Hiroshima e dinjitetit tim-Enver N. Rexhaj

Enver N. Rexhaj

Ta fala veten, shpirtin, çdo ndjenjë të gjallë,
dhe rashë për ty, si tempull që digjet ngadalë.
E kundërshtova Zotin, dritën që më krijoi,
për një dashuri që heshturazi më shkatërroi.

Më shkaktove Hiroshimë në dinjitetin tim,
një qytet pa zë, mbuluar nga mallkimi im.
Në sytë e mi u varros çdo lutje, çdo besim,
dhe nata më piu si helm pa kthim.

Por s’të fajësoj… jo, barrën vetë e mbaj,
unë hapa portat ku hyri ky vaj.
Kundërshtova Krijuesin, qiellin dhe perjetësinë,
për një prekje që ma dogji njerëzinë.

Tani ec me hijen time nëpër shpirt te vrarë,
si ushtar pa flamur, pa Zot, pa altar.
Dhe kur heshtja më flet me zërin e ferrit të zi,
e di, nuk të humba ty…
por humba veten te ti.