Libër i thjeshtë që sjell histori familjare-Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Mbi librin e fisit Hysollari

Libri “Rrënjët e fisit tim” është shkruar nga një njeri i thjeshtë, i cili rrallëherë ka përdorur lapsin dhe letrën, por që ka hedhur në letër me dorë të sigurt, me sinqeritet dhe ndershmëri të rrallë, kujtimet e jetës së tij dhe të njerëzve më të afërt.

Autori Refik Hysollari ka krijuar një memuar të vyer për familjen dhe fisin e tij në fshatin malor të Gorës. Të parët që nuk jetojnë më, prindërit, bashkëshortja, fëmijët, nipërit e mbesat, kushërinjtë e kushërirat e shpërndara nëpër Shqipëri dhe në vende të ndryshme të botës, parakalojnë në faqet e këtij libri të përshkruar me dashurinë e birit, të bashkëshortit, të babait dhe të gjyshit të përkushtuar.

Nën penën e autorit, peizazhi i vendlindjes, i lënë pas dore për më shumë se tri dekada, rigjallërohet nga kujtimet e njerëzve që kanë jetuar aty brez pas brezi. Fjala e tij e thjeshtë, por e ngrohtë dhe plot ndjenjë, tingëllon si një melodi e këndshme, ndërsa personazhet e vendosura larg në kohë na duken sikur jetojnë ende para syve tanë. Më shumë se një biografi familjare, ky libër është dëshmi e përvojës së njerëzve të fortë dhe të papërkulur, të cilët kanë ditur të përballojnë me dinjitet sfidat dhe vështirësitë e jetës. Më shumë se histori familjare, ai është një mësim jetësor për çdo lexues. Rrëfimi i natyrshëm, me ngjarjet, gëzimet dhe hidhërimet e kohës, të bën ta lexosh librin me një frymë, nga faqja e parë deri në të fundit. Libri “Rrënjët e fisit tim”, i autorit fisnik Refik Musollari, është një muze i gjallë kujtimesh, i shkruar me dashuri dhe zemër të bardhë, për të mbetur si një relike e çmuar për brezat e ardhshëm të fisit Hysollari.

Dedikim për fisin

Këtë libër autori ua kushton fisit dhe të afërmve të tij të respektuar: familjes, prindërve që e sollën në jetë, gjyshërve e gjysheve, xhaxhallarëve e hallave, dajove e tezeve, vëllezërve e motrës, kushërinjve e kushërirave, djemve e vajzave, nipërve e mbesave. Një dedikim të veçantë ai ia kushton bashkëshortes së tij, Asamblesë, me të cilën ndau 56 vjet jetë bashkëshortore. Së bashku krijuan një familje të shëndoshë, lindën dhe rritën katër fëmijë, të cilët i edukuan dhe i shkolluan me përkushtim. Ata punuan krah për krah në shi e në dëborë, përballuan vështirësi të shumta, kaluan gëzime dhe hidhërime, por nuk u dorëzuan dhe nuk u përkulën kurrë para sfidave të jetës.

Pas vitit 1990, fëmijët dhe të afërmit u shpërndanë në vende të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Pikërisht ky fakt e shtyu autorin të shkruante këtë libër. Jo për të krijuar një vepër letrare, sepse ai nuk e konsideron veten shkrimtar, por për të renditur historinë dhe rrjedhën e familjes e të fisit të tij. Edhe pse brezat e rinj shpesh tregohen më pak të interesuar për historinë e të parëve, autori beson se gjithmonë do të ketë njerëz që duan të njohin rrënjët e tyre, prejardhjen e familjes dhe historinë e brezave që i paraprinë. Sepse, sipas tij, nëse nuk njeh mirë të kaluarën dhe rrënjët e tua, nuk mund të ndërtosh siç duhet as të tashmen dhe as të ardhmen. Ai përpiqet të shkruajë për trungun e familjes dhe, aq sa është e mundur, edhe për degët e saj, të cilat me kalimin e kohës janë shtuar e shumëfishuar, duke krijuar trungje të reja që vazhdojnë të degëzohen brez pas brezi.

Rreth fshatit Mesmal

Fshati Mesmal, i njohur edhe me emrin Krushovë, ndodhet rreth 50 kilometra larg qytetit të Maliqit. Ai është një fshat me tradita të pasura patriotike, ku kanë spikatur gjithmonë mikpritja, respekti për njëri-tjetrin, dashuria njerëzore dhe bujaria. Mesmali shtrihet mes maleve madhështore të Lenies, të cilat arrijnë deri në 2211 metra mbi nivelin e detit. Pyjet e shumta i japin zonës freski, oksigjen dhe gjallëri. Ahu dhe bredhi ngrihen deri në 30 metra lartësi, ndërsa pyjet e Lenies kanë furnizuar për dekada me dru zjarri dhe lëndë ndërtimi qytete e fshatra të tëra të zonës. Fshati rrethohet nga pyje me dushk, ah, panjë dhe bimësi të pasur. Burimet e ujit të kristaltë siguronin ujë të pijshëm dhe shërbenin për vaditjen e tokave bujqësore.

Banorët merreshin kryesisht me bujqësi dhe blegtori. Dimrat ishin të ashpër dhe me shumë dëborë, ndaj familjet siguronin me kohë ushqimin për bagëtitë. Në tokat e tyre mbillnin grurë, thekër, misër, fasule, elb, tërshërë, si dhe pemë frutore si mollë, dardha, qershi, kumbulla dhe thana. Zona ishte gjithashtu e pasur me bimë mjekësore. Falë ujërave të Lenies u ngritën dy sharra për prodhimin e lëndës së ndërtimit dhe dy hidrocentrale të vegjël, një në Mesmal dhe një në Velçan. Fshati kishte disa çezma publike. Njëra prej tyre, në lagje, ishte e njohur për ujin e saj: në verë i ftohtë si akulli, ndërsa në dimër i ngrohtë sikur të ishte vakur pranë zjarrit.

Në traditën gojore ruhen edhe emra vendesh me prejardhje sllave, si Gonoravë, Leskarovë, Topilë, Moçalë e Dervishit dhe Shëndëlli. Fiset kryesore të Mesmalit kanë qenë Hysollari, Pillati, Shimbiko, Buliçko, Gerboti dhe Malkollari, ndër të cilat më të përhapurit kanë qenë Hysollarët dhe Pillatët.

Prejardhja

Autori nuk pati fatin t’i njihte gjyshërit e tij. Gjyshi Bilal dhe gjyshja Arziko kishin katër djem: Kamberin, Xhelalin, Bektashin dhe Ramazanin. Kamberi u martua me Merushen nga Cereshniku, një grua e urtë dhe e respektuar. Vetëm tre muaj pas martesës ai mori rrugën e kurbetit për në Turqi. Pas disa vitesh, atje u vra tragjikisht.

Vëllezërit e Merushes erdhën për ta marrë në shtëpinë e prindërve, por ajo nuk pranoi të largohej. Sipas zakoneve të kohës, u martua me kunatin e saj, Xhelalin. Edhe ky, pas vetëm gjashtë muajsh martesë, u nis për në Turqi me qëllimin për të marrë hakun e vëllait. Sipas rrëfimeve familjare, ai arriti të gjente vrasësit, u doli në pritë dhe vrau disa prej tyre, por në përleshje humbi edhe vetë jetën.

Përsëri të afërmit e Merushes erdhën për ta marrë, por ajo tashmë priste një fëmijë dhe vendosi të qëndronte në familjen e bashkëshortëve të saj. “Zoti m’i mori burrat,” – thuhet se u tha ajo, – “por do të më gëzojë me një fëmijë. Kunetërit do t’i kem në vend të vëllezërve.”

Dhe ashtu ndodhi. Pas pak muajsh ajo solli në jetë një djalë, duke sjellë gëzim në familje, në farefis dhe në miqësi. Sipas traditës gorare u shtrua një drekë e madhe. Në krye të sofrës u vendos tepsia me bukëvale, u bënë urime, u dhanë dhurata dhe u respektuan të gjitha zakonet e krahinës për lindjen e një trashëgimtari…

Njohje me autorin

Refik Bektash Hysollari lindi më 14 mars 1943 në fshatin Mesmal të krahinës së Gorës, në rrethin e Korçës. Ai u rrit në një familje të madhe me tradita patriotike, e njohur për kontributet e saj në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe në jetën shoqërore të krahinës. Fëmijëria e tij u shoqërua me vështirësi të shumta, pasi humbi nënën në moshë të vogël, por me vullnet, këmbëngulje dhe dashuri për dijen arriti të përfundonte arsimin fillor dhe atë shtatëvjeçar në vendlindje. Në vitin 1963 kreu shërbimin ushtarak në Gardën e Republikës në Durrës. Gjatë kësaj periudhe u dallua për disiplinë, korrektësi dhe përkushtim, duke fituar gjithashtu profesionin e kuzhinierit, i cili do t’i shërbente më pas në jetën e tij të punës.

Pas përfundimit të shërbimit ushtarak u punësua në Ndërmarrjen e Shfrytëzimit të Trupave, ku ushtroi profesionin e kuzhinierit deri në vitin 1980. Kudo ku punoi fitoi respektin e kolegëve dhe drejtuesve për ndershmërinë, disiplinën dhe përkushtimin në kryerjen e detyrave. Në vitin 1982 filloi punë si armator në minierë, një profesion i vështirë dhe me përgjegjësi të lartë. Falë punës së palodhur dhe aftësive profesionale, ai fitoi shpejt kategoritë e kualifikimit dhe u vlerësua vazhdimisht si një punëtor shembullor. Në vitin 1993 doli në pension, duke lënë pas një karrierë të nderuar pune. o aq i suksesshëm sa në punë, Refiku ka qenë edhe në jetën familjare. Së bashku me bashkëshorten e tij, Asamblenë, ndërtuan një familje të shëndoshë e të respektuar. Ata rritën dhe edukuan me përkushtim katër fëmijë – dy djem dhe dy vajza – të cilët sot kanë krijuar familjet e tyre dhe janë integruar me sukses në jetë e në shoqëri. Për Refikun, familja ka qenë gjithmonë burimi kryesor i forcës dhe i motivimit.

Përveç angazhimeve familjare dhe profesionale, ai ka dhënë një kontribut të çmuar në jetën shoqërore dhe kulturore të krahinës së Gorës. Që në krijimin e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Gora”, ishte ndër nismëtarët dhe aktivistët e parë të saj, duke kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e traditave, historisë dhe kulturës së krahinës. Gjithashtu, ai është angazhuar aktivisht në Organizatën e Dëshmorëve dhe në Organizatën e Veteranëve, ku ka dhënë ndihmesën e tij në përkujtimin dhe nderimin e figurave të shquara të historisë sonë kombëtare.

Më 12 shtator 2012 u zgjodh kryetar i degës së Pogradecit të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Gora”. Gjatë drejtimit të tij, shoqata zhvilloi një sërë veprimtarish me rëndësi kulturore, historike dhe atdhetare. Ai organizoi festivalet tradicionale të krahinës, promovoi vlerat kulturore të Gorës dhe kontribuoi në ngritjen e dy lapidarëve përkujtimorë, një në Velçan dhe një në Gur të Kamjes, me mbështetjen e institucioneve vendore, të anëtarëve të shoqatës dhe të Bashkisë së Pogradecit. Veprimtaritë dhe arritjet e kësaj periudhe janë pasqyruar gjerësisht në faqet e gazetës “Gora”. Puna dhe përkushtimi i tij shumëvjeçar janë vlerësuar me mirënjohje dhe tituj të ndryshëm nderi. Në vitin 2014 u nderua me Certifikatë Nderi nga Shoqata Atdhetare Kulturore “Gora”. Në vitin 2020 iu akordua titulli i lartë “Nderi i Krahinës”, ndërsa në vitin 2023 mori vlerësimin “Nderi i Organizatës së Veteranëve”. Në vitin 2024 u shpall “Anëtar Nderi i Organizatës së Dëshmorëve”, një vlerësim që kurorëzon kontributin e tij të vazhdueshëm në ruajtjen e kujtesës historike dhe të vlerave atdhetare.

Në vitin 2024 botoi librin monografik “Rrënjët e fisit tim” (kujtime), si një ndihmesë dhe kontribut për brezat e fisit Hysollari, për njohjen e histories, të traditave, të përballimit të jetës dhe të ngritjes së familjes, pët t’u njohur nga brezi i ri… Edhe sot, pavarësisht moshës, Refik Hysollari mbetet aktiv në jetën shoqërore. Ai vazhdon të japë kontributin e tij në promovimin e historisë, traditave dhe vlerave patriotike të krahinës së Gorës dhe të Pogradecit. Me jetën, punën dhe veprimtarinë e tij, ai përfaqëson modelin e qytetarit të ndershëm, familjarit të përkushtuar, punëtorit shembullor dhe veprimtarit të palodhur në shërbim të komunitetit dhe atdheut.