



Botohet “I venti del destino”, shkruar nga Hasan Kurti. Përkthimi nga Irma Kurti
Botohet në Itali “I venti del destino” (Erërat e Fatit) me autor Hasan Kurtin. Vepra përmban aforizma të përkthyera nga Irma Kurti. Për imazhin e kopertinës u kujdes fotografi Biagio Fortini. Në parathënien e librit, përkthyesja shkruan: “Erërat e Fatit është një përmbledhje e re me citime dhe aforizma nga ditari i babait tim Hasan Kurti, mjek dhe shkrimtar. Çdo shkronjë, çdo fjalë dhe frazë mishëron përvojën e tij jetësore, dhembjen dhe gëzimin që e shoqëruan në çdo hap, luftën për të gjetur gëzimin mes lotëve. Fjalët e tij janë një busull në udhëtimin e mundimshëm njerëzor.”
“I venti del destino” është një edicion i ri pas botimeve “L’arrivo di una nuova stagione”, botuar nga Youcanprint, 2024 dhe “Ardhja e një stine te re”, 2025. Ai është një thesar kujtimesh të çmuara, ku çdo faqe ofron një dritare në shpirtin e një mjeku që ia përkushtoi jetën njerëzve, duke punuar me përulësi dhe përkushtim. Aforizmat nuk janë vetëm reflektime mbi jetën dhe sfidat e saj, por edhe leksione të rëndësishme për realizimin e ëndrrave dhe ndjekjen e lumturisë. Në frazat e autorit Hasan Kurti, ndihet forca e një individi i cili, la gjurmë të pashlyeshme tek të gjithë ata që e njohën nga afër. Libri është një ftesë për të reflektuar, për të mësuar dhe për të gjetur frymëzimin në guximin dhe mirësinë që karakterizuan jetën dhe veprën e tij.
Aforizmat, të nxjerra me dashuri nga faqet e një ditari personal, ofrojnë një vështrim intim, por edhe mësime të çmuara që prekin aspektet më të thella të jetës së përditshme. Përmes shprehjeve lakonike dhe të fuqishme, autori ndan reflektime mbi momente të rëndësishme që shndërrohen në sfida të jetës. Libri frymëzon për të parë përtej vështirësive me zemër të hapur dhe me mendje të kthjellët.
HASAN KURTI ishte një mjek dhe shkrimtar shqiptar. Ai lindi në qytetin e Elbasanit. Megjithë kushtet ekstreme të varfërisë, arrin të realizojë ëndrrën e tij për t’u bërë mjek duke punuar me pasion, përgjegjësi dhe përkushtim. Në 2006 shpërngulet së bashku me të shoqen në Itali, pranë vajzave. Mbylli sytë përgjithmonë në 19 prill 2018 në Bergamo të Italisë.
Hasan Kurti ishte një lexues i apasionuar i letërsisë klasike dhe moderne duke ia përcjellë këtë dëshirë së bijës, poetes dhe shkrimtares Irma Kurti. Pas vdekjes së gruas, Sherife Mezini Kurti, ai i dedikohet dorëshkrimit të jetës dhe kujtimeve të punës si mjek. Fragmente nga ditaret e tij janë botuar në 10 libra në gjuhën shqipe, italiane, angleze dhe franceze në Shqipëri, Kosovë, Itali, Filipine dhe Kamerun.
Hasan Kurti është nderuar me çmime dhe vlerësime të ndryshme. Libri I ricordi di un medico, me bashkautore Irma Kurti, i botuar nga shtëpia botuese Kimerik u shpall si një nga 200 librat më të bukur në Itali, i përzgjedhur midis 600 veprave në Konkursin Kombëtar Letrar “Tre colori” në Lenola (Latina) në vitin 2021. Fragments from a doctor’s diary u shpall si libri më i mirë në konkursin e organizuar nga Poetry Planet Book dhe Çmimet Ophir të akredituara nga Departamenti i Arsimit në Filipine në Seksionin e Poezive të shkurtra dhe Citimeve, në 2022.
Libri në gjuhën italiane “Kujtimet e një mjeku” u vlerësua gjithashtu me çmimin e tretë në Konkursin Ndërkombëtar Letrar “Universum Academy”, organizuar nga Akademia Ndërkombëtare Universum në Lugano, Zvicër, 2022.
Hasan Kurti nderohet pas vdekjes me Çmimin Letrar Naji Naaman, 2024, në Liban.