Revolucioni i flamingove-Zhuljeta Grabocka Çina

Romani “Viti 93” i Viktor Hugoit mbetet një nga veprat më të fuqishme të romantizmit botëror, jo vetëm si rrëfim i një kohe të përgjakshme, por si përballje e përjetshme mes arsyes dhe shpirtit, mes ligjit dhe ndërgjegjes.

Te Simurdeni dhe Goveni, Hugo nuk na jep thjesht dy personazhe. Ai na vendos përballë dy të vërtetave që bashkëjetojnë brenda njeriut dhe brenda historisë.

Simurdeni beson se drejtësia duhet të jetë e pamëshirshme për t’i shërbyer së ardhmes. Goveni beson se e ardhmja nuk mund të ndërtohet duke vrarë njerëzoren. Në fund, tragjedia e tyre nuk është humbja e njërit ndaj tjetrit, por zbulimi se asnjë revolucion nuk mund të mbijetojë pa të dyja, pa arsyen që udhëheq dhe pa shpirtin që e kufizon.

Qershori i 2026 filloi në Tiranë, me një kushtrim për zgjimin për Shqipërinë e shqiptarët. Jo vetëm për të rinjtë që largohen me valixhe të mbushura më shumë me zhgënjim sesa me ëndrra. Jo vetëm për qytetarët që kërkojnë dinjitet, drejtësi dhe një arsye për të besuar se e nesërmja mund të jetë më e mirë se e sotmja. Protestat paqësore, zërat që ngrihen kundër korrupsionit, përvetësimit dhe varfërimit, nuk janë thirrje për shkatërrim. Ato janë kërkesë për rilindje morale.

Në vitin 1793 revolucioni kërkonte të rrëzonte një fron. Hygoi, babai i kombit francez reflekton artistikisht.

Sot, revolucioni kërkon të zgjojë ndërgjegjen. Atëherë ishte koha, armët flisnin më fort se fjalët. Sot, flet shpresa, që fjala të mos ketë nevojë të bëhet armë.Të duash Atdheun nuk do të thotë ta adhurosh verbërisht. Të duash Atdheun do të thotë të vuash kur e sheh të plagosur, të mos pajtohesh me padrejtësinë dhe të mos humbësh besimin se ai meriton më shumë. Patriotizmi nuk është heshtje përballë së keqes. Është guximi për ta thënë të vërtetën edhe kur ajo dhemb.

Ndoshta ky është ndryshimi më i madh mes revolucionit të djeshëm dhe atij që kërkohet sot.

Jo pushtimi i institucioneve, por rikthimi i shpirtit në to. Jo triumfi i një pale mbi tjetrën, por triumfi i dinjitetit mbi cinizmin. Dhe ndoshta, po të na shihnin sot Simurdeni dhe Goveni, do të vazhdonin debatin e tyre të lashtë.

Njëri do të kërkonte rend, tjetri mëshirë. Por të dy do të pajtoheshin në një pikë.

“Një komb nuk vdes nga varfëria, por nga humbja e shpresës. Dhe aty ku lind shpresa, aty fillon revolucioni më i vështirë dhe më i bukur.

Revolucioni i ndërgjegjes.

Flamingoja nuk është zog i stuhisë. Ajo nuk sulmon, nuk rrënon. Ajo qëndron. E brishtë në dukje, por e palëkundur në ujërat ku të tjerët do të humbnin ekuilibrin. Ndoshta për këtë është bërë simbol i atyre që kërkojnë ndryshim pa urrejtje, drejtësi pa hakmarrje dhe shpresë pa dhunë.” Qytetaria ka zbritur në rrugë, shikojini çfarë fëmijë të bukur mbajnë në krahë…