Midis tragjikes dhe komikes: universi tregimtar i shkrimtarit Kujtim Dashi në “Mea Culpa asgjëkundi”-Nikollë Loka




Nikollë Loka

 

Në letërsinë bashkëkohore shqiptare, sidomos në atë që ndërthur kujtesën historike me reflektimin kritik mbi tranzicionin, përmbledhja me tregime “Mea Culpa asgjëkundi” e shkrimtarit Kujtim Dashi zë një vend të veçantë.  Përmes kombinimit të realizmit, satirës, ironisë dhe humorit të zi, autori ndërton një panoramë të gjerë të shoqërisë shqiptare, duke evidentuar plagët e së kaluarës dhe paradokset e së tashmes. Autori ndërton një kronikë artistike të deformimeve morale, politike dhe shoqërore që kanë shoqëruar jetën shqiptare për dekada.  Vlera kryesore artistike e veprës qëndron në aftësinë e autorit për ta shndërruar përvojën historike dhe shoqërore shqiptare në letërsi me fuqi estetike, emocionale dhe reflektuese. Libri nuk kufizohet në rrëfimin e ngjarjeve, por i përpunon ato artistikisht përmes satirës, ironisë, simbolikës dhe realizmit kritik.

Ngjarjet, personazhet dhe mjediset janë marrë nga jeta reale shqiptare, duke përfshirë periudhën e diktaturës komuniste, vitet e tranzicionit dhe problematikat e shoqërisë së sotme. Megjithëse ngjarjet zhvillohen në realitetin shqiptar, temat që trajtohen janë universale: pushteti dhe abuzimi; faji dhe përgjegjësia; dinjiteti njerëzor; drejtësia; tradhtia; kujtesa historike etj. Ndryshe nga shumë autorë që fokusohen te peronalitete të njohura historike, ngjarje politike ose drama kombëtare, Kujtim Dashi e ndërton letërsinë e tij mbi “historinë e vogël” të njerëzve të zakonshëm. Nëse autorë shqiptarë fokusohen kryesisht te heroizmi ose martirizimi, Dashi ndalet te episodet e vogla, shpesh të padukshme. Për shembull: një perde në një lokal, një qen në kamp, një peshore, një derë e hapur vetëm sa një pëllëmbë, një letër e padorëzuar. Këto detaje të zakonshme shndërrohen në metafora të një sistemi të tërë shoqëror.
Tematika e veprës  është e gjerë dhe e larmishme. Personazhet e tij janë: ushtari i varfër, ish-i burgosuri, pensionisti, nëpunësi, gazetari provincial, emigranti, fshatari, qytetari i harruar. Përmes fatit të tyre ai arrin të tregojë për një epoke të tërë. Titulli i veprës, “Mea Culpa asgjëkundi”, përmban në vetvete një ngarkesë të fortë semantike dhe filozofike. Shprehja latine “Mea culpa” (“Faji im”) lidhet tradicionalisht me pranimin e përgjegjësisë morale, ndërsa shtesa “asgjëkundi” krijon paradoksin e mungesës së pendesës. Pikërisht ky paradoks shndërrohet në boshtin ideor të librit: një shoqëri ku fajet njihen nga të gjithë, por nuk pranohen nga askush. 

Një pjesë e rëndësishme e tregimeve trajton mekanizmat represivë të sistemit komunist, duke sjellë episode që shpesh lëkunden mes tragjikes dhe groteskes. Tregime si “Grupi i Muhos”, “Carpe Diem”, “Fil Bastardi” apo “Kafshatë e zorshme” nxjerrin në pah absurditetin e dënimeve politike, fabrikimin e armiqve, kulturën e denoncimit dhe degradimin e dinjitetit njerëzor. Në këto tregime autori nuk kufizohet në rrëfimin e ngjarjeve, por depërton në psikologjinë e një sistemi që ushqehej nga frika dhe nënshtrimi. Një shtresë tjetër tematike lidhet me tranzicionin shqiptar, ku korrupsioni, nepotizmi, servilizmi dhe etja për pushtet zënë vend qendror. Tregime si “Dhjamë edhe nga tenderi i pleshtave”, “Deputeti i Kryqit”, “Mbi librat tuaj në majë të gishtërinjve” dhe “Zoti i arlekinëve” përbëjnë tablo satirike të elitave politike e administrative që kanë zëvendësuar idealet me interesin personal. Në këto rrëfime autori demaskon me finesë mekanizmat e pasurimit të padrejtë dhe të manipulimit publik.
Një dimension i rëndësishëm i librit është trajtimi i pabarazive sociale dhe i dramave njerëzore. Tregime si “Rroga e ushtarit”, “Plasa e derës”, “Nata e pacientë-klientëve, fëmijë jashtë” dhe “Kursi i këmbëthyerjes” paraqesin botën e njerëzve të zakonshëm, të cilët përballen me varfërinë, emigracionin, vetminë dhe mungesën e solidaritetit. Këtu autori dëshmon një ndjeshmëri të veçantë humane, duke e zhvendosur vëmendjen nga institucionet te individi.

Nga pikëpamja artistike, vepra mbështetet mbi disa mekanizma stilistikë të konsoliduar. Ironia përbën mjetin themelor të ndërtimit narrativ. Situatat paradoksale, kthesat e papritura dhe përmbysjet logjike krijojnë një efekt të vazhdueshëm kritik. Kështu, te “Deputeti i Kryqit”, personazhi fiton zgjedhjet për shkak të një keqkuptimi kolektiv, ndërsa te “Dhjamë edhe nga tenderi i pleshtave” korrupsioni paraqitet si diçka aq e zakonshme saqë bëhet objekt humori, që tek autori nuk është zbavitje, por mbijetesë, vetëmbrojtje morale, formë proteste. Lexuesi qesh me gjyqin e qenit te “Grupi i Muhos”, por pas të qeshurës zbulon tragjedinë e sistemit. Ky është një humor që buron nga përvoja historike shqiptare.
Personazhet te libri “Mea Culpa asgjëkundi”shpesh funksionojnë si tipe shoqërore: burokrati i korruptuar, intelektuali oportunist, gazetari servil, politikani pa parime apo qytetari i ndershëm që mbetet në periferi të ngjarjeve, punëve dhe privilegjeve. Përmes tyre autori arrin të universalizojë përvojën individuale dhe ta shndërrojë në diagnozë kolektive.
Një tjetër element i rëndësishëm është përdorimi i humorit të zi. Ngjarje të dhimbshme, madje tragjike, rrëfehen me një ton që prodhon njëkohësisht buzëqeshje dhe trishtim. Gjyqi i qenit te “Grupi i Muhos”, kursi i lypësve te “Kursi i këmbëthyerjes” apo refuzimi i vëllait të varfër te “Plasa e derës” janë shembuj domethënës të këtij mekanizmi artistik. Veçanërisht i goditur është përdorimi i simboleve: “Perdja”, “plasa e derës”, “kryqi”, “letrat”, “peshorja” apo “biblioteka konkuruese”, që  tejkalojnë funksionin e tyre konkret dhe marrin vlera metaforike që lidhen me pushtetin, përjashtimin, ndërgjegjen, të vërtetën dhe hipokrizinë sociale. Këto simbole kontribuojnë në thellimin e mesazhit artistik dhe filozofik të veprës.
Nga ana gjuhësore, Kujtim Dashi mbështetet te një shqipe e gjallë, e pasur me frazeologji popullore, shprehje krahinore  me dialogje të natyrshëm. Pikërisht kjo afërsi me ligjërimin e përditshëm u jep rrëfimeve autenticitet dhe forcë komunikimi.  

Libri lexohet jo vetëm si letërsi, por edhe si dokument i kujtesës shoqërore dhe si reflektim kritik mbi fatin e njeriut shqiptar në periudha të ndryshme historike. Autori denoncon: arbitraritetin e pushtetit, burokracinë, korrupsionin, servilizmin, oportunizmin politik, degradimin moral. Satira nuk shfaqet si sulm i drejtpërdrejtë, por si zbërthim artistik i absurdit të realitetit. Ironia përshkon pothuajse të gjitha tregimet dhe shërben si mekanizëm kryesor i organizimit të rrëfimit. Shpesh personazhet përballen me situata ku e vërteta del përmes paradoksit.Për shembull: kandidati fiton zgjedhjet, sepse votuesit e kundërshtojnë gabimisht; një qen trajtohet si armik politik; një vëlla deputet nuk pranon ta fusë në shtëpi vëllanë e tij të varfër. Këto situata krijojnë një efekt të fuqishëm estetik dhe reflektues.
Një vlerë e veçantë e librit është kombinimi i tragjikes me komiken. Lexuesi qesh përballë situatave absurde, por njëkohësisht ndien dhimbjen që fshihet pas tyre.Kjo ndërthurje e zbut dramën pa e minimizuar; e bën kritikën më të fuqishme dhe u jep tregimeve dimension njerëzor.
Autori përdor simbole të thjeshta, por me ngarkesë të madhe kuptimore. Disa prej tyre janë: Perdja si simbol i fshehjes, turpit dhe përjashtimit; plasa e derës  që shpreh hendek social dhe moral; Kryqi i keqkuptimit dhe manipulimit politik; peshorja si simbol i gjykimit moral.
Shkrimtari Kujtim Dashi nuk e sheh komunizmin dhe tranzicionin si dy botë të ndara. Në tregimet e tij servilizmi i djeshëm vazhdon edhe sot; karrierizmi ndryshon formë, por jo thelb; oportunistët mbijetojnë në çdo sistem. Në këtë kuptim, libri paraqet një vazhdimësi morale të shoqërisë shqiptare.
Kujtimi nuk predikon, nuk moralizon, nuk ngre akuza të drejtpërdrejta, por thjesht rrëfen, ku absurdi flet vetë. Ky stil të shkruari e afron me traditën e satirës së heshtur, ku efekti artistik krijohet nga kontrasti midis normalitetit të rrëfimit dhe anormalitetit të ngjarjes.

Në peizazhin e prozës bashkëkohore shqiptare, shkrimtari Kujtim Dashi konsiderohet si njëri ndër autorët që ka ndërtuar me këmbëngulje një letërsi të kujtesës sociale, ku dokumenti, rrëfimi dhe satira bashkëjetojnë në një formë origjinale dhe të dallueshme. Vepra përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në prozën bashkëkohore shqiptare, duke bashkuar dëshminë historike, reflektimin moral dhe mjeshtërinë artistike në një tërësi organike e bindëse.