Migel Flor
KALENDAR I MËKATEVE
Janar…
Një nokturn i ftohtë
mbuloi me borë mushkëritë e shpirtit
lutja u plevitos
në majë të veshëve
Shkurt…
E ardhmja u pre
degë nën akull
Njerëzit pinin verë
të harronin urinë
Mars…
Marrëzia çeli lulet e ferrit
U mboll urrejtje
dhe mbi dhe
mbinë flamuj qorrë..
Prill…
Pritja u bë sëmundje
Durimi
qiri i lagur
Ahu u rënkua nga të pandjeshmit
Maj…
Pemët u majosën herët
frutat
mbetën jetimë në degë
puthjet
kishin shije pesticide
Qershor…
Qershia nuk këputej më me buzë
por me çmime tregu
Dashuria u shit
me kilogramë malli
Korrik…
Korrjet bëheshin larg
ndërsa fshatrat
hanin bukë thekre
Djersa nuk vlente
sa një reklamë
Gusht…
Dasmat ngritën ahengun e tersit
Krushqit kërcenin
mbi varret e divorcit..
të dehur
Shtator…
Shtatë ëndrra
u këputën në bankat e mësimit
Fëmijët mësonin datat
por jo historinë
Tetor…
Tetat mbetën notat më të larta
të një vjeshte mediokre
edhe gjethet
kushin turp të binin…
Nëntor…
Dimri mori erë myku e stuhie
Atdheu im vishej me flamuj
dhe zbathte njerëzit
Dhjetor…
Një Baba Dimër i lodhur
hapi gropën e Vitit të ri
Unë mbas të vërtetave që guxova të them
pas dymbëdhjetë muajsh të mëkateve tuaja
mbeta jashtë
tabelave të nderit .