Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Shkruan poezi edhe në këtë moshë
E quajnë Marianthi Nakuçi (Llukani) dhe, ndonëse po i afrohet të nëntëdhjetave, ajo vazhdon ta mbajë veten aktive, të freskët në mendim dhe të pranishme në debatet shoqërore. Është korrekte, e kujdesshme ndaj fenomeneve të kohës dhe e lidhur fort me jetën intelektuale e shpirtërore.
Kur njeriu do punën, ai gjen gjithmonë forcë për të jetuar me dinjitet. Marianthi ka vite që shkruan poezi, dhe pikërisht poezia e ka mbajtur të gjallë në kujtesë, në mendim dhe në lëvizje. Edhe pse nuk ushtron më një profesion të përditshëm, ajo vazhdon të punojë me pasion: shkruan, lexon, këshillon dhe sugjeron me përkushtim për vargun poetik.
Ka lindur në qytetin e trëndafilave, në Përmet, më 25 prill 1937. Shkollën 7-vjeçare e kreu me rezultate të shkëlqyera, ndërsa më pas përfundoi shkollën e mesme pedagogjike në Tiranë me medalje argjendi. Vijoi studimet në Institutin Pedagogjik në degën “Gjuhë Ruse”. U martua me mjekun e njohur të mjekësisë shqiptare, Mantho Nakuçi, me të cilin ndau një jetë të mbushur me kulturë, përkushtim dhe dashuri njerëzore.
Punoi si mësuese në qytetet ku ushtronte profesionin bashkëshorti i saj: në Memaliaj, Përmet, Durrës dhe Tiranë. Për kontributin e saj në arsim është vlerësuar me medaljen “Naim Frashëri” gjatë punës në Durrës, si dhe me Urdhrin e Punës në Tiranë. Për shumë vite punoi në bibliotekën e Shkollës së Partisë “V. I. Lenin”, si specialiste bibliografe-klasifikatore.
Është nënë e tre fëmijëve: Ermira, Loreta dhe Mikeli. Sot gëzon statusin e gjyshes me tri mbesa e tre nipër, si dhe të stërgjyshes me një stërnip.
Gjatë viteve ka botuar librat me poezi: “Ju kam në shpirtin tim” (2004), “Dallgë në shpirt” (2010), “Zemër e hapur” (2016) dhe “Në grepin e mendimeve” (2025). Ndërkohë ka drejt përfundimit edhe librin autobiografik “Jeta ime”.
Libër me një përvojë të pasur poetike
Libri më i fundit i poetes, “Në grepin e mendimeve”, sjell një përvojë të gjatë jetësore dhe poetike. Çdo poezi mban peshën e kohës, të kujtesës dhe të ndjenjës së përpunuar me kujdes. Ky është një libër që lexohet me interes, sepse sjell frymën e një jete të jetuar me dinjitet, përkushtim dhe ndjeshmëri.
Në poezitë e Marianthi Nakuçit gjen figura, simbole dhe metafora të ndërtuara natyrshëm. Vargu i saj ngjan me një bulevard të mbushur me trëndafila, ku përvoja jetësore dhe emocioni poetik bashkëjetojnë në harmoni.
Autorja paraqitet në këtë vëllim me 93 poezi, të mbushura me lirizëm, kujtesë dhe gjallëri shpirtërore. Një element i veçantë i këtij libri është përdorimi i fjalëve të vjetra të shqipes, të cilat poetja i sjell me kujdes në varg. Për këtë arsye, në fund të librit ajo ka përfshirë edhe një fjalorth shpjegues. Kjo e bën librin jo vetëm një prurje poetike, por edhe një kontribut në ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës shqipe.
Në poezitë e saj ndihet liria e mendimit dhe rrjedhshmëria e natyrshme e emocionit. Çdo poezi mbart problematika, ndjeshmëri dhe thirrje shpirtërore që i japin jetë arsyes dhe fjalës artistike.
Poetja nuk i ka ndarë krijimet në kapituj tematikë, por lexuesi arrin vetë të dallojë rrjedhat emocionale dhe tematike që përshkojnë librin.
Poezia si kujtesë dhe mall
Një pjesë e rëndësishme e poezive i kushtohet bashkëshortit të saj, profesor doktor Mantho Nakuçi, njeriut me të cilin ndau jetën dhe idealet. Në këto poezi shfaqen malli, respekti dhe dashuria për njeriun që, edhe pse mungon fizikisht, vazhdon të jetojë në kujtesën dhe shpirtin e saj.
Poezi si “Çfarë është?”, “Me ty – pa ty”, “Lëvizje në rrugë”, “Ishe ti”, “Kush ka faj” dhe “Pse erdhe?” përbëjnë një cikël poetik të ndjerë, ku poetja i jep jetë figurës së bashkëshortit përmes kujtimeve, mirësisë dhe fisnikërisë së tij.
Ata bashkëpunonin ngushtë edhe në krijimtari. Marianthi, si mësuese letërsie, redaktonte dhe diskutonte poezitë e tij, të cilat më pas u botuan në vëllimin “Prehëri i nënës”. Në këtë atmosferë kulturore u rrit edhe vajza e tyre, Ermira, e cila ndoqi rrugën e artit dhe u bë kompozitore e violiniste.
Dy poezi të ndjera i kushtohen Ermirës, vajzës së saj të dashur që ishte disa kohë në Amerikë. Poezitë “Ermirës në Amerikë” dhe “Kur?” janë të mbushura me mall, dashuri, pritje dhe ankth njerëzor. Ato sjellin emocionin e largësisë, kujtimet familjare dhe shqetësimin e një nëne që jeton me ndjenjën e mungesës.
Poezi me figuracion dhe ndjeshmëri
Në poezitë e këtij botimi autorja shfaq një botë të pasur emocionale: mall, nostalgji, dashuri, dhimbje, vetmi, përkushtim dhe adhurim për jetën dhe njerëzit e saj të dashur.
Krijimtaria e Marianthi Nakuçit është e mbështetur mbi një gjuhë të thjeshtë, por artistikisht të ngarkuar. Në vargjet e saj gjen metafora, epitete, krahasime, personifikime dhe simbole që i japin poezisë dimension estetik dhe kuptim të thellë njerëzor.
Në shumë poezi ndihet nostalgia për kohën e kaluar, për njerëzit e dashur dhe për vlerat që koha shpesh i zbeh. Në disa të tjera shfaqet një klimë vetmie dhe meditimi, ku poetja ndërton marrëdhënie të ndjeshme midis fatit, durimit, dhembshurisë dhe dinjitetit njerëzor.
Veçanërisht e fuqishme është figura e nënës. Ajo paraqitet e brishtë, por e fortë në dashuri, e gatshme të japë gjithçka për fëmijët dhe familjen. Përmes kësaj figure poetja përcjell sakrificën, përkushtimin dhe dashurinë pa kushte.
Në këtë libër, Marianthi Nakuçi (Llukani) ka sjellë një krijimtari origjinale dhe të pjekur, ku tradita dhe modernia bashkëjetojnë natyrshëm. Poezia e saj mbart mendim, kulturë dhe thirrje për të jetuar me dinjitet, për të punuar dhe për të mos u dorëzuar deri në fund të jetës.