ESE
Nga: Alma Begaj
Që prej fillimit kam besuar se dija nuk është kurrë neutrale. Ajo udhëhiqet nga interesat njerëzore: teknike, praktike dhe emancipuese. Shkenca na jep mjetet për të kontrolluar natyrën, interpretimi na ndihmon të kuptojmë kulturën dhe komunikimin, ndërsa kritika na çliron nga dominimi. Nuk mjafton të shpjegojmë botën, sepse dija duhet të na bëjë më të vetëdijshëm, më autonomë dhe më të lirë. Ndaj kuptohet pse arsimi është këtu ku është. Dhe Shqipëria në këtë status.
Gjithsesi, në rrugëtimin tim, kam parë se shkenca moderne është një dialektikë e hapur: nga njëra anë, ajo është instrumentale, e përdorur për kontroll, nga ana tjetër, ajo hap horizonte emancipimi. Pa tensione (zhvillime ndryshe), shoqëria bie në letargji. Me tension (revolucion), lind zhvillimi. Dhe pikërisht ky tension është gjenerator i emancipimit.
Shqipëria sot është në një pikë të tillë. 22 ditë protesta kanë treguar se të rinjtë nuk pranojnë më letargjinë. Ata kërkojnë shtetin e së drejtës, thërrasin diasporën mendjeartë të kthehet, dhe e shohin vendin si hapësirë që nuk duhet braktisur. Kaosi i këtyre ditëve s’është fundi, por thirrje për riorganizim. Është një shkundje historike, një moment i dytë 1990, por këtë herë me vetëdije më të madhe dhe horizont global.
Ky vizion kërkon ndryshim të thellë. Shqipëria duhet të rinohet në çdo dimension: politik, ekonomik dhe moral. Ky brez a gjeneratë duhet të mbajë në supe përgjegjësi për realizimin e këtij vizioni për zhvillim të qëndrueshëm. Politika duhet të ndërtojë institucione të forta, ekonomia të bazohet në meritokraci dhe zhvillim të ndershëm, morali të krijojë një kulturë të re drejtësie e solidariteti. Këto tri fusha nuk mund të ecin veçmas sepse ato janë hallka të ndërthurura dhe duhet të ecin paralelisht.
Por zemra e këtij ndryshimi janë institucionet. Parlamenti duhet të pastrohet nga votat e korruptuara, administrata publike nga ofiqet e pamerituara, dhe gjykatat duhet të jenë të paanshme, me ligj të barabartë për të gjithë. Pa këto tri hallka, nuk ka emancipim. Ky është momenti për një pakt të ri shoqëror, ku populli dhe institucionet bashkë vendosin themelet e Shqipërisë së rinovuar.
Udha duhet të jetë e menjëhershme. Boll zgjati tranzicioni. Tridhjetë e pesë vjet nuk janë pak. Çdo pesëvjepar prova që s’na kanë çuar askund përvepse largimit të trurit në mërgatë.
Shqipëria duhet të thotë: “Ligji për të gjithë, pa përjashtim.” Vetëm atëherë konstituimi i ri shoqëror merr formë, duke e kthyer vendin në një hapësirë ku politika, ekonomia dhe morali ecin bashkë për të garantuar liri e drejtësi.
Imagjinoj një vend ku individi është i ndërgjegjshëm, solidar, i merituar të punojë dhe të jetojë i sigurt, në harmoni bashkëqytetare. Një shtet pa korrupsion e rryshfete, ku qytetari është i lirë të thithë oksigjenin e natyrës më të bukur, Shqipëria.
Të imagjinosh, nuk paguan lekë. Paguan thjesht kohën tënde. Duhet gjithnjë të jesh në vendin e duhur, kohën e duhur dhe vizionin e qartë për ndryshim!
Në pritje të ndryshimeve esenciale.
