
U ktheva
U ktheva,
por edhe muret kishin harruar zërin tim.
Lulet në oborr ishin tharë,
si kujtime që s’presin më askënd.
.
Zëri i nënës nuk mbushte më shtëpinë,
dhe hapat e babait ishin bërë ajër.
U ktheva,
por heshtja më mbushi shpirtin.
.
Kujtimet më dolën përballë,
por s’më përqafuan si dikur.
Mungesa ime kishte mbushur çdo cep të shtëpisë,
si një hije që nuk largohet.
.
Në murin e avllisë suvaja kishte rënë,
dhe zemra ime s’po gjente më veten.
Gjithçka kishte ndryshuar,
dhe qetësia bënte kuvend në boshllëk.
.
U ktheva…
por nuk ishte më shtëpi.
Thjesht një vend pa jetë, pa zë, pa dritë.
.
Disa kthime
janë thjesht mungesë që merr formë.