Tek sytë e çdo zogu jeton një peisazh, sytë e zogjve flejnë peisazhe pa natë.
2.
Po ngjis kodrën… shi bie, nuk m’i lag kryet shiu përkrah ngjitem me mua qeshim pa u lagur tej syve të botës…
Shiu përqafet me mua… sëbashku u ngjitëm kodrës ujori me gjelbërimin në duar e sy unë me zogjtë në sy e në duar.
3.
Në mëngjes herët shpërndaj postën e urimeve, postën pa lamtumirë të ditës së re. Gjithë nata vrullime në kokën time fluturoj edhe shtrirë. Mesnatave hera herës çohem, ç’të bëj… do çohem kryej ndonjë shërbesë.
Në mëngjes nxitoj të shpërndaj postën fluturake shtyp tastierën e qelqtë por shoh që s’jam i pari se më ka ardh’ më shpejt me postë tjetër një “mirëmëngjes" i freskët, ngazëllues nga dikush pa vrullime po jo pa fluturime.
4.
Një herë ua ndërroj veshjet, jo vetëm njëherë, nuk varet nga stina që ikën varet nga çasti që çel…
Herë tjetër, përkrah tyre hutohem më shohin, s’i shoh, më duket sikur dëgjoj sirena porti që këputen në çast, s’di ç’vela të ul, të ngre nga kjo mëdyshje kjo përhumbje e frikshme buzagaz…
5.
Rrugë bregu me luspa pluhuri hapat drithmojnë lehtë, rrufetë shkundin veriget e fundit të reve shkunden dhe vet.
Jeta përqark plot gjemba iriqi… e mbartim gjithkund zë, premtim,
rrugëbregu me bisht të syrit sheh shpatullat e sfinksit
sfinksi shtrihet mbi qytetin thëllim.
6.
Shiu nisur qysh mbrëmë as sot s’ka ndërmend këmbëve t’u verë fre,
shkoi një gjysmëhënë
agu rrënjëqullur gjithandej begatohet a ndihet i ve?
Shira pafund squllin florën, të plogët qiejt zbardh’llojnë ngadaltë…
I shkurtër Shkurti… sa i gjatë…
7.
Çdo ditë, dikush m’i çon përpara akrepat, pyes bletën: unë jo… – më gjegjet bleta, unë mjaltin më të mirë të verës e sjell tek ty, shpërndaj tek të tjerët.
Atëhere, çudie, pyes shiun… ai shkund supet s’bën zë është i pafajshëm? ndoshta s’e kupton habinë e njeriut.
Jo, jo! – shiu gjegjet menjëherë unë rrebeshëm jetoj më shumë por bastunët e moshuar përpiqem të mos i qull.
Ditën takoj në të njëjtën orë, në diell, ernash dhe cikmë në kodër ngjitemi bashkë, asnjë cent nuk paguajmë për fluturimin tonë ajror Librin e Gjelbërimit lexojmë kudo përqark…
o, Zot, atëhere kush m’i çon para kaq shpejt akrepat?
Ai orën time sheh në qiellin e tij e të botës
takohemi tjetër herë – më thotë vdekja.
8.
Mbi kryet e mia po fluturon një shpend, duket i vogël, më i vogël nën madhështorin qiell…
Përhera mbi kryet e mia fluturon një shpend…
9.
Po ikën, po ikën, frymon çastin e fundit t’fundit çast don ende pak shpresë tek të lumturit nuk hyn as tek të shkundurit, qëndistar s’është as zjarrmëtar rrufesh. Buzëmbrëmjes gjithçka duket se mpihet, shëmbet çast i mbramë vetiu,
në t’fundmin çast tjetër hënëze e ftohtë vëmendja ndaj njeriut…
10.
Më dhimbset uji, kuturu rrjedh s’e mbajnë këmbët po i këputen duart, sy ëndërrt ëndërr pa të këqiat në gjuhë xix’llojnë ujërat.
Më vjen keq ujërat ngjethen një rreze u dridhet gisht, stepen ujërat, mërziten me veten s’mërziten me veten por me ata që i çojnë theqafje në hiç.