Melisa Baboci
Poetët e natës!
Poetët janë njerëz të çuditshëm, ecin rrugëve pa mbërritur askund, mbledhin fjalë të rrëzuara në pluhur dhe i kthejnë në yje për një sekondë.
Nuk i besojnë orëve, sepse koha u ikën nga duart, rrijnë zgjuar me hënën dhe flenë kur zgjohet bota.
Poetët qeshin me veten, si me një mik të vjetër e të lodhur, ndërtojnë pallate me ëndrra mbi themele të padukshme.
I duan njerëzit shumë, por shpesh rrinë vetëm, sepse zemra e tyre është një qytet me mijëra dritare.
Poetët nuk janë të mençur, siç thonë librat e rëndë, ata thjesht dinë të dëgjojnë atë që të tjerët e lënë pa zë.
Poetët si poetët… një ditë qajnë për një lule, një ditë shkruajnë për një yll, dhe gjithë jetën kërkojnë një fjalë që ende nuk është thënë.