Poezia e Valeriu Stancu-t lëviz ndërmjet vizionit dhe marramendjes së brendshme, ndërmjet trupit dhe metafizikës, duke përshkuar territoret e kujtesës, hijes dhe qenies. Shkrimi i tij lind nga një tension i thellë, nga një ngulmim shprehës që e shndërron gjuhën në materie të gjallë, mishërore dhe ëndërrimtare.
Siç shkruan Dante Maffia në parathënie:
(vijon citimi).
“Kërkesa e Valeriu Stancut është para së gjithash ajo e të kuptuarit të funksionit të poezisë, e kësaj force rrëmbyese që i buron nga poret, nga mishi, nga gjaku, nga mendimi, nga seksualiteti; ja pse është Natë në vetën e parë, natë që ka trama të ndërlikuara që e udhëheqin përtej kufijve të së dukshmes (…). Imazhe që nuk janë gjetje, mjete stilistike apo efekte, por substancë e një onirizmi që ka nevojë për të vërteta absolute (…), magjinë e metamorfizimeve të pandërprera që e përmbysin të dukshmen dhe e zhveshin, duke e çuar drejt esencës së saj.”
(Nga parathënia e Dante Maffias)
Valeriu Stancu – Profil biografik
Poet, prozator, eseist, botues dhe përkthyes, Valeriu Stancu lindi më 27 gusht 1950 në Iași, Rumani, ku jeton dhe punon. Studioi filologji, me specializim në gjuhë dhe letërsi frënge, duke u diplomuar me një tezë kushtuar Bacovia-s dhe Rimbaud-it.
Autor i mbi tridhjetë librave në Rumani – poezi, poezi në prozë, romane, tregime, ese, intervista dhe shënime udhëtimi – ai ka botuar edhe jashtë vendit, në Belgjikë, Francë, Gjermani, Moldavi, Meksikë, Kanada dhe Itali.
Vepra e tij është përkthyer në shumë gjuhë, ndër të cilat frëngjishtja, anglishtja, italishtja, gjermanishtja, spanjishtja, katalanishtja, rusishtja, arabishtja, shqipja, japonishtja, kroatishtja etj. Poezitë e tij janë përfshirë në antologji dhe revista letrare ndërkombëtare.
Ka marrë pjesë në festivale ndërkombëtare të poezisë në shumë vende të botës, si Belgjika, Franca, Gjermania, Kolumbia, Kuba, Vietnami, Egjipti, Nikaragua dhe Algjeria.
Aktualisht është drejtor i shtëpisë botuese Cronedit, kryeredaktor i revistës “Cronica” dhe drejtor i Festivalit Ndërkombëtar “Europoesia”.
Për krijimtarinë dhe aktivitetin kulturor është vlerësuar me çmime të shumta, ndër të cilat “Lucian Blaga”, “George Bacovia”, “Liviu Rebreanu”, “Naji Naaman”, “Capo Circeo”, si dhe me titullin “Kalorës i Letërsisë” dhe “Oficer i Meritës Kulturore”.
Ajsberg drite, heshtja
Mbaj nën qepallë një varrezë vese.
Shenjtëri e tejdukshme e lotëve të gdhendur në mishin
e heshtjes dhe në petkun e vdekjes. Prag i pafuqisë,
mendimi paloset brenda vetes duke shkëmbyer yje të flijuara.
Ajsberg drite, heshtja. Mbaj nën
qepallë një varrezë vese. Por nata
është tepër e gjatë dhe e shoh si të ishte vdekja. Më
duket e ngjashme me një që e kisha jetuar më parë, duke rrëshqitur
në një varrezë vese. Një vdekje që e dija
përmendësh: flijimi i poezisë. «Që sot
gjithçka shuhet në mua / dhe të gjitha rrjedhin gjak
brenda meje / I gjalli i vetmuar i natës / Nuk mund
të më ndriçojë.» Turrë petalesh, çasti
më shqyen nga kryqi i fatit. Topi
i kthimit – simbol i mbytur nga misteri i mitit të vet.
Ajsberg drite, heshtja.
Përmasat e (pa)riparueshme ndajnë ëndrrën. Dhe
dëshirën. Edhe mendimin. Dhe e vetmja e vërtetë që
del nga buzët e statujave. I gjori klloun!
Mbaj nën qepallë një varrezë vese.
Këngë telurike
(primitive, fillestare)
Nënë,
E burgosura me vdekjen,
Përse ngashëron akoma
Në tendën e mitrës
Vreri i shpresës?
Në hijen e purpurt
Vetëm një ulërimë më ka mbetur,
E lidhur në gjemba.
Vetëm një hap, plaga — vetëm një hap
Në pusin e errët të vetvetes.
Vetëm një reflektim
I mbështjellë në hijen e purpurt.
Vetëm një shpirt
Për të vuajtur.
Vetëm një rimë
Që nuk e kam shkruar.
Vetëm një vdekje,
Një vdekje e vetme.
I humbur në kodrinën e lotëve
Vrapoj drejt teje, kodrinë e lotëve,
Për t’u freskuar.
Balli digjet
Me breshëri zjarresh
Në brendësi të mërgimit.
Engjëlli i ferrit tenton
Në natën time të parë.
Autoportret me blasfemi (mallkim)
Perlat e tymosura kujtojnë
modelet dhe çastet.
Ndërsa ishin flakë,
Flakë e rërë,
Mish e guaskë,
Zëra dhe lotë,
Trishtim dhe pasion,
Flakë dhe plagë,
Mendim dhe fjalë.
Mallkimi lind nga pafuqia.
Ngjyra perandori, studio e kuqe.
Plaga e iluzioneve
Gjurmë drite – muzg kacavirës,
Gjurmë drite – djep lëkundjesh,
Gjurmë drite – rrotullohet në heshtje.
Rrjedhë argjile dhe gjumi,
Rrjedhë gjethesh e ëndrrash,
Gjurmë lëkundëse e dritës,
Djep i plagës dhe i iluzioneve.
Tek hesht tej maska e lojës së zareve.
Mes syrit të gjarprit,
Tymi mbars ngadalë, avash-avash,
Lojën e një rilindjeje.
Përktheu në shqip dhe përgatiti për botim: Anila Dahriu