Psherëtima e kohës-Migel Flor

PSHERËTIMA E KOHËS

(Ese poetike)

Po heshtin penat e arta, ndërsa “modernët” trumbetojnë vetëm zhurmë “filozofike”. Gjuhën Naimiane e quajnë të vjetëruar, lirikat u duken bejte, ndërsa gjuha “aliene” na sjellka art… Zoti na ruajt nga gjëmimet në qiell të kthjellët, nga ngjirja që ka zënë psikikën e ufove, me parashuta gjysmë të fryra për një ulje tokësore. Shenjtëria e fjalës “sisë” shpallet turp, qumështi pagëzohet “Red Bull”, e filozofia e Sigmund Freud copëzohet në triliarda fjalë pa shpirt, pa qenie. Manaferra vidhet nga pjergulla e ferrës ku lindi dhe shitet si man i butë; shkurret hiqen si qiparisa, e plot të tjera si këto përhapen si kulpër në poezinë e shpirtit.

Kakarizmat janë produkt i filozofisë së tyre, duke jetësuar “molën” që gërryen shoqërinë nga brenda, aty ku lind kënaqësia e brejtjes. Ç’metafora krimi po vegjetojnë! Ftoi ogurmirë, që ruhej dikur në sepete si ozon, bëhet pjepër hormonesh dhe zverdhet jo nga soji, por nga pikëllimi i ziliqarëve. Kjo makutëri denatyron jo vetëm objektin, por edhe subjektin; ombrella mbahet si në shi, edhe në diell.

Po i madhërishmi det?… Ai nuk përfill ta fusësh në bidon apo në çisterna. Edhe lumi që derdhet në gjirin e tij s’ia shuan dot etjen, prandaj mbeti përjetësisht i kripur nga fermentet e kohës. Ndoshta dikur loti mblidhej me gjyma dhe bëhej kavaletë kristali, por kur shkrihej, shëllira mbante aromë balade e legjende, aromë mitike, natyrore e njerëzore. Në ç’det po lundrojnë vallë, pa vela e pa busull?…

Vetëm albatrosi orienton horizontet, dhe Kristofor Kolombi endet kot, sepse Amerikën e gjen sërish Ameriko Vespuçi, ose alienët. Kockat e ikonave të artit tonë kërcasin nën thundrat poetike të hienave që kalojnë mbi varret e tyre me trokun Trojan Grurin nuk e bluan më mullixhiu; qepanarët sqepojnë kockën deri në palcë dhe botës po i humbet embrioni, ajo jetësorja, qenia, shpirti. Frytet i bren krimbi, u ha bërthamën, dhe filizat rriten me anemi.

Pranverën po e sfidon vjeshta, ajo vjeshtë njerëzore që i hap portën stuhisë dhe dimërimit. Shpirti lëngon në agoni; arti, poezia, piktura janë në ethet e “malarjes”, e jo në ethet e ekzistencës, të vrullit, të shpërthimit, të klorofilës që bën edhe diellin të vajtojë fatin tonë, nga kolerat e kohës. Ndoshta rilindja do të vijë, por misionarët do të largohen me reumatizëm në kockë e në shpirt, dhe një eklips mund ta kurdisë sahatin e kohës, që psherëtima të mbetet veç legjendë. Migel Flor