Gjyqi i montuar-Elda Dilo

Elda Dilo

 
​Kot i nxjerr provat mbi tryezë,
kot rreshton argumente dhe fjalë,
kur mbi ty peshon një tjetër peshë,
dhe çdo rregull ka vdekur më parë.
 
 
​Gabohesh nëse pret një të vërtetë,
atje ku arbitri ushqehet me dhimbje,
sorkadhja s’e fiton kurrë atë gjyq,
ku gjyqtari shet mish për përfitime.

 

​Kur ligji matet me thikën e kasapit,
dhe drejtësia ka çmimin e vet në treg,
nuk vlen të ulësh kokën para fatit,
në një teatër ku asgjë nuk vlen.

 

​E vetmja gjë që të mbetet në dorë,
kur e sheh se loja është pa shpresë,
është të ndryshosh gjyqtarin, mjedisin,
dhe të mos pranosh të bëhesh më pjesë.
​Kthehu e bëhu ti ligji i vetvetes,

merre në dorë timonin e kësaj jete,

sepse shpirti nuk mban dot filtra,

dhe liria nuk falet… fitohet prej teje.