Judita Dedi

Lindim të gjithë njësoj. Pa emër, pa pasuri, pa krenari. Me një të qarë që njofton botën se kemi ardhur dhe me dy duar të vogla që nuk mbajnë asgjë.
Fëmijëria ishte e pastër. Një copë bukë me djathë na dukej festë, një lodër e thyer rregullohej me imagjinatë, një rrëzim apo një plagosje gjuri harrohej me një puthje të nënës…
Pastaj nisën mësimet.
Babai më thoshte..
Mos prek atë që nuk është e jotja. Bëhu e ndershme edhe kur askush nuk të sheh. Përshëndete e para njeriun. Respekto më të moshuarit. Mos e ul askënd me fjalë, sepse njeriu lëndohet më shumë nga gjuha sesa nga dora.
Nëna shtonte..
Mos ia kthe të keqen të keqes. Kur të kesh dy kafshata, jep njërën. Kur të shohësh dikë duke qarë, ulu pranë tij…
Unë i dëgjova dhe i besova.
U rrita duke menduar se kështu jetonte e gjithë bota.
Por jeta kishte një libër tjetër…
Pashë njerëz që të buzëqeshnin në sy dhe të numëronin gabimet pas shpine. Pashë miq që iknin sapo mbaronte interesi. Pashë të pasur që nuk ngopeshin kurrë dhe të varfër që ndanin kafshatën e fundit…
Pashë njerëz që flisnin gjithë ditën për moral dhe, kur vinte prova, harronin gjithçka që predikonin..
Për vite me radhë pyeta veten..
A jam unë e gabuar, apo bota është ndërtuar ndryshe nga sa ma mësuan?
Pastaj erdhën vitet. Një nga një.
Jetova, gabova, mësova. Fytyra filloi të ndryshojë..por plagët më të mëdha nuk i la koha. I lanë njerëzit…
Sot jam pesëdhjetë e katër vjeçe.
Kam kuptuar se ndershmëria nuk të bën gjithmonë fituese, por të lë të flesh rehat.. Se respekti nuk të kthehet gjithmonë mbrapsht, por flet për karakterin tënd, jo për atë të tjetrit… Se mirësia shpesh keqpërdoret, por humbja e saj do të ishte humbja ime më e madhe…
Dhe nëse do të kthehesha edhe një herë në fillim, te ajo foshnjë që erdhi në këtë botë me duar bosh, do t’i lija po të njëjtat mësime.
Sepse nuk ka rëndësi sa para fitove, sa prona grumbullove apo sa njerëz të vlerësuan.
Ka rëndësi nëse, mes gjithë këtij udhetimi, arrite të mbetesh ai njeriu që prindërit ëndërruan të rrisnin dhe që ndërgjegjja nuk ka turp te shihet në pasqyrë.