Rilidhja e Shkrimtarëve – Si “pordhët e gomarëve”-Fejton nga Pilo Zyba

Pilo Zyba

– fejton –

Në Shqipëri ndodhin gjëra që nuk ndodhin askund tjetër në botë.

P.sh., dikush zgjohet një mëngjes dhe thotë:

-Duhet të rilidhim Lidhjen e Shkrimtarëve!

Dhe menjëherë të krijohet përshtypja sikur letërsia shqiptare paska qenë e zgjidhur si dhi mali nëpër stanet e tranzicionit dhe tani duhet kapur përsëri me litar institucional.

Fjala “Lidhje”, në vetvete, tingëllon shumë romantike. Të kujton lidhjen në dashuri, miqësi, afërsi shpirtërore. Por në Shqipëri ajo ka pasur gjithmonë një kuptim më praktik: -të lidhej pas vijës së partisë.

Dikur, kur Enver Hoxha krijoi Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, shkrimtarët nuk lidheshin me njëri-tjetrin, por me ideologjinë. Ishte një lloj martese kolektive me realizmin socialist, ku divorci artistik dënohej më rëndë se tradhtia bashkëshortore.

Ajo Lidhje kishte gjithçka: godina, zyra, sekretare, shoferë, fonde, dieta, mbledhje, kongrese, referate dhe mbi të gjitha frikë.

Shkrimtari hynte poet dhe dilte procesverbal.

Sot, pas tridhjetë e ca vitesh demokraci, disa veteranë të penës vendosën ta “rilidhin” përsëri.

Po çfarë do rilidhet konkretisht?

Godina nuk është.

Fondet nuk janë.

Shteti nuk paguan.

Lexuesit kanë ikur në TikTok.

Poetët zihen në Facebook.

Kurse romancierët botojnë librat me lekët e kunatit emigrant.

Megjithatë, kuvendi u bë.

Madje me solemnitet të madh, thuajse po shpallej Kushtetuta e re e letërsisë shqiptare.

Në sallë kishte aq shumë ego, sa po të fikeshin dritat, ndriçimi do vazhdonte vetëm nga vetëvlerësimi i pjesëmarrësve.

Aty u fol për “unitetin e krijuesve”, ndërkohë që pa mbaruar ende kuvendi, në rrjetet sociale filloi lufta civile letrare.

Njëri shkruante:

– Zgjedhjet ishin të manipuluara!

Tjetri:

– Nuk u respektua statuti!

Një tjetër:

– Nuk pyeti njeri poetët e jugut!

Dikush tjetër:

-Pse nuk pati përfaqësim të poetëve metafizikë?!

– Pse nuk u përfaqësuan emigrantët?

Në fund mungonte vetëm një deklaratë:

“Ky kuvend nuk përfaqëson rimën tradicionale shqiptare.”

Por kulmi ishte çështja e grave.

Sipas disa mendjeve patriarkale të kuvendit, gratë mund të shkruajnë poezi, romane, drama, elegji, madje edhe libra me 500 faqe… por për të drejtuar Lidhjen duhet burrë.

Pra, sipas tyre, femra mund të krijojë personazhe, botë filozofike dhe univers emocional, por nuk mund të drejtojë mbledhjen ku diskutohet rendi i ditës dhe byreku i kafes.

Kështu që kuvendi mori pak frymë mesjetare.

Dukej sikur Lekë Dukagjini ishte ngritur nga varri dhe kishte marrë drejtimin e komisionit të votimit:

— Gratë le të shkruajnë. Burrat vendosin!

Në fakt, kjo nuk ishte më Lidhje Shkrimtarësh.

Ishte një përzierje mes kanunit, nostalgjisë dhe statutit të vitit 1972.

Ndërkohë, jashtë sallës, letërsia e vërtetë vazhdonte jetën e saj pa statut, pa vulë dhe pa procesverbal.

Një vajzë e re shkruante poezi në telefon.

Një emigrant botonte kujtimet e tij në internet.

Një plak shkruante tregime në fletore katrore.

Një djalë në provincë lexonte Heminguein fshehurazi nga zhurma e TikTok-ut.

Pra, letërsia jetonte.

Vetëm Lidhja kërkonte respirator institucional.

Dhe kështu u mbyll Kuvendi i Madh i Rilidhjes.

Disa dolën të lumtur.

Disa të zemëruar.

Disa me poste.

Disa me statutin në xhep.

Kurse letërsia shqiptare…

ajo vazhdoi rrugën e saj vetëm, si gjithmonë — pa pyetur askënd.

*

Londër…..maj 2026