Nga Agron MEMA




Sa më shumë hulumtohet e gërmohet nëpër arkiva dhe dokumente, kujtime dhe gojëdhëna, folklor dhe histori, aq më shumë dalin në dritë nga skutat e harresës historike dhe arkivat e pluhurosura të fakteve dhe personaliteteve të zëshëm historik të periudhave të ndryshme të historisë së popullit dhe shtetformimit shqiptar. Dhe kjo sidomos tek pjesë e trevës së Çamërisë, megjithëse nga kjo trevë kanë dalë shumë personalitete të penës dhe të shkencës. Kështu ndodh edhe me këtë rast që përcjellim në këtë shkrim, pas atij të Dido Didatit që u botua para disa ditësh në faqet e gazetës “ TELEGRAF”. Rastësisht më ra në dor një libër me përmbledhje këngësh e baladash të vjetra e të reja, më shumë me tematikë historiko-kujtimore, nga fshati Ninat i Konispolit, mbledhur e botuar me kujdes nga Esat Mulla, “ Këngë të hidhura”. Mes faqesh më bëri përshtypje një këngë që i kushtohet njërit nga delegatët e Çamërisë në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912. Ai është Hasan Sulejman Mullai, një nga pesë delegatve të Çamërisë : Veli Gerca, Jakup Veiseli, Rexhep Demi dhe Tahir Ajdonati.
Katër të fundit përmenden në libra të shkruar për këtë moment nga më të rëndësishmit hitorikë të popullit shqiptar, ndërsa Hasan Mullai jo. Në fund të kësaj kënge gjejmë këtë shënim dedikues: “ Më 28 nëntor 1912, kur në Vlorë u ngrit flamuri nga Ismail Qemali, nga zona e Çamërisë u caktua si delegat edhe Hasan Mullai. Ai foli para tribunës 10 minuta fjalim. Le të kujtohet kjo figurë”. Kaq është shënimi në fund të këngës. Historia përmend pjesëmarrjen e delegatëve të Çamërisë në Shpalljen e Pamvarësisë, bile edhe faktin e vajtjes me vonesë në aktin historik, për shkak të pengesës nga ushtarët turq në fshatin Dukat. Megjithatë arritën në kohën e mitingut. Natyrisht akti i shpalljes së pavarësisë nga burrat e mençur e luftëtarë të kombit shqiptar, është momenti më kyç i historisë sonë kombëtare, sepse Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Heroi Kombëtar, shpalos epopenë më të lavdishme e të madhërishme shqiptare në shekullin e 15-të, ashtu si poeti kombëtar Naim Frashëri shpalos faqet e ndritura të Rilindjes Kombëtare në shek.. 19-ë, emri i Ismail Qemalit shpalos në faqet e historisë sonë dhe simbolizon tanimë në ndërgjegjen tonë kombëtare, Shpalljen e pamvarësisë sonë Kombëtare më 28 nëntor 1912.
Ky akt madhor e më i rëndësishmi historik për ekzistencën e shtetit tonë shqiptar nuk erdhi ashtu si rastësisht dhe Ismail Beut i takoi fati i lumtur të jetë i pari i vendit, ashtu siç flitet me keqdashje nga kundërshtarët e tij dhe të kombit shqiptar, por ishte fryt i një pune të gjatë, plot urtësi e largpamësi, diplomatike dhe politike, sidomos me qarqet e Perandorisë Austro-Hungareze dhe atë të mbretërisë italiane të cilat fatmirësisht faktorizuan pozitivisht me qëndrimin e tyre ndaj shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar edhe për arsyen sepse atyre nuk u interesonte krijimi i një shteti të ri, qoftë edhe autonom, me preferenca pro sllave në ballkan. Ishte koha kur Shqipëria jetonte në katër vilajete dhe ishte pjesë e Turqisë, ndaj nuk ekzistonte në kuptueshmërinë e shtetit. Në atë mbledhje historike, më e rëndësishmja e historisë sonë rezistente dhe ekzistente si shtet e si komb, morën pjesë 83 delegatë nga të katër vilajetet të zgjedhur me vota të lira popullore si përfaqësues të tyre në Kuvendin Shtetformues Shqiptar.Bie në sy se këta 83 burra qenë ajka e inteligjencës shqiptare të asaj kohe; 74 me universitet dhe 9 me shkollë të mesme. Rast i rrallë dhe domethënës për kohën në të gjitha parametrat dhe dimensionet e saj.
Ata ishin me shkolla të mbaruara në universitetet e Europës dhe Turqisë me profesione gjithëpërfshirëse jetësore si ; juristë, ekonomistë, ushtarakë, mësues, klerikë, intelektualë me përvojë dhe të domosdoshëm në drejtimin e një shteti. Por bie në sy se ndër delegatët kishte edhe përfaqësues nga të katër komunitetet fetare që ushtronin aktivitetin në katër vilajetet shqiptare dhe ishin anëtarë të senatit dhe qeverisë së parë të kryesuar nga ismail Qemali. Kishte katolikë, muhamedanë, ortodoksë dhe bektashinj. Dhe ky është një mesazh i veçantë dhe i qartë uniteti dhe bashkëjetese shqiptare; nënkryetari i qeverisë qe Dom Nikollë Kaçori dhe kryetar senati Mufti Vehbi Dibra. Pra ishte Shqipëria e të gjithve dhe një prezantim dinjitoz para fuqive të mëdha të kohës e qeverisë së Ismail Qemalit që u shpall më 28 nëtor 1912, pas një udhëtime jashtë e brenda vitit prej dy muajsh , tetor-nëntor 1912 dhe ditën e shpalljes së pavarësisë zhvilloi punimet me shtatë mbledhje historike deri në shatë dhjetor 1912 nën drejtimin e Ismail Bej Vlorës.
Ja kënga që gjetëm dhe sillet si fakt nga qëmtimi i folklorit dhe pikërisht tek libri “Këngë të hidhura”
HASAN SULEJMAN MULLAI
Katër ditë e katër net
Ngjitur Llogorasë përpjetë,
Ati ngjeshur me shalë,
Që kishte Hasan Mullanë.
Erdha o kreu i Shqipërisë,
Jam nga zona e Çamërisë,
Erdha për të thënë di fjalë,
Të mbajmë kombin të gjallë.
Të dalim nga errësira,
Të na gjejnë ditët e mira,
Këto janë fjalët e mia,
Që mi ka thënë Çamëria.
Të lumtë goja more burrë,
Mos të vdektë emri kurrë,
Të gjithë do ta mbrojmë vatanë,
Të huajt këtu vend s’kanë.
Do ta bashkojmë Shqipërinë,
Kosovën me Çamërinë.