Sefer Duka, Studiuesi dhe publicisti që ndriçoi historinë e Matit- Nga Halil Rama

PERSONAZH

Me portrete, ngjarje e data historike, ka ushqyer pushtetin vendor për emërtimin e institucioneve dhe rrugëve në qytetin e Burrelit

Prof. Sefer Duka është padyshim një nga personalitetet e Matit e të gjithë Shqipërisë, me një kontribut madhor në fushën e studimeve dhe publicistikës

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

Prof. Sefer Duka është padyshim një nga personalitetet e Matit e të gjithë Shqipërisë, me një kontribut madhor në fushën e studimeve dhe publicistikës.

Vijimi dhe përfundimi i studimeve të larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ia rriti aftësinë për t’u marrë dhe me punë studimore-shkencore dhe falë dëshirës e pasionit të tij, është marrë gjerësisht në shumë fusha.

Studimin e parë shkencor e nisi para 55 vitesh, me me punimin e Diplomës me temën “Mati përmes vështrimit arkeologjik dhe historik”. Ky punim prej 110 faqesh, iu paraqit për vlerësim Komisionit Shtetror të kryesuar nga profesor Aleks Buda dhe në përfundim u vlerësua me shprehjen “Shumë mirë”. Më pas, duke qenë i zgjedhur kryetar i Shoqatës së Historianëve të Matit, iu krijuan hapsira për t’u marrë dhe me organizimin dhe zhvillimin e 18 Sesione shkencore me interes për Matin, u muar me shumë tema studimore në fushën e Arkeologjisë, Etnografisë, Historisë, Gjeografisë, tema të tjera nga fusha social-ekonomike, politike, kulturore dhe ushtarake, duke sjellë fakte dhe argumenta me vlerë për Matin dhe jo vetëm. Kësisoj si gjatë kohës në punë, ashtu dhe pas daljes në pension pleqërie, në vijimësi, ka realizuar me tematikë të larmishme 80 tema studimore si dhe rreth 120 portrete biografike kushtuar figurave të shquara si udhëheqës popullorë, si kuadro drejtues të shumë fushave që kanë dhënë kontribute me vlerë për proceset zhvillimore në komunitetin e Matit dhe jo vetëm. Shumë portrete figurash, ngjarjesh e datash historike, janë përdorur nga pushteti vendor për emërtimin e institucioneve dhe rrugëve në qytetin e Burrelit në përjetësim të tyre.

AUTOR I SIMBOLIKËS SË BASHKISË MAT

Me studim të veçantë të thelluar, është autor i simbolikës së Bashkisë Mat dhe të ish-Komunës Derjan në Njësinë Administrative të Derjanit në Bashkinë e Matit. Qysh gjatë kohës në Fakultet dhe në vijimësi, ka qenë bashkëpunëtor i Qendrës Arkeologjike (sot Instituti i Arkeologjisë) ku në përbërje të ekspeditave kërkimore ka marrë pjesë në zbulimin e kulturës dhe objekteve arkeologjike si në fshatrat Shtiqën e Çinamak të rrethit Kukës, në Burrel, Klos të Matit, në kalanë e Antigonesë në Gjirokastër, në kalanë ilire të Pogradecit, në qytetin e lashtë të Apolonisë së Fierit etj, si dhe ka kryer disa ekspedita informative në pika arkeologjike si në Bardhoc, Vilëz, Bushtricë, Surroj e Ujmisht të Kukësit; në Dukagjin, Urxallë, Bruç, Derjan, Macukull, Rrethe-Baz dhe Klos të Matit, ku ka përgatitur informacionet shkencore përkatëse për ‘ta, që kanë vlerën e studimit paraprak shkencor, bazë nga ku dhe kanë nisur studimet më të thelluara nga personalitete të shkencave në institucionet përkatëse sipas fushës.

Jo vetëm studiues, por dhe bashkëpunëtor në disa organe të medias së shkruar ka spikatur, si publicist produktiv e cilësor në gazetat “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”, “Luftëtari”, “Rruga e Dritës”, “Kuvendi”, “Mati”, “Kushtrim Brezash”, “Invalidi”, “Zëri i të Moshuareve”, “Telegraf”, “Republika”, “Tirana Observer”; revista “Ylli”, “10 Korriku”, “Studime Filologjike”, “Pavdeksia”, “Vatra e Lirisë” etj. Në gjininë e shkrimeve të tij, kanë gjetur hapësirë botimi edhe reportazhet me tematikë interesante si “Aromë shqiptare në Torino”, “Demokracia e shtetit gjerman, faktor mbështetës për emigrantët ekonomikë”, “Vizitë në prehërin e tokës së jashtë popullit shqiptar” etj. Po ashtu dhe bisedat në emisionin “Mati në Fokus”, ku ka realizuar rreth 60 orë regjistrime, kanë shërbyer për pasurimin e historisë dhe njohjen e saj dhe të kulturës së popullit të Matit. Me shumë interes kanë qenë përgatitja dhe publikimi i vlerave të librit historik, shkruar e botuar nga studiues të ndryshëm të Matit e të vendit, që i janë prezantuar publikut në më shumë se 20 raste ndër vite.

Duke qene dhe drejtues i OVP të LANÇ, Mat, ka përgatitur referate që janë mbajtur në takime përkujtimore kushtuar datave, ngjarjeve dhe figurave të shquara historike dhe kulturore të Matit dhe jo vetëm, për çdo vit, sidomos të atyre rasteve që kanë patur përvjetor jubilar, kanë shërbyer fuqishëm për edukimin e masës së gjerë, sidomos të rinj dhe nxënësit e shkollave, duke i brumosur me ndjenjën kombëtare dhe atdhetare e patriotike të tyre. Si botues i revistës “Vatra e Lirisë”, organ i Komitetit të OVP të LANÇ Mat, ka mundësuar studimin dhe publikimin e disa artikujve në faqet e saj, që i kanë shërbyer njohjes shkencore dhe edukimit të brezave sidomos me përmbajtje me një gamë të gjërë për historinë e LANÇ kundër pushtuesve nazifashistë italo-gjermanë. Po ashtu është ideatori dhe realizuesi i disa konkurseve në fushën e njohjes së historisë së popullit shqiptar ndër shekuj, me nxënësit e shkollave në dy bashkitë e krahinës së Matit.



Origjina dhe identiteti



Është lindur në një familje fshatare pesë kurorëshe, në një zjarm, respektivisht kurorët: Aliu, Rexhepi, Islami, Veliu dhe Shabani, me banim në lagjen Daznjanë të fshatit Macukull (sot fshat me emrin Dejë-Macukull) në Njësinë Administrative Shëlli-Macukull, në Bashkinë e Matit, Qarku Dibër. Kjo familje ka qenë e përmendur për mikpritje e bujari, e mbrujtur me ndjenja
atdhetare e patriotike. Pesë meshkuj të saj me moshë madhore kanë marrë pjesë në Luftën e “Shkallës së Deshëve” më 1913, kundër forcave pushtuese serbe, që kishin hyrë në krahinën e Matit si pushtues, ku si shumë luftëtarë të tjerë treguan mençuri, guxim dhe trimëri, duke i sjellë armikut humbje të rënda dhe duke e përzënë andej nga kishte ardhur.



                                             Arsimimi dhe formimi kulturor


Zbatimi i reformës arsimore, që arsimi fillor u bë i detyrueshëm, bëri që Seferi të nisë mësimet në këtë cikël më 1 shtator 1950 dhe ta përfundojë atë më 1954 me rezultate të mira. Në vijimësi, po për shkak të reformës arsimore, që arsimi 7-vjeçar (sot 9-vjeçar) kreu edhe shkollën unike në vitin 1957, po me rezultate të mira. Për arsye ekonomike e familjare, për dy vjet, punoi punëtor në ish-kooperativën bujqësore të Kurdarisë. Në vitin 1959, me ndryshimin dhe përmirësimin e kushteve të tij, nisi dhe përfundoi mësimet në shkollën pedagogjike dyvjeçare “Ndrec Ndue Gjoka” në Tiranë me status i barasvlershëm me ciklin 4-vjeçar pedagogjik, me program të avancuar dhe në vitin 1961 u titullua mësues për sistemin e shkollës fillore. Po në këtë vit filloi mësues, profesion që e vijoi për 6 vjet. Etja për dije të nivelit arsimor edhe më të lartë, në vitin 1967 nisi studimet e larta me shkëputje nga puna në Universitetin Shtetror të Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji, dega Histori-Gjeografi, që i përfundoi studimet në vitin 1971. Në vitin shkollor akademik 1984-1985 ndoqi dhe përfundoi kursin njëvjeçar pasuniversitar për filozofi në Tiranë, i barasvlershëm sot me nivelin master. Për shkak të nevojave për kuadro, në ushtri, ndryshoi punë dhe u emërua oficer aktiv i Forcave të Armatosura në Ushtri dhe kreu një kurs njëvjeçar pranë Shkollës së Lartë të Oficerëve në Tiranë në vitin 1980-1981. Ka kryer dhe një kurs me sistem 4-vjeçar brenda profilit të Historisë në fakultet në fushën e Arkeologjisë. Në interval kohe, në vitin 1974 ka kryer dhe një kurs për arkivist, pasi ia kërkonte vendi i tij i punës ku punoi deri në vitin 1979. Në të gjitha ciklet e arsimimit të lartë dhe ato të kurseve ka qenë i zellshëm dhe i ka përfunduar në nivelin shumë mirë dhe mirë, duke përfituar dhe kulturalisht si kuadër me shumë vlerë, që i ka përdorur në punët dhe veprimtaritë që ka kryer.

Funksionet ku ka shërbyer

Nga 15 gushti 1961 ka punuar mësues i ciklit fillor me dy klasë kolektive në fshatin Lenë të Njësisë Administrative Martanesh, deri më 20 gusht 1963. Në vitin 1963-1964 punoi mësues me katër klasë kolektive në fshatin Staveç të krahinës së Martaneshit.

Në vitin arsimor 1964-1965 shërbeu mësues në fshatin Kurdari, në ciklin fillor. Në vitin arsimor 1965-1967, dy vjet punoi mësues në ciklin fillor në fshatin Patin, ku kreu dhe detyrën e përgjegjësit të asaj shkolle me 5 klasë. Nga viti 1972 deri në vitin 1974 mësues dhe drejtor shkolle ne shkollën 8-vjeçare (sot 9-vjeçare) “Veli Alla” në fshatin Rripë në Njësinë Administrative të Gurrës në Bashkinë Klos, Qarku Dibër. Nga viti 1974 deri në vitin 1979, për pesë vjet ka punuar kryetar i Degës së Arkivit të Shtetit (i njësuar me funksionin e drejtorit) pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Republikës së Shqipërisë. Në gusht 1979 deri me 20 korrik 1992, oficer karriere në Ushtri në funksionin politik, me detyrë komisar në ShLU Burrel. Në dhjetor 1994 deri me 15 mars 2008, drejtor në Muzeun Historik të rrethit Mat, kohë kur dhe doli në pension pleqërie, ku në këtë kohë përfundoi dhe angazhimi i tij me punë dhe detyra shtetrore.

Veprimtaria shoqërore

Si gjatë punës dhe pas, me daljen në pension, Seferi, falë gjendjes së mirë shëndetësore, nivelit të lartë intelektual, dëshirës për t’u shërbyer interesave publike, ka qenë i angazhuar me shumë detyra shoqërore të sistemit politik të para dhe pas viteve 1990. Gjatë kohës si mësues në fshatin Kurdari ka qenë i zgjedhur kryetar i Organizatës së Bashkimeve Profesionale të mësuesve në atë fshat. Me transferimin e tij në fshatin Patin si mësues, ka qenë i zgjedhur Sekretar i Komitetit të Rinisë në ish-kooperativën bujqësore “1 Maji”, ku përfshiheshin e vareshin katër organizata rinie, ajo e fshatit Patin, Cërujë, Pleshë dhe Bershi. Në vitin 1966 ka qenë i zgjedhur anëtar i Plenumit të Rinisë për rrethin e Matit.

Me fillimin dhe vijimin e studimeve të larta, ka qenë i zgjedhur anëtar i Byrosë së Rinisë të Kursit “C” të fakultetit Histori-Filologji.

Me emrimin e tij si mësues në fshatin Rripë, ka qenë i zgjedhur kryetar i Organizatës së Bashkimeve Profesionale të Arsimit dhe Shëndetësisë të atij fshati për një vit. Që nga viti 1972 deri në vitin 1993, ka qenë i zgjedhur kryetar i Shoqatës së Historianëve të rrethit Mat, që vepronte brenda strukturës së Muzeut Historik të rrethit Mat. Me formimin e Shoqatës Shkencore “Elena Gjika” për pesë vjet ka qenë sekretar i Përgjithshëm i saj dhe më pas, deri me shuarjen e saj në vitin 2009, ka qenë kryetar i saj. Me formimin e Shoqatës “Bashkimi i Përgjithshëm Vijues i Pensionistëve të Shqipërisë, dega Mat, ka qenë dhe vijon të jetë kryetar i saj. Me aderimin e tij në Organizatën e Veteranëve e të Pasardhësve të LANÇ, nga viti 1999 në vitin 2005 ka qenë zgjedhur në Komitetin Drejtues dhe në Kryesinë e tij dhe për tri legjislatura, 2009-2012, ka qenë nënkryetar i Komitetit dhe më pas e në vijim prej vitit 2019 i zgjedhur kryetar i Komitetit të OVP të LANÇ të rrethit Mat. Po në këtë kuadër, prej vitit 2019, është i zgjedhur anëtar i Komitetit Kombëtar dhe i Kryesisë së atij Komiteti. Aderon në Organizatën Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut dhe i zgjedhur në Këshillin Kombëtar anëtar dhe në kryesi po ashtu si anëtar. Është i zgjedhur në Bordin e Aktiviteteve Kulturore, Historike e Artistike pranë Qendërs Kulturore të Bashkisë Mat. Është antar i Kolegjiumit të Revistës Kombëtare “PAVDEKSIA”. Po ashtu është dhe anëtar i Kryesisë së BPVPSh. Në të gjitha këto struktura shoqërore si anëtar apo drejtues, ka shkëlqyer në punët dhe veprimtaritë me kompetencë dhe ka dhënë kontributin e tij me shumë vlerë duke i çuar punët dhe veprimtaritë gjithnjë përpara me arritje të lartë treguesish, duke lënë gjurmë pozitive në të gjitha drejtimet.

Jeta familjare

Sefer Duka është lindur e rritur në një familje patriarkale me shumë kurorë, bashkëjetesë në një vatër familjare. Në vitin 1967, kjo familje përbëhej me 10 kurorë dhe me 38 pjesëtarë të saj. Si e tillë, kjo familje bëri të njohur jo vetëm doket zakonore të viteve të para të çlirimit të vendit, por dhe “shartimin” për ndryshimin e tyre me norma e sjellje të reja të civilzuara socialiste ku mori zhvillim më të theksuar, më pas me decentralizimin e familjes në çifte të reja familjare, kundër atyre tradicionale patriarkale konservatore. Me martesën e tij me Mine Bajram Fizmani, nga fshati Kurdari (sot fshati Skënderaj) më 2 prill 1967 krijoi familjen e tij të re si trung më vete. Si moment i veçantë i krijimit të kësaj familjeje, është zëvendësimi i zakoneve të vjetra dasmore me zakonet e reja të kohës. Si i ri dhe aderues në Organizatën e Rinisë së Punës së Shqipërisë, duke qenë dhe i zgjedhur në forumin drejtues në Pleniumin e Rinisë së rrethit Mat, dha një shembull personal, i pari në Mat, në këtë proces transformues zakonore me norma të reja socialiste, akt që u përgjithësua nga nivel kombëtar përmes gazetës “Bashkimi”, organ i Frontit Demokratik, të datës 5 prill 1967, Nga kjo familje e re e tij lindën, u rritën dhe u edukuan kulturalisht katër fëmijë: djemtë Alfredi dhe Arseni e vajzat Lisina e Nertila, të cilët aktualisht punojnë, kontribuojnë dhe jetojnë në vende të ndryshme te vendit dhe jo vetëm, ku dallohen për kontribute dhe sjellje e kulturë qytetare, në komunitet. Shembull pozitiv për ‘to ka qenë dhe është babai i tyre, Seferi.

Si familjar dhe kryefamiljar, emri i tij përmendet si një shembull pozitiv në punë, veprimtari dhe në vendbanim, duke zbatuar rigorozisht tërë normat e marrëdhënieve shoqërore të avancuar të kohës dje dhe sot.

Vlerësime dhe tituj nderi

Nga Biografia që ka hartuar Komiteti e OVP të LANÇ, Bashkia Mat , mësojmë se “Harku kohor prej 65 vitesh i jetës aktive të Seëfer Dukës ka qenë i ngarkuar me punë zyrtare e shtetrore, me një jetë të gjallë shoqërore të spikatur dhe i angazhuar me shumë veprimtari sistematike dhe të ndryshme, të cilat kanë qenë në vemndje sistematike dhe në vlerësim të institucioneve eprore të tij”. Në rrugëtim e gjatë e sipër i janë akorduar disa Fletë Nderi e Lavdërimi. Nga ish-Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë i është akorduar medalja e Urdhërit “Ylli i Kuq” i klasit të Tretë dhe Urdhëri “Për shërbime të shquara shtetrore e shoqërore” të klasit të Dytë. Për kontribute të veçanta i janë dhënë disa tituj Nderi: Nderi i Krahinës së Martaneshit (2004); Qytetar Nderi i ish-Komunës Suç (2013), Qytetar Nderi i Bashkisë Burrel (2013); Qytetar Nderi i Bashkisë Mat (2019); Nderi i Organizatës së Veteranëve e të Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar, “Nderi i Kombit; Nderi i Shoqatës Kombëtare të Bashkimit të Përgjithshëm Vijues të Pensionistëve të Shqipërisë, Nderi i Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve të LANÇ dhe Dëshmorëve të Tjerë të Atdheut, Nderi i Shoqatës Kombëtare Kulturore e Sportive “Nënë Tereza”, anëtar Nderi i Organizatës së Veteranëve e të Pasardhësve të LANÇ, rrethi Mat, Mirënjohje nga OKDA Mat. Në vitin 2023, Fondacioni Universal Botëror i Paqes i ka akorduar titullin e lartë “Ambasador për Paqen”. Shoqata Historiko-Kulturore “Dilaver Kurti” i ka dhënë çmimin letrar “Penda Budi” për shkrime historike shkencore me cilësi të lartë. Gjithashtu, opinioni i gjerë shoqëror në rrethin e Matit, në veçanti specialistë të fushave të ndryshme të historisë dhe kulturës, në unison, sipas një sondazhi të organizuar e zhvilluar nga hartuesit e kësaj biografie, në unison, në bashkim harmonik me deklarimet e të intervistuarve, nënvizon: “Sefer Duka, në punë e në jetën e tij aktive 65-vjeçare, ka manifestuar dashuri dhe urtësi me të gjithë: disiplinë, përkushtim në realizimin e detyrave; aktivist dhe kontribues i spikatur në fushën kërkimore e studimore në rrethin e Matit dhe jo vetëm; figurë të lartë moralo-shoqërore, që ka shërbyer si pikë referimi pozitiv për të tjerët, misionar progresist në zhvillimet social-ekonomiko-shoqërore në komunitet, njeri i sakrificës si dhe humanist që të gjendet pranë, jashtë interesave material personale, një familjar e prind shembullor, kontribues në konsolidimin e sistemit demokratik të vendit si një publicist i nivelit të lartë me publikim në median e shkruar dhe atë vizive në rang lokal e kombëtar”.