Viti 1991…Arben Iliazi

Fragment nga “Vezullimet e Ferrparajsës”

Viti ’91. Njerëzit prisnin të ndodhte mrekullia. Sytë m’u çelën papritur si me magji. Thashë: Shyqyr, erdhi demokracia! Kërkova statusin e të përndjekurit. Shkova në një zyrë. Kur ç’të shoh: “Intendenti” kishte hedhur këmbët mbi tavolinë dhe priste popullin.
-Prapë ti!?- më pyeti dhe nuk lëvizi nga vendi. Na u bëre morr në çdo regjim!
– Po ti ç’kërkon këtu ?!- i thashë.
Qeshi me të madhe. Ktheu një gllënjkë raki nga faqorja dhe pyeti: Ti çfarë kërkon këtu?
-Statusin e të përndjekurit!- i thashë.
Qeshi përsëri, sa u shkri fare. – Ti nuk e meriton! – mu drejtua befas me inat. – Atë pushtet ti na e bëre peshqesh…
-Si? A nuk ishim bashkë…në luftë?
-Unë për vete nuk shkreha ndonjë pushkë…
– Si nuk shkrehe? E mban mend si mburreshe poshtë e lart se vrave një gjerman? – i thashë.
-Ehu, çfarë kujton dhe ti! Gjermanin e vrave zotrote! Unë e dobësova regjimin, o tuhaf , e luftova nga brenda. Paçka se ti bëre 20 vjet burg! Pse ç’kujtove ti, se do binte vetë aq kollaj? Sa të jem në këtë zyrë nuk ke për të marrë asnjë lloj statusi, mblidhe mendjen! Dhe më nxorri jashtë.
Kaq e patën edhe iluzionet e mia. Në sytë e mi u kthye zbrazëtia. Zbrazëtia e iluzionit, e ëndërrës. Ato nuk kishin më asnjë vlerë. Ika refugjat. Ku me të lypur e ku me punë krahu, ia dola të mbijetoj. Por edhe atje nuk më lanë rehat. Kur mbusha 70 vjeç u ktheva. Vajta në një zyrë për të plotësuar dokumentat e pensionit.
-7 mijë lekë boll i ke! Bashkëpunëtor i gjermanit! Ishte intendenti. E kishin marrë këshilltar të jashtëm në Sigurime Shoqërore, meqë kish dalë në pension. Nuk po u besoja syve. Fillova të shaj me rrënjë e me degë.
– Kolaboracionist! – më tha teksa dilja. Gjynah, nuk u ndreqe dot, në qafë paç veten! Nuk po më besohej që kish ndërruar sërish bindjet, duke kaluar në kapin tjetër të sapoardhur në pushtet. Shkova buzë liqenit, mora frymë thellë, u zgjata dhe sokëlliva: Hidhu, o trap! Hidhu! Por jo. Hidhu, o i menderosur! Mbylla sytë. Prita të zhytesha në ujin e ftohtë. Më dukej sikur po lundroja…Por…O perëndi! Jo. Nuk doja të shpëtoja. Nuk doja të vrisja veten. Mos u hidh – më thoshte diçka përbrenda. Ata që më panë heshtën. Mbretëronte heshtja. Disa tundnin kokat e miratonin, të tjerë vështronin lart për hiç mos gjë, si të ishin duke pritur fundin e ndonjë shakaje. Sa më shumë shihnin, aq më të sigurt bëheshin. Të tjerë vazhdonin të dëgjonin zhurmat e përditshme të qytetit. Makinat e plehrave. Kundronin spiunët që kishin zënë vend poshtë dritareve, në strehët e berberhanave e diskove. Unë rrija kot si guhak dhe sodisja perëndimin…