Profesori që na “burgosi” në magjinë e mitologjisë-Arben Iliazi

Arben Iliazi

 
 
“Homeri na paraqet shoqërinë e heronjve dhe të mbretërve: e ekzalton apo mallkon, por nuk e analizon”. M’u kujtua ky koment i profesorit tim
emblematik të fakultetit, Muzafer Xhaxhiu, i cili ne studentëve na bënte të magjepseshim pas Homerit, Eskilit, Aristofanit e Euripidit, me një regjisurë mistike të jashtëzakonshme.
Prof. Muzafer Xhaxhiu, i cili sot, më 15 maj, do të mbushte 105 vjeç, jetoi për më shumë se 60 vjet në universin e Eskilit, të Aristofanit, Plutarkut e Homerit, në një botë tjetër, herë magjike e herë me shumë dhimbje.
Më kujtohet kur na fliste për shqiponjat e Zeusit, bufin e Atenës, gjarprin e Demetrës, ujkun e Apolonit, Lykokton, Ujkvrasësin, hakmarrjen e Medeas, dhimbjen e Andromakës; Për tempullin e Dodonës pellazge thesprote, ku ekzistonte kulti i lisit. Për Dryadat, nimfat e pyjeve, Qariatidat, nimfat e arrës (nga fjala shqipe qarr).
Profesor Xhaxhiu na “burgosi” në magjinë e mitologjisë, duke kërkuar të fuste brenda botës mitologjike të grekëve të lashtë gjenerata të tërë studentësh.
Prof. Muzafer Xhaxhiu ishte shembulli i një ndjeshmërie natyrore të rrallë, një personalitet i papërsëritshëm i letrave dhe studimeve letrare.
Leksionet e tij ishin si një verë e ëmbël, që të këndellte në botën mitologjike, ku ngjyrosej me një pathos lirik e dramatik çdo fjalë, çdo mendim, çdo ndjenjë, duke na vuvosur gojën. Padyshim Xhaxhiu ishte një talent i lindur, me shpirt të pasur e të pakrahasueshëm, me temperament të qetë e karakter fisnik, me mendje të mprehtë e ndjeshmëri të epërme, me mendime të bukura e të larta, që të kujton shprehjen e Aristotelit: Jo puna, por natyra është e përjetshme. Askush nuk ishte i ngjashëm me të.
M. Xhaxhiu spikati qysh herët edhe si poet. Thoshte gjithmonë në biseda se poezia ishte stacioni i tij i parë.
Vargjet e para i botoi rreth vitit 1928 te gazeta “Bleta” apo te “Tomori i vogël”, krahas Bulkës, Shuteriqit, Migjenit, Spasses. Në 1946-n filloi të botojë poezi satirike në revistën “Hosteni”, e themeluar nga Nonda Bulka. Në 1957-n nxori librin e parë më poezi – “Lirika”.
Ngazëllimi i ëmbël dhe erotizmi i iluminuar, herë lasgushian, herë migjenian, në barazpeshë të plotë stilistike, ishin shumë të dukshëm në vargjet e tij.
***
Prof. Muzafer Xhaxhiu (1921 – 2012) ka qenë studiues, shkrimtar dhe profesor universiteti, përkthyes poliglot, që njihte 8 gjuhë të huaja.
Si studiues, profesor Xhaxhiu do të punonte për etnogjenezën e shqiptarëve, si pasardhës të pellazgëve dhe ilirëve.
Shkrimet e para letrare të profesorit kanë nisur të botohen në vitin 1939.
Studimet i nisi fillimisht në vitin 1946- në Beograd, ku qëndrova deri në 1948-n e më pas në Moskë, deri në 1952-shin.
Studimet në Moskë e orientuan drejt letërsisë antike, ku u specializua për letërsi klasike greke-latine dhe për gjuhë frënge.
 
Disa nga poezitë e Muzafer Xhaxhiut:
METEORI
 
Dhe tër’ hiret e saj m’i pat’ dhuruar
Mora pendën të shkruaja, ish e kotë.
Meteori hënën kish mbuluar…
 
DITËN E SHËN VALENTINIT…
Dhe sot u zumë ne të dy
Një histori e vjetër
Më mirë i zënë veç me ty
Se sa të dua një tjetër.
 
DHE QESHËM...
Shkëlqente deti i kaltër si pasqyrë,
E flladi lehtë frynte nëpër valë,
Dhe un’ e ti të ndezur në fytyrë
Mbi rërën e lagur ecnim dalëngadalë…
Po në fytyrë prapë e ndjenim zjarrë
E sy më sy u pamë të hutuar!
Dhe qeshëm…qeshëm, qeshëm si të marrë,
Se rër’e lagur digjte përvëluar.
 
VDEKJE…JETË
Dyshoj se s’më vjen vdekja kur e dua
Dhe sa herë që afrohet e urrej.
Të duash dhe të urresh, kësaj ç’i thua?
Në vdekje-jetë të fshehtën rrah e gjej.
 
Bibliografi e botime:
 
“Kritikë dhe studime letrare” – ShB “Naim Frashëri”, 1975
“Shkrimtarë, vepra dhe dukuri letrare” – ShB “Naim Frashëri”, 1961
“Sofokliu, tragjiku i madh i Greqisë së lashtë” – Toena, 1998
“Letërsia botërore – 1” – ShBLSh
“Letërsia antike greke” – ShBLU
“Letërsia antike romake” – ShBLU
Nga krijimtaria letrare:
“Lirika” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1957
“Rapsodi magjare” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1957
“Vargje per dashurinë” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1963
“Ujërat e pranverës” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1971
“Ditë maji” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1987
“Kënga e mjellmës” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1999
“çmenduri natyre” (poezi) – “Dituria”, 2007
.
Vepra të përkthyera në shqip:
“Vesë lotësh” (antologji e poezisë botërore) – Toena, 1994
“Endre Ady” (poezi) – Albinform, 1998
Giovani Bernardi, “Falemnderit” (poezi) – Toena, 1998
“Antologji e poezisë bullgare” – Dudaj, 2001
“Antologji e poezisë lirike botërore” – Toena, 2005
Tituj, medalje, urdhra:
Mban titullin Profesor Doktor
Medaljen ‘Mësues i merituar”
Urdhrin Naim Frashëri i Klasit të Parë
Urdhrin Naim Frashënri i Klasit të Dyte
Medaljen “Mjeshtër i madh i Punës”, dhënë nga presidenti i Republikë më 2001.