
Hajri Hima
(Fier)
Diogjeni, dikur, me një fenër në dorë, nëpër botë të vërtetën kërkonte. Ai iku dhe shkoi, u harrua, por qëllimi i tij dhe filozofia e domethënies pas mbeti, bashkë me cinizmin edhe me ata, cinikët. Ashtu edhe unë sot, këtu në vendin tonë, në Shqipëri, një tjetër të vërtetë të madhe kërkoj, kërkoj njeriun. Cilin njeri? Kërkoj njeriun e truallit tone, atë, mëmëdhetarin. Atdhetarin. Kombëtarin. Luftëtarin. Kërkoj flamurtarin. Njeriun e besës e të ndjesës. Të fjalës së dhënë.
Të veprës. Lindur e rritur në ara, në livadhe, në fshatrat e në qytetet tanë, jo vetëm në Tiranë që, kur jep fjalën, jep djalën. Që e gdhin e ngryset me nënën e babanë, këtu, në vatan. Atë që, kudo që të jetë, popullin e tij ka mbret. Që ia di atij plagët, e shëron. Që ia di gjurmët, nëpër to ai shkon. Kurrë nuk e mohon, kurrë nuk e tradhton. Që, pas i rri, në çdo hap. Qoftë ai president apo qeveritar, administrator, apo e zyrtar, njeriun e popullit ta ketë të parë. Që, kur hallexhiu t’i hyjë në zyrë, ta presë me dorë në zemër, t’i zgjidh çdo shqetësim. Pikërisht ky është njeriu im. Këtë po kërkoj unë përditë, përvite me radhë.
Në botën, që lëviz me ritme të shpejta, mirënjohja e humanizmi mbeten dy nga vlerat më të rëndësishme që i japin kuptim jetës së përgjithshme. Këto vlera,nuk janë thjesht fjalë të bukura,apo mënyrat sesi ne zgjedhim që të jetojmë e të sillemi me njeri-tjetrin. Mirënjohja është aftësi për të vlerësuar, për të çmuar atë që kemi midis nesh, apo përpara, për ato që ai ka bërë e bën për ne edhe për të tjerë, qofshin gjëra të mëdha, qofshin ato edhe të vogla. Një falënderim i sinqertë, një buzëqeshje, qoftë një gjest i thjeshtë mirësie, mund të ndryshojë ditën e dikujt. Njeriu mirenjohës nuk jeton vetëm duke vlerësuar atë që ka arritur, apo atë që i është dhënë; ai e përgjithëson dukurinë tek të tjerët në dobi të njerëzve në nevojë. Kjo e bën atë njeri më të qetë, më koshient që, ndjeshmëria humane të bëhet pjesë e njerëzve tanë të tërësi, veçanërisht të atyre me poste në hierarkinë shtetërore, apo tek biznesmenët e dëgjuar.
Prej kohësh më ka shqetësuar dukuria sociale e mosmirënjohjes, sidomos në këta 35 vjet, kur vendi ynë, pasi trokiti, luftoi, hyri dhe po vijon jetën e demokracisë e të ekonomisë së tregut, përkrah vendeve të tjera fqinje ballkanike, rajonale edhe globale. Shoh me keqardhje se, raportet humane të ndërsjellta tradicionale, si brenda shoqërisë, si jashtë saj, por edhe brenda familjes, janë disekuilibruar. Edhe të vjen shumë keq që, ato janë ulur në këto nivele sociale, janë lëkundur deri në prishje të raporteve në marrëdhëniet burrë-grua, prindër e fëmijë, deri edhe midis vet njerëzve, të cilat po shihen vetëm si marrëdhënie interesash. Kjo dukuri sociale ka marrë një panoramë regresive, është mjaft tronditëse. Në emisione të ndryshme, të cilat transmetohen në kanale e televizione, ne shikojmë e dëgjojmë për ngjarje e ndodhi në lidhje me pronat, me braktisjen e prindërve nga fëmijët, apo edhe e kundërta, e braktisjes së fëmijëve nga prindërit e divorcuar.Këto si ngjarje, përhapur gjithandej si metastaza kanceroze sociale, janë bërë shumë të rrezikshme për normalitetin e shoqërisë shqiptare në tërësi sot. Kjo gjë e rrezikon seriozisht ardhmërinë tone si shoqëri, si familje deri edhe si komb. Në këtë mes, mungesa e mirënjohjes si dukuri dhe si rregullator reciprok psiko-human, flet në të mirë të një shoqërie që gërryhet brendapërbrenda, që është në degradim, apo dhe që po rrëshqet nga sensibiliteti e ndjeshmëria morale.
Në këtë diversitet mendimesh dhe konceptesh, ai që merr një të mirë, një favor, atë ta kujtojë e ta vlerësojë, ta përgjithësojë kudo, sepse e rrit dhe e forcon frymën e dashamirësisë e të pozitivitetit shoqëror. Ndërsa ai, që e jep bamirësinë, për hir të së përgjithmes,atë duhet ta harrojë se, ndryshe sensibilizon egoizmin. Një shprehje e urtë nënvizon:”Mosmirënjohësi edhe tokës i rëndon”. “Mirënjohja është vlerë”, theksonte i madhi Dritëro Agolli. Me një fjalë, mirënjohja si vlerë, e marrë në tërësinë e vet komplekse-pozitive, e lartëson njeriun, e zbukuron atë. E mira nga askush nuk harrohet, si e tillë, ajo përcjellë veç ngrohtësi humane në të gjitha rrafshet e jetës shoqërore dhe atë njerëzore. Njeriu ndjen një vlerësim nga mirënjohja, ai bëhet gati për të tjera vepra bamirësie në dobi të njerëzve në tërësi, deri edhe në individë në vaçanti. E, ndërsa mendojmë kështu, sjellim si përballje traditën e mirë që nga lashtësia deri në ditët tona. E, kësisoj, të vjen keq nga ftohtësia e degradiviteti që po pëson kjo vlerë-perlë e shoqërisë sonë. Në emër të humanizmit, njerëzit kanë shënuar faqe sacrifice e lavdie kudo e kurdoherë. Ndërsa ne po paraqesim vlerat humane dhe rrjedhojat në të mirë të shoqërisë sonë e familes kombëtare, nuk ndjehemi të motivuar, madje, na vjen shumë keq kur, në këto 35 vitet të jetës së re demokratike në vendin tonë, ne shohim venitje ndaj mirënjohjes, mirësisë dhe humanizmit si vlerë e spikatur njerëzore. Sikur njerëzit tanë po ftohen e largohen të heshtur nga njeri-tjetri e po rendin pas parasë, pas fitimit e pasurimit, pas korrupsionit. Kështu që, mirënjohjen e solidaritetin human, po e harrojnë. Sami Frashëri na e shikon mirënjohjen një vyrtyt qytetarie. Ndërsa mosmirënjohjen ai e shikon si mungesë kulture edhe morali. Njeriu i ndershëm nuk e harron kurrë të mirën që i bëhet.
Mosmirënjohja më shumë bie në sy tek krerët e politikës, tek politikanët, veçanërisht tek deputet të ndryshëm dhe tek kryetarët e Bashkive, tek ministrat, drejtorët e drejtorve edhe, në vazhdim, deri më poshtë, tek administrata, nëpër zyra edhe zyrtarë të ndryshëm. Këta “zotërinj”, “zonja” apo e “zonjushe”, me t’u ulur nëpër karriget e nëpër postet etyre, harrojnë se kush i shpuri atje; as që nuk duan t’ia dinë fare më për zgjedhësit e tyre, madje as edhe për mbarë popullin. Marim një rast të tillë. Një deputet, kur shkon në fushatën elektorale, si kandidat, për t’u votuar, ku nuk vete e ku nuk shkon? Shtëpi më shtëpi e portë më portë, njerëzve votat u kërkon. Sillet me ata tërë gaz e plot me dashuri, me respekt e me dhembsuri por, ama, pasi në votime, ai atyre u mer votat, menjëherë ndryshon. Ndrydhet. Ai fiket. Mblidhet. Ftohet me ta. Largohet. As telefonin nuk ua hap.
“Hëngra bukën e të përmbysa kupën”, i thotë populli kësaj dukurie. Ja, a nuk është ko sjellje e tyre një dukuri mosmirënjohëse? E tëra dhe e bëra. Një rast tjetër konkret. Po jap një shëmbull të një qytetari nga Fieri, gjatë fushatës së zgjedhjeve të vitit 2025, në muajin maj. Ky, qytetari “B”, ndihmoi shumë, pa u lodhur aspak. Natë-ditë në fushatë. Gjendej mes shtabit elektoral. Me kandidatin për deputet takohej dy-tri herë në javë, për dy muaj rresht. Si fitoi zgjedhjet, deputeti, nuk po ia them emrin, por nëse duhet, edhe ia them publikisht. Mbas disa muajve në Fier bëhet një aktivitet. Deputeti në fjalë, me qytetarin ballëpërballë. Kur e shikon, i jep majat e gishtrinjve: “Nuk më kujtohesh!”, i thotë me një cinizëm të pashoq. Tjetri i nxjerr celularin edhe e vë përballë fotove, kur kishin dalë bashkë gjatë fushatës,“Po, tani më kujtohesh”, i tha i tëhequr, vetullvërejtur.
Me rastin e Vitin e Ri, qytetari i bën një mesazh urimi “zotërisë”: “I nderuari zoti deputet…”. Ai, as që denjoi t’i kthente përgjigjen. Për të tretën herë, po ky qytetar, kur një ditë rastisi e ndodhej në Tiranë, për punët e tija, i bën një tjetër mesazh deputetit, e ftonte atë për një kafe. “Thjesht të pimë një kafe për respektin tonë, nuk kam asnjë interes edhe asnjë hall”. Ja qytetari, një nëpunës me plot kulturë, dilte në pension, kishte shumë dëshirë që të pinte një kafe me të zgjedhurin. Dhe… ja, ky ishte edhe “deputeti që duam”. Të kësaj vije sjelljeve, akoma edhe më keq, janë kryetarët e Bashkive. Njerëz mosmirënjohës. Qofshin meshkujt, qofshin e femrat.
Sapo marrin mandatin në xhep, të harrojnë, Rexhep, nuk të flasin më me gojë, të mbyllin dhe atë telefon. Për kuriozitet,një Kryetar Bashkie, kur vjen në mëngjes me makinën e tij në Bashki, sapo zbret nga mjeti vë telefonin në vesh, gjoja sikur po bisedon me dikë. Pse? Që aty, para Bashkisë, të mos e kapi ndonjë qytetar hallexhi, ta mënjanojë. Këta “kryetarë” s’na duhen më sot, qytetarët u duken si zogj, këta nuk ia vlejnë, janë fare kot. Kjo është sot për sot mosmirënjohja. E këtyre mendjelehtëve plotitikanë e zyrtarë, që duan sa, “Të kaloj lumin, të d…kalin”. Këta e zhvlerësojnë politikën e vërtetë dhe mirënjohjen, i bëjnë ato të pamoralshme, mosmirënjohëse, e ndajnë nga populli. Në fund të fundit këto pelivanllëqe të një politikani, administratori, apo edhe të një zyrtari të zakonshëm, janë abuzim i atij me detyrën, që i është besuar, ndaj këta lipset që, të kalojnë në sitën e disiplinës e të drejtësisë. Sa herë kemi parë që biznesmenë të ndryshëm, me zemër të madhe, me botë të gjerë, me besim ndaj Zotit, u vijnë në ndihmë të vobektëve e njerëzve me nevoja të ndryshme, deri edhe u ndërtojnë apo u dhurojnë atyre shtëpi, sa mirënmjohës ne jemi të gjithë për ta. Por, nga ana tjetër, sa të vegjël duken këta politikanë dhe producentë telëvizivë që, kurrën e kurrës nuk e vunë njëherë të vetme dorën në xhep, megjithëse kanë aq shumë para sa, as vetë nuk e dinë sesa! Ja sesi mirënjohja dhe bamirësia lulëzojnë midis njerëzve, midis nesh, si ajo degëza e mollës në pranverë. Jam dhe unë bashkë me mendimin e shumicës së mendimtarëve se, mirënjohja është mëma e të gjtitha vyrtyteve.
HUMANIZMI, RESPEKTI DHE DASHURIA PËR NJERËZIT
ËSHTË THELBI I MARRËDHËNIEVE NË SHOQËRI
Ky humanizëm shfaqet në respektin ndaj njeri-tjetrit, në ndihmën pa interes, në mirëkuptimin dhe në durimin që njerëzit tregonë në situata të ndryshme. Një njeri human, njerëzor, nuk gjykon përciptas, ai përpiqet të hyjë thellë. Ai, në jetën e përditshme, në punë e në shoqëri, nuk jepet vetëm pas interesit personal, atë e sheh brenda interesit shoqëror, ndaj nuk kursehet dhe i gjendet pranë një tjetri, që është në një situatë mjerimi apo dëshpërimi. E kundërta e humanizmit, është individualizmi. Egoizmi. Mosmirënjohja. Ky është thikë mbi humanizmin, e zbeh atë, e dobëson, e injoron. Në çdo kohë humanizmi e mirënjohja ndaj tij, janë të qenësishme, të jetësishme e të domosdoshme. Por, në sistemin e demokracisë e të ekonomisë së tregut, këto si dy vlera njerëzore janë më shumë se kurrë të domosdoshme. Jetike. Fisnike.
Mirënjohja, që është shprehja më adekuate e humanizmit, forcon lidhjet mes njerëzve, lulëzon e forcon mjedisin njerëzor. Në fund të fundit, nuk janë pasuria apo vetëm suksesi ato që, e bëjnë një njeri të madh, por është mënyra sesi ai qendron në raport me njerëzit e shoqërinë, sesi i ka marrëdhëniet me ta. Një shoqëri e ndërtuar mbi reciprocitetin e ndërsjelltë, mbi bazën e të cilave qendron mirënjohja dhe humanizmi, atëherë ajo shoqëri është e konsoluduar, është e fortë. Njerëzit janë për njeri-tjetrin. Mbi këtë bazë edhe e ardhmja jonë shqiptare qendron në duart tona, jo duke bërë lojrë fjalësh, apo duke bërë retorikë boshe, por duke mbajtur fjalën.
Vetëm kështu humanizmi forcohet, fryma e mirëkuptimit dhe e mbështetjes reciproke-njerëzore është më e dukshme, më prezente, më e prekshme, e ardhmja më e sigurt. Me ardhjen e demokracisë, shpresuam që, humanizmi të arrinte në një nivel më të lartë, por kjo gjë nuk ndodhi dhe, as nuk po ndodh. Midis njerëzve, ka një luftë të heshtur e tinzare vetëm për t’u pasuruar, qoftë edhe me mënyra korruptive, antiligjore, antimorale edhe antihumane.
Mes njerëzve tanë ka edhe mjaft individë që, humanizmin e tyre, sa herë që lipset, e vënë në dispozicion të njerëzve. Të tillë janë shumë afaristë, biznesmenë, tregtarë apo edhe të tjerë. Nuk janë të rralla rastet që të tillë njerëz e shprehin humanizmin e tyre duke ndihmuar të vobektët, të sëmurët, pleqtë e vetmuar, u lidhin pensione të pamundurve, u adresojnë ndihma në ushqime, në veshmbathje e tjera. Këto janë shfaqje të mirëfillta të humanizmit. Por, në një plan tjetër të bie në sy se, politikanë me emër, në dukje me pasuri përrallore, të shumta e të mëdha, midis tyre të bjenë në sy kryepolitikanët e vendit, drejtuesit e Bashkive, drejtorë ndërmarrjesh, zyrtarë e me radhe, apo moderatorët televizive e producentët emërmëdhenj, por edhe aq zemërvegjël, që kurrë nuk e vunë njëherë dorën në xhepin e tyre, për të dhuruar e ndihmuar fatkeqët në vendin tonë, të sëmurët e njerëzit e vetmuar, të tregohen humanë pra, njerëzorë. Të vjen keq, sidomos sot, në demokracinë tone, që nuk është më aq e brishtë, të ketë njerëz aq të pasur, me mënyrat nga më të dyshimta e korruptive, antiligjore dhe, nga ana tjetër të jenë aq zemërngushtë, ndaj shtresave të margjinalizuara. Dy vjet, pasi ishte çliruar Shqipëria, kur grekët përzunë çamët nga trojet e tyre, populli ynë, i varfër, por bujar i madh e zemërgjerë, i pranoi në gjirin e tij vëllezërit, i mbështeti edhe i ndihmoi me gjithë atë varfëri që ne kishim. Në fshatin tim të lindjes, në Hingë, pranë Urës së Kuçit, erdhi një familje çame për të banuar mes nesh. Fshatarët e Hingës, për mbi një muaj e mbajtën atë familje sikur vëllezërit e tyre. U bashkuan i madh e i vogël në fshat, asaj familjeje i ndërtuan shtëpinë, ku ata të fusnin kokën. Ja, ky është njerëzillëk, është humanizëm dhe, nga ana tjetër, ajo familje deri edhe më sot e kësaj dite i është mirënjohëse fshatit të Hingës.
Kryefamiljari i tyre, i asaj familjeje çame, mjaft i moshuar, u la amanet gjthë famijes që, sido që të vinin punët, ata si familje, nuk do t’i shkëpusnin kurrë marrëdhëniet e lidhjet e ngushta më tërë fshatin e Hingës. Kur, mbas disa viteve, ajo familje, transferohet në qytetin e Beratit, megjithatë asnjëherë nuk e harroi mirënjohjen, edhe sot e kësaj dite, marrëdhëniet e kontaktet me fshatin nuk i ndërprenë. Një nga djemtë e asaj familjeje çame mbaroi shkollën, u diplomua mësues. Ai, në shenjë mirënjohjeje ndaj fshatit që i priti, që u hapi dyert dhe i strehoi, u kërkoi drejtuesve të arsimit në rreth që, ta emëronin mësues në fshtin e tij, ashtu e quante ai Hingën. Ashtu si fshati i priti me bujari dikur, ai tani, do t’i mësonte edhe edukonte fëmijët. A ka më të bukur shembull mirënjohjeje sesa aq? Ja ky është humanizmi, është njerzillëku, është mirënjohja. Ndërsa flasim, shkruajme e sjellin plot raste të humanizmit e të sjelljes njerëzore reciproke midis njerëzve, sjellin edhe mjaft raste të mirënjohjes, na vjen keq kur ende vërehen shfaqje të mosmirënjohjes. Për të ilustruar këtë rast, po sjell shembullin e njërës nga mësueset më me emër të qytetit të Fierit, bijë e njerit nga personalitetet e dëgjuar, drejtues të arsimit në qytetin e Fierit, e goditur nga një semunde e rëndë, pas vdekjes së të dy prindërve, ajo mbeti e mjerë nëpër rrugët e qytetit, ku shihet edhe sot e kësaj dite. Lind pyetja: Ku është mirënjohja për atë familje dinjitoze fierake? Ku është humanzmi i pushtetarëve bashkiakë? Si ky rast, ka edhe raste të tjera, për të cilët “kopetentët”, e qytetit, rrogëtarët, pushtetarët e zyrtarët, duhet të reagojnë në kohë, duke i vendosur gjerat në vendin e tyre, kështu tregohet respekti, njerëzillëku, mirënjohja dhe humanizmi.
Të tregojnë aftësinë e tyre për t’u shërbyuer atyre që i votuan, që i besuan, votuesve. Ështe në nderin e pushtetarëve që, t’u kthejnë nderin votuesve të tyre, t’u shprehin kështu mirënjohjen dhe humanizmin që, ndaj tyre e kanë edhe për detyrë, se në fund të fundit, ata paguhen nga taksapaguesit e qytetit të tyre. Ndaj, ku nuk shkoj me mendimet e me krahët e mendjes sime? Endem. Po kërkoj njeriun e vërtetë, ashtu si dikur Diogjeni me fener në dorë, shekuj më pare, kërkonte të drejtën, të vërtetën. Vazhdoj edhe sot unë njeriun të kërkoj
Me konsideratë,
Hajri Hima
Fier, maj 2026 ,