Nga Agim Lika
Ka njerëz që i takon rrallë, por që i mban përherë në zemër. Mjafton një telefonatë, një përshëndetje apo një takim i shkurtër dhe vitet treten sikur të mos kenë ekzistuar kurrë. Kështu ndodh me shokët e miqtë e vërtetë, me ata që kanë ndarë me ty vitet e rinisë, ëndrrat, sfidat dhe kujtimet që nuk zbehen nga koha. Kur publikova në Facebook njoftimin për promovimin e librit tim “Folklori i Krahinës së Ishmit”, mora dhjetëra urime dhe konfirmime pjesëmarrjeje nga miq e shokë.
Ndër ta ishte edhe një nga njerëzit më të dashur të jetës sime, shoku i fëmijërisë dhe i viteve të Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej”, poeti Çesk Lukani. Më gëzoi pa masë lajmi se ai do të ishte i pranishëm në atë veprimtari. E dija se rruga nga Shkodra në Durrës nuk ishte e shkurtër, por njihja mirë edhe karakterin e tij. Çesku është nga ata njerëz që e konsiderojnë fjalën e dhënë si nder. Kur premton, e mban. Ditët kaluan shpejt dhe erdhi dita e promovimit. Aktiviteti ishte planifikuar të zhvillohej në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Durrës. U nisa herët nga Tirana, me emocionin e njohur që përjeton çdo autor përpara se të dalë para lexuesve të tij. Teksa udhëtoja, më telefonoi Çesku. — Kam mbërritur në Durrës.
Po të pres te Vollga, — më tha. Pak më vonë u takuam në një lokal buzë detit. Në tavolinën tonë u bashkuan edhe miq të tjerë. Mes aromës së kafesë dhe freskisë së detit, bisedat rridhnin natyrshëm: për librin, për kujtimet e rinisë, për jetën dhe për kohën që kishte kaluar pa mundur të zbehte asgjë nga miqësia jonë. Më pas u drejtuam drejt sallës së aktivitetit. Një sallë e madhe, e mbushur me njerëz që kishin ardhur për të ndarë me mua atë çast të veçantë. Rreth njëqind pjesëmarrës ishin të pranishëm dhe prania e tyre ishte dhurata më e bukur që mund të merrja si autor. Promovimi zgjati afro dy orë dhe u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë, miqësore dhe plot emocion. Në fund të aktivitetit, Çesku u afrua pranë meje. Duhej të nisej për në Shkodër. Më përqafoi dhe, me buzëqeshjen e tij të zakonshme, më tha:
— Ishte një promovim shumë i bukur, model për nga organizimi, vëlla. Të uroj suksese të tjera në krijimtarinë tënde. Pastaj më kujtoi edhe një amanet të hershëm, të cilin ma kishte përsëritur shumë herë:
— Mos harro, tani duhet të shkruash një libër për Shkollën “Skënderbej”. Kjo ishte një dëshirë që buronte nga dashuria dhe respekti i tij për shkollën që na formoi si njerëz, si qytetarë dhe si atdhetarë. Ishte një thirrje për të ruajtur në faqe libri kujtesën e një institucioni që ka lënë gjurmë në jetën e shumë brezave. U ndamë me mall, por edhe me kënaqësinë që të fal një takim i bukur mes miqsh. E falënderova për mundimin, për rrugën e gjatë që kishte bërë dhe, mbi të gjitha, për miqësinë e sinqertë që ka mbetur e pandryshuar ndër vite.
Sot, kur kujtoj atë ditë, bindem edhe më shumë se pasuria më e madhe e jetës nuk janë vetëm librat që shkruajmë apo veprat që lëmë pas. Pasuria më e çmuar janë njerëzit që ecin pranë nesh në udhëtimin e gjatë të jetës. Çesk Lukani është një prej tyre. Një mik e shok i rrallë, një poet me shpirt fisnik dhe një skënderbegas që nuk i harroi kurrë shokët e tij. Dhe nëse libri për Shkollën “Skënderbej” me titull: “Skënderbegas, Pasaportë e Vlerave Atdhetare” gradualisht po bëhet realitet, një pjesë e meritës i takon edhe atij, sepse ishte ndër ata miq që më nxiti vazhdimisht ta ndërmerrja atë punë. Në fund të fundit, ndonjëherë mjafton këmbëngulja e një miku të mirë për ta kthyer një dëshirë në një vepër të përfunduar dhe një ëndërr në realitet.
Tiranë, më 12 qershor 2026
