Metafizika e kufirit në romanin Liana të Panajot Zotos-Nga Timo Mërkuri

Nga Timo Mërkuri

Romani “LIANA” i Panajot Zoto e hap rrëfimin me një gjest modernist: kufiri nuk shfaqet si vijë e ngrirë mbi hartë, as si shenjë e thatë që ndan shtete, por si një gjendje e brendshme e njeriut, si një dridhje e heshtur që e ndjek edhe kur ai mendon se ka mbërritur diku. Që në fillim, lexuesi nuk hyn në një histori emigracioni, por në një hapësirë ku kufijtë nuk qëndrojnë më në vend: ata zhvendosen nga harta në ndërgjegje, nga politika në kujtesë, nga bota e jashtme në mënyrën si njeriu e përjeton veten.

Pikërisht në këtë plan metaforik të kufirit do të përqendrohet edhe analiza jonë, pasi trajtimi që i bën romani këtij motivi mbart një qasje të dukshme moderniste bashkëkohore, ku kufiri nuk funksionon më si realitet gjeografik, por si metafizikë e ekzistencës njerëzore.

Në këtë zhvendosje, kufiri humb funksionin e tij të dukshëm dhe kthehet në simbol ekzistencial të qenies moderne — në një prani të brendshme që nuk përshkruan vetëm ndarje, por mënyrën si njeriu ndahet brenda vetes. Romani nuk e rrëfen botën si kronikë ngjarjesh, por si përjetim, ku edhe idetë më abstrakte marrin peshë reale, sikur të kishin trup dhe frymëmarrje.

Kështu, kufiri bëhet gjendja e njeriut që jeton gjithmonë në mes: mes dy vendeve, dy kohëve, dy versioneve të vetes. Ai nuk është më thjesht vijë ndarëse, por një lëvizje e pandalshme brenda identitetit, ku asgjë nuk qëndron plotësisht e fiksuar. Njeriu modern nuk e kalon vetëm kufirin — ai e bart atë me vete.

Dhe pikërisht këtu kufiri pushon së qeni hartë. Ai bëhet një prani e padukshme që e shoqëron njeriun në çdo hap, duke e mbajtur gjithmonë në një gjendje ndërmjetësie, ku as “këtu” dhe as “atje” nuk janë kurrë përfundimtare.

1.Në pamje të parë, romani mbështetet mbi një realitet të njohur ballkanik: kufiri gjeografik Shqipëri–Greqi, lindje–perëndim, atdhe–emigrim. Por te Zoto, kjo hapësirë nuk mbetet sfond i qetë narrativ; ajo fiton një dendësi tjetër, më të brendshme. Kufiri nuk është më vijë mbi hartë, por një prag i padukshëm, ku trupi kalon, ndërsa diçka tjetër mbetet pas.

Emigracioni i Lianës nuk është thjesht zhvendosje jete, por zhvendosje e mënyrës së të qenit. Ajo jeton në një vilë buzë Athinës, në një dritë deti që duket e qetë, pothuaj e përkryer. Por kjo përkryerje ka një të çarë të heshtur: sa më e rregullt pamja, aq më e ndjeshme bëhet mungesa. Një mungesë që nuk lidhet me sendet, por me mënyrën se si njeriu ndihet i plotë ose jo brenda vetes.

Kështu lind paradoksi i kufirit: largimi nuk e zbeh atdheun, përkundrazi e afron atë në një formë tjetër, më të brendshme, më të padukshme. Ai zhvendoset në kujtesë, në një shtresë që nuk largohet më nga vetëdija. Kufiri nuk rri vetëm në hartë. Ai rëndon edhe në mendim.

2. Forma më intime e kufirit shfaqet në terrenin e identitetit, aty ku njeriu nuk ndan më vetëm vende, por veten e tij. Emigrimi nuk është vetëm kalim kufiri; është detyrim për t’u rishkruar.

Rasti i Dianës që shndërrohet në Liana Sionis nuk është thjesht ndryshim emri. Është një lëvizje e heshtur nën sipërfaqe, ku identiteti fillon të rrëshqasë nga vetja e tij e parë. Emri nuk është vetëm shenjë; është kujtesë e jetuar, gjuhë e fëmijërisë, mënyra më e hershme se si njeriu është thirrur në botë. Dhe nganjëherë, njeriu e dëgjon veten si të ishte dikush tjetër. “Diana… Diana… Gjoni… Më mirë kështu, ë?!… Si të duket Liana Sionis?” (fq. 14)

Në këtë fjali të zakonshme në dukje, fshihet një zhvendosje e qetë, por e pakthyeshme. Nuk ka imponim të drejtpërdrejtë, nuk ka dhunë të hapur- vetëm një përshtatje që ndodh butë, derisa bëhet e pashmangshme. Dhe pikërisht kjo e bën më të rëndë: identiteti nuk thyhet, por riformohet pa zhurmë.

Këtu kufiri nuk është më vijë mes dy vendeve; ai hyn brenda emrit dhe fillon të punojë nga brenda. Njeriu kalon kufirin jo vetëm me trup, por me zë, me kujtesë, me mënyrën se si thërret veten. Dhe në këtë kalim humbet diçka që nuk rikthehet më plotësisht: vazhdimësia e vetes.

Kështu lind një identitet i dyfishtë: një “unë” i dukshëm, i përshtatur me botën e re, dhe një “unë” tjetër, i heshtur, që mbetet i lidhur me origjinën. Mes tyre nuk ka konflikt të hapur, por një bashkëjetesë të tensionuar, si dy shtresa të së njëjtës jetë që nuk përputhen kurrë plotësisht.

Dhe ndoshta këtu qëndron thelbi i kësaj pjese të romanit: emigranti nuk është thjesht ai që kalon kufirin, por ai që mëson të jetojë me një ndarje të padukshme brenda vetes.

3. Në planin emocional, Liana nuk jeton brenda një kohe të vetme. Ajo ekziston në një çarje të heshtur mes dy kohëve që nuk e prekin kurrë plotësisht njëra-tjetrën, por as nuk e lënë të qetë. E tashmja e saj është e brishtë, si një dritë që dridhet mbi ujë, gjithmonë në rrezik të përçahet nga hija e së djeshmes. E djeshmja nuk vjen si kujtim i rregullt, i sistemuar, por si një prani që nuk kërkon leje për të hyrë; si një frymëmarrje e dytë e ndërgjegjes që nuk di të ndalet. “E djeshmja e saj i ngjante një beteje për ekzistencë… I mungonte vatra ku kishte lindur… I mungonin shokët e fëmijërisë…” (fq. 15–16)

Në këto fjali nuk fshihet thjesht nostalgjia e një njeriu të larguar, por një plagë që nuk është shëruar kurrë plotësisht, sepse nuk ka pasur kurrë një vend ku të mbyllet. Mungesa këtu nuk është emocionale në kuptimin e zakonshëm; ajo është ekzistenciale, një boshllëk që nuk mbushet, por zgjerohet sa herë që kujtesa e prek.

Vatra e munguar nuk është vetëm një shtëpi e fëmijërisë; ajo është forma e parë e sigurisë ontologjike, ajo ndjesi e heshtur që i thotë njeriut. Ndonjëherë e shkuara nuk kujtohet- ajo kthehet.: “ti i përket diku”. Kur kjo ndjesi çahet, njeriu nuk mbetet thjesht pa vend, por fillon të humbasë edhe konturet e vetvetes, si një figurë që tretet ngadalë në ujë.

Dhe këtu e shkuara nuk sillet më si kohë e mbyllur. Ajo bëhet një shtresë e brendshme e

qenies, një terren i padukshëm mbi të cilin ecën çdo hap i së tashmes. Në një kuptim më filozofik, ajo është një “tokë e brendshme që nuk e ke lënë kurrë”, edhe kur mendon se je larguar prej saj.

Emigracioni, në këtë dritë, nuk është thjesht zhvendosje gjeografike. Ai është një çarje e butë, por e pandalshme, që ndodh brenda vetë subjektit. Kujtimi nuk kthehet si ngushëllim; ai kthehet si një jehonë që nuk di të shuhet, si një zë që flet nga një dhomë tjetër e qenies. Dhe njeriu, pa e kuptuar, fillon të jetojë në dy brigje njëkohësisht: në atë që prek dhe në atë që i mungon.

Kështu lind një vetëdije e dyfishtë, ku individi nuk është më i plotë as në të tashmen, as në të shkuarën, por lëviz mes tyre si një figurë që kërkon të bashkojë dy copëza që nuk puqen më plotësisht.

4. Në roman, kufiri nuk mbetet i mbyllur në brendinë e individit; ai shtrihet mbi trupin e një komuniteti të tërë, duke marrë formën e një ndarjeje historike që prek kujtesën e përbashkët, si një vijë që nuk ndan vetëm tokën, por edhe mënyrën si ajo kujtohet. Kështu, fiset e njëjta ndahen dhe njerëzit që dikur jetonin brenda të njëjtit ritëm shpirtëror, shndërrohen gradualisht në dy botë të ndryshme. Në këtë dukje të thjeshtë narrative fshihet një thyerje e thellë, jo vetëm gjeografike, por edhe ekzistenciale: copëtimi i një jete të përbashkët që dikur merrte frymë si një trup i vetëm. Fshati, me kujtimet e tij kolektive, me rrugët ku njerëzit njihnin njëri-tjetrin pa pasur nevojë për emra apo thirrje, nuk ekziston më si  tërësi organike; ai është ndarë në dy anë që tashmë e shohin njëra-tjetrën si përmes mjegullës së kohës dhe historisë. Dhe megjithatë, secila palë vazhdon ta mbajë tjetrën në kujtesë, por në mënyra që nuk përputhen më, sikur edhe vetë e shkuara të ishte ndarë bashkë me kufirin.

 Kufiri historik nuk është vetëm vijë politike; ai është një ndërhyrje e ftohtë në kujtesën kolektive, një prerje që nuk ndalon vetëm lëvizjen e njerëzve, por edhe vazhdimësinë e rrëfimit të tyre. E shkuara e përbashkët nuk mund të thuhet më me të njëjtin zë, sepse është ndarë në dy kujtime që nuk përputhen, si dy rrëfime të së njëjtës plagë.

Në këtë kuptim, kufiri prodhon një lloj heshtjeje të brendshme historike: jo zhdukje e kujtesës, por fragmentim i saj. Dhe ajo që mbetet nuk është më një histori e përbashkët, por dy versione të njëjta dhimbjeje, që nuk e njohin më njëra-tjetrën plotësisht.

5. Në planin familjar, kufiri nuk shfaqet si vijë e prerë, por si një heshtje e butë që merr formën e zakonit. Në dukje gjithçka është normale. Por normaliteti këtu është vetëm një mënyrë tjetër e heshtjes. Ai nuk urdhëron, nuk ndalon, nuk kundërshtohet dot- thjesht trashëgohet, si ajër që nuk e sheh, por e thith pa e kuptuar. Në thelb, ai është një strukturë e padukshme e rendit patriarkal, ku individi nuk qëndron si subjekt i lirë, por si nyje e lidhur në një rrjet detyrimesh që e kanë parapërshkruar përpara se ai të zgjedhë.

Krushqia mes Dianës dhe Albanit nuk lind nga takimi i dy vullneteve, por nga një logjikë sociale që e vesh zgjedhjen me maskën e natyrshmërisë. Kështu, ajo që është e ndërtuar historikisht paraqitet si e dhënë; ajo që është marrëveshje shoqërore shndërrohet në “fat”. Tradita këtu nuk flet me zë, por me peshë: ajo rëndon mbi jetën pa e deklaruar veten si urdhër.

Në këtë hapësirë të mbyllur në dukje të hapur, njeriu jeton një tension që nuk shpërthen, por rrjedh ngadalë nën sipërfaqe, si ujë që gërryen gurin pa u dëgjuar. Ai mbetet midis asaj që ndjen dhe asaj që duhet të jetë, midis zërit të brendshëm dhe zërit të komunitetit që flet për të përpara se ai të flasë vetë.

Kjo gjendje e dyzuar e çon individin në një konflikt ekzistencial të autenticitetit: të jetosh një jetë që duket e zgjedhur, por që në thelb është e paracaktuar nga një rend i padukshëm normash. Njeriu nuk rebelohet gjithmonë; shpesh ai përshtatet, dhe pikërisht aty lind drama më e heshtur e ekzistencës.

Dhe ndoshta këtu kufiri merr formën e tij më të rafinuar: ai nuk është më ndalim, por pajtim i detyruar; nuk është më mur, por mënyrë jetese. Një fat që nuk vjen si tragjedi e shpallur, por si zakon i veshur me normalitet — një normalitet që e mban njeriun brenda vetes së dikujt tjetër.

6.Përmes figurës së Albanit, romani hap një nga shtresimet më të thella të kufirit: atë ideologjik, vijën e padukshme që nuk ndan territore, por mënyra të të menduarit; nuk ndan hapësira, por mënyra të të besuarit dhe të shikimit të botës. Në këtë kuptim, kufiri nuk është objekt, por mënyrë ndërgjegjeje — një strukturë që fillon si bindje, forcohet si perceptim dhe përfundon si fat.

a. “A nuk ke dëgjuar ti se ç’thonë këta? Se këndej është drita dhe andej errësira? Jo, jo! Nuk e pashë kurrkund errësirën…” (fq. 29–30)

Në këtë përplasje të thjeshtë fjalësh, që në sipërfaqe duket si bisedë e zakonshme, ndërtohet në fakt një rend i tërë simbolik i botës. Realiteti ndahet paraprakisht, përpara se të përjetohet: në dritë dhe errësirë, në të pranueshme dhe të përjashtueshme, në “këtej” dhe “andej”. Dhe njeriu e beson këtë ndarje para se ta ketë parë botën vetë. .Kufiri këtu nuk është ende vijë në tokë, por vijë në mendje- një ndarje e brendshme që e paraprin çdo shikim.

Ideologjia, në këtë fazë, nuk është mendim i shprehur, por formë e padukshme e shikimit. Ajo nuk e përshkruan botën; e paracakton atë. Si një filtër i heshtur, ajo vendos çfarë është e dukshme dhe çfarë mbetet jashtë shikimit, duke e kthyer realitetin në një version të përzgjedhur të vetvetes.

b.Por kjo ngrehinë mendore përplaset me realitetin e kufirit konkret, aty ku ideja e “shenjtërisë” së tij nis të lëkundet dhe të zbulojë brishtësinë e vet të fshehur. Realiteti nuk pyet për ndarjet që kemi bërë në mendje. “Brezi kufitar nuk kishte sigurinë e mëhershme, ku, siç thuhej, ‘nuk kalonte miza’. Megjithatë, banorët e brezit kufitar e respektonin ende ligjin. Për ta kufiri ishte i shenjtë.” (f.34)

Në këtë fjali kufiri shfaqet si një mbetje e besimit të dikurshëm, si një kujtesë që vazhdon të marrë frymë edhe kur trupi i saj real është dobësuar. Ai nuk është më vetëm vijë kontrolli, por një shenjë e trashëguar frike, një lloj mitologjie e heshtur që jeton më shumë në ndërgjegje sesa në realitet. Kufiri këtu nuk ruhet më nga prania e forcës, por nga pesha e kujtesës së saj.

Por ky mit nuk i reziston gjatë kontaktit me realitetin. Romani e çmonton këtë iluzion duke e zhvendosur kufirin nga “e shenjta” në të përditshmen e brishtë: “Zona të tëra të vijës kufitare, të mbetura pa ushtarë, mundësonin kalimet e paligjshme të kufirit…” (f.34)

Në këtë çast ndodh një përmbysje e qetë, por e thellë: kufiri del nga ideja dhe zbret në tokë, nga besimi në praktikë, duke u shfaqur si një hapësirë e çarë, ku rendi nuk është më absolut, por i përkohshëm. Ajo që dikur dukej e pakalueshme, fillon të marrë formën e një terreni të lëvizshëm, ku ligji dhe shkelja bashkëjetojnë në të njëjtën frymë.

Edhe vetë rruga drejt kalimit – korijet, luginat, pjerrësitë që çojnë drejt grykës së kontrollit – nuk është thjesht përshkrim hapësinor, por një lloj dramaturgjie e trupit përballë frikës. Kufiri nuk përjetohet më si vijë, por si provë: një hapësirë që e vë njeriun përballë vetes së tij, përpara se ta lejojë të kalojë në anën tjetër.

c.Në momentin kur kufiri duket se humbet fortësinë e tij fizike, ai nuk zhduket, por zhvendoset në një shtresë më të thellë: në kufirin ekzistencial, aty ku ndarja nuk është më midis vendeve, por midis mënyrave të të qenit. “Na takojnë dhe na përqafojnë të gjithë, si të ishim pjesë e familjes së tyre.” (fq. 36–37)

Në këtë çast kufiri shpërbëhet përkohësisht si ndarje reale dhe zbulohet si një konstruktion i brishtë i frikës dhe i perceptimit. Tjetri nuk shfaqet më si figurë e huaj, por si njeri i zakonshëm, i afërt në thjeshtësinë e tij. Dhe pikërisht këtu romani e zhvendos kufirin nga territori në ndërgjegje: ai nuk ekziston mes trupave, por në mënyrën se si ata janë mësuar të shohin njëri-tjetrin.

Por kjo hapje nuk është e qëndrueshme. Kufiri rikthehet, vetëm se tashmë jo si vijë në hartë, por si vendim i brendshëm, si ndarje që merr formën e zgjedhjes dhe të fatit personal. Vendimi i Albanit për të mos u kthyer e zhvendos përfundimisht kufirin nga hapësira në ndërgjegje: “Kam vendosur që të mos kthehem… Dua të më ndihmoni për të shkuar diku larg…” (fq. 37–38)

Këtu kufiri nuk qëndron më midis dy shteteve, por midis kthimit dhe largimit, midis përkatësisë dhe shkëputjes, midis kujtesës që të thërret dhe lirisë që të tërheq. Ai bëhet ndarja më e heshtur dhe njëkohësisht më e pakapshme, sepse nuk shënohet më në hapësirë, por në thellësinë e vendimit njerëzor.

7.Mbi të gjitha shtresat e tjera të kufirit, në roman ngrihet një kufi më i heshtur se të tjerët, më i padukshëm dhe ndoshta më i pakalueshmi: kufiri i kujtesës. Ai nuk ndan vende, as sisteme, por ndan njeriun nga vetja e tij e dikurshme, duke e vendosur në një përballje të vazhdueshme me kohën që ka kaluar dhe me atë që nuk kthehet më.

Ky kufi nuk ka trup, nuk ka vijë, nuk ka shenjë në hartë. Ai i përket një territori tjetër, më të thellë dhe më të brishtë: kohës së brendshme të njeriut. Dhe pikërisht për këtë arsye, ai nuk kalohet. Nuk ka vendim, as akt vullneti, as udhëtim që ta shlyejë. E shkuara nuk mbyllet si derë; ajo mbetet e hapur në një mënyrë të çuditshme, duke u kthyer në prani, jo në mungesë. Ajo nuk largohet, por rri — e qetë, e padukshme, por e vazhdueshme — si një frymëmarrje e dytë që e shoqëron njeriun në çdo hap të së tashmes.

Në këtë kuptim, kujtesa nuk është arkiv i ftohtë i jetës së kaluar, por një shtresë e gjallë e qenies, një tokë e brendshme që nuk lejon shkëputje të plotë nga vetja e dikurshme. Edhe kur njeriu ndryshon vend, gjuhë apo emër, ai mbetet i lidhur me një version të vetes që nuk ekziston më në botën e jashtme, por vazhdon të jetojë brenda si jehonë e heshtur, si një dritë e zbehtë që nuk fiket plotësisht.

Dhe këtu romani bëhet më i kthjellët në thelbin e tij: njeriu nuk ndahet vetëm nga vendet, por nga vetja. Dhe ndoshta kjo është forma më e rëndë e ndarjes, sepse nuk ka kufi për ta kapërcyer, nuk ka vijë për ta shkelur, nuk ka as kthim që ta riparojë. Është një ndarje që ndodh pa zë, pa dëshmi, por që vazhdon të jetojë në mënyrën si njeriu e mbart veten.

Në këtë mënyrë, në universin narrativ të Panajot Zotos, kufiri shfaqet si një strukturë e shumëfishtë e ekzistencës njerëzore: ai ndryshon formë, por ruan gjithmonë të njëjtën thelbësi — ndarjen e njeriut nga vetja, nga tjetri dhe nga kujtesa e tij. Ai është njëkohësisht hapësirë dhe ndërgjegje, histori dhe ndjeshmëri, ide dhe plagë e heshtur e përjetimit. Dhe njeriu, i vendosur brenda këtij rrjeti të padukshëm, nuk ecën thjesht nëpër botë, por ecën brenda vetë kufirit, sikur ta mbante atë me vete.

Në përfundim, mund të thuhet se në këtë lexim të shumëfishtë të romanit të Panajot Zotos, kufiri del përtej funksionit të tij të dukshëm si vijë ndarëse mes hapësirash apo realitetesh politike dhe shndërrohet në një strukturë të thellë ku ndërthuren përvoja, ideja dhe fati njerëzor. Ai nuk mbetet më vetëm një element i rrëfimit, por një prani e vazhdueshme që e përshkon atë nga fillimi deri në fund, duke u bërë njëkohësisht sfond dhe forcë lëvizëse e ngjarjeve, një hapësirë që e formëson njeriun po aq sa njeriu përpiqet ta tejkalojë atë.

Në këtë kuptim, kufiri mund të lexohet si një personazh i padukshëm i romanit- pa trup, pa zë, pa emër, por me një ndikim të vazhdueshëm mbi fatet, zgjedhjet dhe ndërgjegjen e personazheve. Ai nuk shfaqet si figurë, por si frymë që organizon të gjithë universin narrativ, duke marrë formën e ideologjisë, të hapësirës dhe të vetë gjendjes ekzistenciale.

Dhe kështu romani nuk mbyllet me historinë e atyre që kalojnë kufirin, por me një të vërtetë më të heshtur: se njeriu modern nuk jeton përtej kufirit, por brenda tij. Ai mbetet gjithmonë në një gjendje ndërmjetëse- midis lëvizjes dhe mungesës së përkatësisë, midis kujtesës dhe shkëputjes, midis asaj që është dhe asaj që nuk arrin të bëhet plotësisht. Kufiri bëhet kështu metafora e fundit e ekzistencës së tij të hapur, të papërfunduar, gjithmonë në kalim.

Sarandë, maj 2026