Nikollë Loka

Përtej shtatë ditë-netëve
Mijëra pamje të dalin para syve,
ndërsa je duke ecur me kryet mënjanë,
me gjysmën e botës nën sqetull
e gjysmën tjetër matanë.
Deri në Kashtën e Kumtrit,
arrin ta dallosh yllin tënd,
flakë të ndezur.
Është rralluar ajri,
drita lëviz me ngadalë;
në portat e rënda të kujtesës,
hiri është bërë më i rëndë.
Në mes të mungesave,
don të fluturosh
andej nga shkon shikimi,
pas një pamje që lind nga trishtimi,
qirinj të ndezësh
për të tjerë edhe për vete,
përtej shtatë ditë-netëve.
Pendesa e kohës
U mplakën rrugët,
u tret mosha e parë;
s’ka më fëmijë lozonjarë
që t’i shkelin
e, në lojëra, t’i përkëdhelin.
Ka gurë të ngulur thellë në dhé,
rrënoja epokash,
dëshmitare të një kohe të re.
Ka vite që pendohen kur ecin,
të mësuara me mungesën;
hi i ftohtë ndër votra,
një zjarr,
që e ndez një shkrepëse.
U mplakën kohët;
hije u bënë
e s’shquhen më.
Ditët s’ua përcjellin kujtimet
njëra-tjetrës;
shuhen gjurmët pa zë.
Mbetën muret ende më këmbë,
me themele që s’lëkunden
e çati që s’e përulin kryet.
Po i preke me dorë
aty ku u dhemb,
para teje përkulen.
Mblidhen ditët
që i ndjek me sy
e të humbasin.
Vitet që u larguan pa të pritur
kthehen te ti,
e me ty flasin.
Pragmëngjeset
Në çdo pragmëngjesi
kaluam ura,
lamë përtej sythe e yje gjithkund,
pragmbrëmje të vona,
aventura,
dhe net
që shqetësimi ynë përkund.
Ëndrrat tona.
Në pasqyrën e hirtë të qiellit që zgjohet
shfaqet një mendim,
një fjalë,
një meditim i ri për kohën
dhe ura që shtrohen dalëngadalë.
Pragmëngjeset
sjellin çelje sythesh e gonxhesh,
më shumë lule e gjeth,
më shumë prehje,
ndaj hap sytë se mos vonohesh,
e përgjumshëm
fiksohesh pas një reje.