Timo Merkuri për poezinë:”Toka e besimit” e Migel Flor

ANALIZË NGA TIMO MERKURI
PËR POEZINË:”TOKA E BESIMIT”

Poezia “Toka e Besimit (Nënë)” e Migel Flor është një poezi e mbështetur sa mbi kujtesën shpirtërore aq edhe mbi figurën e nënës, e cila në vargjet e saj nuk mbetet thjesht nënë biologjike, por shndërrohet në tokë, në besim dhe në strehën ku njeriu rikthehet sa herë lodhet nga jeta. Që në hyrje ndihet hija e dhimbëshme e fatit dhe pesha e një dhimbjeje të trashëguar, por poezia nuk rrëshqet në melankoli vajtimore. Ajo ruan një qetësi të brendshme, ku trishtimi rrjedh natyrshëm dhe bëhet pjesë e vetë ekzistencës njerëzore:
“Fati na sundoi si zot i jetës
dhe lotët na i mbolli në tokë”
Këtu dhimbja nuk shihet si fund, por si diçka që mbillet në qenien e njeriut dhe prej së cilës lind forca për të vazhduar jetën. Pikërisht kjo e bën poezinë të ngrohtë dhe njerëzore.
Një nga gjetjet më të bukura të kësaj poezie është metafora e “tokës së besimit”. Nëna bëhet vendi ku njeriu mbështetet pas çdo rrëzimi. Sepse te nëna njeriu nuk gjen strehë vetëm në fëmijëri, por edhe në lodhjet, humbjet dhe vetmitë e jetës, atëherë kur shpirti kërkon një dorë ku të mbështetet dhe një tokë ku të mos ndihet i huaj. Kjo ndjesi del qartë në vargjet:
“Vetëm tek ti e mbështeta trungun
kur vjeshtërat më rrëzonin gjethet”
Këto janë vargje të thjeshta në ndërtim, por me një ngarkesë të thellë emocionale. Trungu, vjeshta dhe gjethet nuk mbeten vetëm elemente natyre; ato shndërrohen në shenja të lodhjes njerëzore, të humbjeve dhe të mbijetesës. Poeti arrin ta lidhë botën shpirtërore me peizazhin në mënyrë krejt të natyrshme.
Po ashtu, poezia mbart një frymë simboliste dhe moderne. Migel Flor nuk rrëfen drejtpërdrejt, por ndërton atmosferë përmes figurash që lidhen organikisht me njëra-tjetrën: shiu, dimrat, stuhitë, toka, ikona. Brenda kësaj bote poetike, figura e nënës merr dalëngadalë një përmasë sakrale dhe pothuaj biblike:
“dashuria më e vjetër e tokës
Shën Mari në ikonën e shenjtë”
Ky përfundim e ngre figurën e saj nga niveli njerëzor në një lloj shenjtërimi shpirtëror. Pikërisht këtu qëndron edhe kulmi emocional i poezisë: te kthimi i nënës në simbol të dashurisë së përjetshme dhe të besimit që nuk rrëzohet nga stuhitë e jetës.
Në tërësi, “Toka e Besimit (Nënë)” është një poezi lirike me frymë neo-simboliste, ku ndjenja, peizazhi dhe kujtesa shpirtërore bashkohen natyrshëm. Vlera e saj qëndron te metafora e ngrohtë, te gjuha e përmbajtur dhe te aftësia për ta bërë figurën e nënës njëkohësisht tokësore dhe të shenjtë.

TIMO MERKURI

Toka e Besimit(Nënë)

Ky qe fati ynë nënoke
një ylber i varur pas shiut mbi kokë
Fati na sundoi si zot i jetës
dhe lotët na i mbolli në tokë

Toka e besimit nëna ime
arkeologe e dashurisë së përjetshme
Vetëm tek ti e mbështeta trungun
kur vjeshtërat më rrëzonin gjethet

Pyesin dimrat sa herë që vinin
me shirat e erërat mbi sytë e mi
“Ku do të frysh e të lagesh, vajzë?”
E unë stuhitë i nisja tek ti

Tek ti dhimbja e barkut u bë hambar
dhe këshilla rrugë e drejtë
dashuria më e vjetër e tokës
Shën Mari në ikonën e shenjtë

Migel Flor