëronte interesim i madh i mediave evropiane e botërore. Mirëpo për të shkuar në Shqipëri duhej viza dalëse jugosllave e dhënë nga policia, dhe ajo hyrëse e dhënë nga Ambasada e Shqipërisë në Beograd .
Për marrjen e vizës dalëse në policinë e Beogradit, intervenoi sekretari jugosllav i informatave, Ivo Vajgël nga Sllovenia, dhe vizën e mora, kurse atë hyrëse ma dha pa problem ambasadori Kujtim Hysenaj.
Ndërkohë më telefoj gazetari i Radiotelevizionit të Prishtinës (RTP) Llukman Halili (tash i ndjer) që mundësisht edhe atij ti sigurohet viza. Pasi bisedova me sekretarin Vajgël dhe ambasadorin Hysenaj, Llukmani erdhi në Beograd dhe i mori vizat. U kthyem bashkë për Prishtinë dhe më 10 maj në mëngjes, me makinën e Llukit u nisëm për Tiranë. Ishte kjo vizita jonë e parë në Shqipëri dhe e para e gazetarëve shqiptarë nga Kosova, pas vitit 1981, dhe ishim shumë të emocionuar, ndonëse unë kisha njohuri të mjaftueshme për gjendjen atje dhe nuk pritja ndonjë befasi të këndshme.
Në vendkalimin kufitar Qafa e Thanës afër Strugës, ku nuk kishte automjete, na priti policia kufitare dhe na u lut të presim në sallën e doganës, ku pritem diku 30 min. E vazhduam rrugën plotë gëzim, kureshtje e emocione. Duke kaluar nëpër Librazhd shumë fëmijë na dilnin në rrugë, madje duke i dalë përpara makinës dhe kërkonin nga ne çamçakëza. Për fat patëm blerë dhe u jepnim duke vërejtur një gëzim të veçantë në sytë e tyre. Këto pamje si dhe rasti tjetër, kur disa ushtar afër kazernës na kërkuan cigare duhan, pak na zhgënjyen dhe demoralizuan.
Në Elbasan drekuam në hotelin e vetëm të qytetit, dhe të gjithë që ishin në sallë, kur morën vesh nga jemi, na përshëndesnin përzemërsisht.
Në Tiranë mbërritën në orët e mbrëmjes dhe u vendosem në hotel Dajti në një dhomë në katin i parë. Në hotel ishin vendosur shumë gazetarë të huaj të cilët janë korrespondentë nga Beogradi dhe e mbulojnë rajonin, si Misha Gleni, Lora Silber, Dejvid Bajden, e shumë të tjerë.
Më 11 maj, sipas programit, duhej të mblidhemi ora 10.00 para hotelit për të mësuar programin e vizitës së De Kuelarit.
Derisa bisedonim me kolegët mua e Llukmanit na u afrua një njeri pak më i moshuar se ne dhe na u prezentua si gazetari Qemal Sakajeva nga gazeta Bashkimi, dhe tha: “më kanë caktuar të ju shoqëroj.” Unë, ndonjëherë e kam më të shpejtë gjuhën se mendjen, e duke e ditur sistemin policor në Shqipëri, ia ktheva: “ju faleminderit, por nuk kemi nevojë për përcjellje se deri këtu na kanë përcjellë”… Ai pak u hutua, por e kuptoj dhe tha “do të ju shoqërojë gjatë kësaj vizite për të ju ndihmuar në punën tuaj”. Pastaj i kërkova falje, ju falenderova dhe vazhduam muhabetin.
Me Qemalin kemi mbetur shok të mirë dhe miq familjar në kontakt të vazhdueshëm. Qemeli, kur shkova herave tjera në Tiranë, pas ndryshimeve demokratike, më tregoj se, dy ditë para vizitës tonë, në MPJ është mbajtur një brifing me gazetarë të Tiranës ku janë caktuar për t’i shoqëruar gazetarët e huaj, me ç’rast ministri i informatave, Foto Çami lidhur me vizitën e gazetarëve të huaj, ishte drejtuar direkt Qemalit: “Ti Qemal do ta kesh më vështirë se do t’i përcjellësh dy gazetar kosovarë. Njëri vjen nga Beogradi dhe është ujk, kurse tjetri nga Prishtina dhe është antikomunist i madh….
De Kuelar zhvilloi bisedime me presidentin e Shqipërisë, Ramiz Alinë dhe pastaj në Ministrinë e Jashtme u organizua një takim i tij me gazetarë ku u fol për vizitën. Ramiz Alija na përshëndeti në veçanti neve dy kosovarëve, madje gjatë shtrëngimit të duarve me mua më tha: “Shoku Musliu, i lexoj të gjitha shkrimet tuaja nga Beogradi. Ju përgëzoj për punën shumë profesionale”.
Më 12 maj, ishte planifikuar vizita e De Kuelarit në Berat, ku ishim edhe ne gazetarët e shumtë. De Kuelar, në bisedë me ne, u shpreh i kënaqur me vizitën dhe bisedimet me udhëheqjen e vendit dhe optimist se në Shqipëri kanë filluar hapat e reformave ekonomike, të proceseve demokratike dhe të hapjes së Shqipërisë. Ditën e katërt Qemali na njoftoi se Sofokli Lazëri, këshilltari kryesor politik i Ramiz Alisë dhe ideologu i PPSH, na është lutur të shkojmë nesër për drekë në Gjirokastër. Pranuam pa hamendje sepse ishte rast ta vizitoj Gjirokastrën e Enverit e të Kadaresë. Por më vonë llogarita se do ta humbim tërë ditën dhe di të mbesim pa punuar, dhe i thash Llukit se nuk mund të shkojmë. Në mbrëmje i telefonova Qemalit dhe ia kumtova vendimin se nuk mund të shkojmë në Gjirokastër, por diku më afër shkaku i obligimeve profesionale. Ai u gjet në siklet si t’ia përcjellë këtë shokut Sofo (siç e quanin atë) por unë i thash nëse nuk mundet ai do ta njoftojë unë. Qemali megjithatë e kishte njoftuar dhe ai kishte pranuar që të takohemi në Kënetën e Lezhës ku ishte edhe një rezidencë e Enver Hoxhës.
Të nesërmen u nisëm me Qemalin me makinën e redaksisë “Bashkimi” dhe atje mbërritëm ora 16.00, siç ishim marrë vesh, ku në parkun plotë drunj të lartë e gjelbërim na priste shoku Sofo . Dreka kalo me muhabet të hapur e shpesh me kritika nga ana ime, me që e kuptova se Sofo kishte njohuri të mëdha dhe të përgjithshme për Jugosllavinë. Gjatë tërë kohës së muhabetit, Llukmani ma shkelte këmbën që nënkuptonte të pushoj me kritikat, por unë nuk u ndala. Pasi e përfunduam drekën që zgjati tri orë, zoti Sofo mu lut të shkoj në makinën e tij. Ashtu veprova dhe në makinë e vazhduam muhabetin e gjithanshëm deri një Tiranë. Për mua ky ishte një takim shumë i frytshëm dhe mbresëlënës.
Por rezultoj edhe me një “pasojë”. Meqë pata kërkuar intervistë me presdientin Ramiz Alia dhe nga kabineti më thonin se “së shpejti do ta realizojë” , një ditë, derisa në tarracën e hotelit e pija kafenë e mëngjesit, mu afrua një zonjë dhe kërkoj të ulët. Tha se quhet Natasha dhe është përkthyese e shokut Ramiz, dhe në besë më tha: “Zoti Musliu kam marrë vesh se shoku Ramiz nuk do t’ua jap intervistën e kërkuar, sepse ka frikë nga provokimet që mund të ia bëni.”
E kuptova se ky vendim është marrë pas takimit tim me shokun Sofo .
Pas përfundimit treditore të vizitës së De Kuelar it, unë me Llukmanin vazhduam edhe tre ditë tjera qëndrimin në Tiranë. Gjatë asaj kohe u njoftova me shumë personalitete të njohura të Tiranës: Fatos Nanon e Gramoz Paskon me të cilët zhvillova një intervistë për reformat ekonomike; me prof dr Akeks Luarasin ekspert i drejtësisë, për ndryshimet demokratike, prof dr Sali Berishën, kryesisht për Kosovën dhe mundësinë e ndryshimeve në Shqipëri, me Agim Gjakovën, dr Ryshen Golemi, aktorin Reshat Arbanën, shkrimtarët Dritero Agollin, Ismail Kadarenë me të cilin zhvilluam një intervistë bashkë me Llukmanin në banesën e tij dhe me shumë gazetarë.
Një ditë para se të kthehemi, kryetari i Lidhjes së Gazetarëve na u lut që të vazhdojmë edhe një javë qëndrimin si mysafir i Lidhjes, që e vlerësuam si mirënjohje të lartë, dhe ashtu vepruam…gjatë gjithë javës kaluam çaste të bukura dhe të mbushura me shumë takime, biseda e vizita disa familjeve kosovare…
Këtu po i postoj disa pamje nga takimet tona me Ramiz Alinë, në redaksinë e gazetës Bashkimi ku Qemali ishte Kryredaktor e Hamit Boriçi drejtor, nga darka me gazetarë në Dajti dhe dreka e argëtimi në restorantin afër Kalasë së Beratit ku këndonte këngëtarja e njohur Zeliha Sina enkas për De Kuelar dhe gazetarët.