Dhimbja dhe vdekja e pylltarëve dhe e… Dr. Selman Meziu

  
Dr. Selman Meziu


Pishnajat 80-100-vjeçare po shkulen me rrënjë ose po shkrumbohen në hi. Ne në mes xhelatëve, hienave dhe qenieve shekullore që kërkojnë mbrojtjen tonë.

Nuk dua nga lexuesit e çfarëdo profesioni të diturohen me një shaka. Nuk dua që ata të zhgënjehen. Nuk dua që ata të lotojnë nga katastrofat e të sotmes dhe lotët krua rudinash e vuajtjesh përgjakëse të së ardhmes. Dua të më besojnë. Dua që ne pylltarët të rizgjohemi, të mobilizohemi, të krijojmë ortekun popullor të emancipuar të vlerave të arit të gjelbër. Dua që pylli, natyra dhe toka të mbeten të shenjta brenda nesh, brenda shpirtit e zemrave, brenda mishit e gjakut tonë. Për të arritur gjer këtu duhen shoqëruar domosdoshmërisht me veprime praktike. Ndryshe, hidrocentralet e Valbonës, të Zall Gjoçës, të Skavicës ende në projekt, dhe vetë Gjiri i Lalëzit, Zverneci e Pishë Poro, të vëna në tehun e mprehtë të shpatës së tragjedisë mjedisore dhe të krimit të organizuar, do të na zhdukin si komb e popull, pa u ndjerë, me sot dhe nesër. Nuk është fantazi zhylverniane.

Politikëbërësit e zbatuesit mbi tokën e natyrën shqiptare, po saharizojnë natyrën. Ata nuk pyesin njeri, specialist, pylltar apo shkencëtar. Thika e tyre me dy presa, po ngulet thellë në truallin shqiptar, duke shkaktuar plagë të pashërueshme. Zjarret, motosharrat, skavatorët dhe gjoja “investitorët strategjikë” po zhdukin pyjet e mbjella, bashkëshoqërimet e natyrës, po shesin me një lek truallin, pronë e çdo fshatari, malësori. Ata kanë qëllimin e afërt e të largët, boshatisjen, zbrazjen e trojeve qindra mijëravjeçare nga shqiptarët vendas, kolonizimin me jugaziatikas e afrikanë, së fundi edhe rusë e bullgarë. Dhe ajo po ndodh nën hundët tona. Fatkeqësisht! Kjo po e bren përbrenda Shqipërinë si krimbat brenda trungut të drurit të pyllit. Kuptojeni, pastaj vjen rrëzimi i tij, kalbëzimi bashkë me zemrën e miellëzuar. Kujdes! Jini vigjilentë! Lufta e nëndheshme vazhdon.

Shqipëria në rrezik. Pylltarët në gjumë letargjik në shtratin e grahmave të fundit.

Mjaft pylltarë, shkencëtarë, profesorë, inxhinierë, teknikë pyjesh, kanë shkruar, kanë folur e protestuar se tajfunet e shkatërrimit të natyrës, pyjeve e rrjedhjes së natyrshme të përrenjve e lumenjve po vrapojnë shumë. Mirëpo lufta është stepur, ndaluar këtu. Ajo pothuajse është shuar. Pylltarët e moshuar e të rinj kanë “vdekur”.

Prandaj politikanët livadhisin pa kërpesh, pa frena. Sa vjen e nga Thethi, në pyjet e Pukës, nga Dibra e Martaneshi, nga lugina e Shkumbinit dhe Divjaka, nga Zverneci, Pishporo e deri në Butrint.

Ne nuk po bashkohemi, jo më me protestues, as në korin e gazetave e blogeve të shumta, as në korin fesbukian. Lëre pastaj marrjen pjesë në konferencat e Akademisë së Shkencave, nga të cilat i jemi larguar mijëra kilometra. Pishnajat 80-100-vjeçare po shkulen me rrënjë ose po shkrumbohen në hi. Ne jemi në mes xhelatëve, hienave dhe qenieve shekullore që kërkojnë mbrojtjen tonë. Sigurisht të ngrirë, të mumëzuar, të pashpirt e pa energji, pa guxim e shpirtmirësi.

Ku janë inxhinierët me doktoratura e profesorë të moshës së parë e të dytë? Përse nuk ndihen profesorët e doktorët e Fakultetit të Shkencave Pyjore së paku në auditorët e shkencëtarëve? Apo nuk po jua marrin kafshatën nga goja? Përse vallë ne dimë të shkruajmë justifikimin shekullor se për politikanët: “Pyjet janë vrima e fundit e kavallit?”

Përgjigjja është se ne “kemi vdekur”, jo biologjikisht, por mendërisht, shkencërisht, praktikisht, si dhe në veprime konkrete organizimi, tubimi e referimi temash shkencore. Na është shkërmoqur dashuria e pasioni për arin e gjelbër. Na është fshirë nga truri çdo fjalë e shkronjë e librave mësimorë të profesionit. Është bërë shkrumb e hi ideologjia, filozofia e shkenca e pyjeve. Shembujt e kësaj heshtjeje varri e këtij çmobilizimi teoriko-shkencor ndriçojnë si dielli që ne kemi braktisur auditorët e gjelbërt, ne kemi humbur ortakërinë me shkencat si motra të mjedisit natyror, qytetar me silvikulturën e ekologjinë si shkencë etj.

Për të kuptuar sadopak ku kemi precipituar, po japim dy fakte kuptimplota. Lexojmë: “Më 29 prill 2026 u zhvillua tryeza shkencore me temën ‘Përmbytjet – Shkaqet dhe masat për parandalimin e tyre’, e organizuar nga Njësia e Përkohshme e Kërkimeve Gjeografike, Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.” Referoi një temë shkencore vetëm doktor Abdulla Diku. Kur pyjet luajnë rolin kryesor në ndalimin e këtyre katastrofave ose, të kundërtën, kur zhduken. Pylltarët e dinë mirë. Por ja që kanë mbetur vëzhgues indiferentë e të pashpirt, pa vullnet e iniciativë shkencore e organizuese.


Dhe ja ngjarja e dytë më trishtuese për lajmin e kobshëm që pylltarët shqiptarë “nuk jetojnë më”, ndoshta vetëm marrin frymë duke konsumuar oksigjenin që prodhojnë pyjet e mbetura. Lexojmë:

“Sot, më 28 maj 2026, ka nisur punimet konferenca e III-të ndërkombëtare shkencore dyditore me temë: ‘Uji si burim i energjisë dhe mbrojtja e mjedisit: Balanca drejt së ardhmes së qëndrueshme’.”

Dhe lexojmë cili institucion e ka organizuar:

“Njësia kërkimore-shkencore ‘Pasuritë Ujore’ pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është krijuar në maj të vitit 2023.

Kjo njësi, e cila funksionon në kuadër të Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike, është ngritur për të forcuar kontributin e kërkimit shkencor në administrimin, monitorimin dhe menaxhimin e integruar të ujërave në Shqipëri. Ajo drejtohet nga akademik Besnik Baraj...”

Asnjë pylltar pjesëmarrës, qoftë i thjeshtë apo me tituj profesor e doktor, referues ose së paku vëzhgues.

Më shkruani se ne nuk paskemi “vdekur”, më shkruani se ne vetëm thithim oksigjenin dhe, sigurisht, jemi kthyer në parazitë ose frikacakë. Gjithashtu se shkencat e pyjeve janë shuar si materie diturish.

Dhe më tej kthjellojmë: “Krijohet në maj 2023 Njësia kërkimore-shkencore ‘Pasuritë Ujore’ pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”, kurse pyjet as i përmend “artileria” e propagandës, as institucionet shkencore. Ndërsa ato politike vetëm i rrënojnë, i zhdukin, i shesin, i kolonizojnë para syve tanë pa pikë përgjegjësie për sot dhe nesër.

Po ku?

“Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga INSTAT, fondi pyjor dhe kullosor i Shqipërisë shtrihet në një sipërfaqe prej 1.731.891 hektarësh, duke zënë rreth 60,2% të territorit të vendit. Vetëm sipërfaqja e mbuluar drejtpërdrejt nga pyjet përbën rreth 1,05 milionë hektarë (afërsisht 36,6% e vendit).”

Dhe për ta kuptuar ju, lexues i thjeshtë sot dhe pas një shekulli, pylltarët e ardhshëm:

Ekosistemet pyjore, pyjet e pellgjeve ujëmbledhëse të hidrocentraleve, liqeneve natyrale, rezervuarëve, përrenjve, lumenjve dhe ligatinat sigurojnë 75% të burimeve të ujërave të ëmbla.
Gjithashtu, duke “gërmuar” më tej, afërsisht 1/3 e qyteteve më të mëdha në botë e sigurojnë një pjesë të mirë të ujit të pijshëm nga zonat pyjore me status të mbrojtur, parqet ose kurorat e gjelbërta të qyteteve.
Ndryshimet e theksuara klimatike, ngrohja globale, kanë sjellë shqetësimin e ligjshëm se 8 nga 10 njerëz ndëshkohen, vuajnë nga kërcënimet e sigurimit të ujit të pijshëm.
Pjesët mbitokësore e nëntokësore të pyjeve shërbejnë si një filtër i fuqishëm natyror i ujërave, duke siguruar cilësinë dhe sasinë e domosdoshme për jetesë.

Duke gjykuar sa më sipër, që faktikisht, materialisht, shkencërisht nuk kemi bërë asgjë, lind pyetja e thjeshtë: Po ndonjë takim me Akademikun Besnik Baraj për bisedë pune, pse jo shoqërore, pse jo duke i shtruar problemet e pylltarisë shqiptare? Askushi. Pa hyrë më thellë për iniciativa më të guximshme, apo përçapje të vogla në institucione udhëheqëse e ligjvënëse.

Atëherë, pylltarë të nderuar, ju që punoni pranë botës së madhërishme të pyjeve që po zvogëlohen nga kriminelët e organizuar, nga brigjet e Adriatikut në Majën e Hekurave, edhe ju shkencëtarë e profesorë, si duhet ta konsiderojmë këtë situatë sa tragjike aq edhe vetëasgjësuese për të gjithë ne? Natyra e virgjër, nga brigjet e Jonit e Adriatikut e deri në Jezercë, duhet të konsiderohet pasuria më e madhe kombëtare në shërbim të brezave të sotëm e të nesërm. Mjerisht, po ndodh ajo që quhet “KATASTROFË EKOLOGJIKE”, e ndjekur nga ajo njerëzore.







Fotografite ne Lure Maji 2026 foto Xhelil Cibaku.

31. 05. 2026.