Për të zgjidhur këtë situatë ku jemi, ka një zgjidhje: Drejtësia!Ervina Toptani

Për të zgjidhur këtë situatë ku jemi, ka një zgjidhje: Drejtësia!

Në demokraci ekzistojnë disa rrugë për largimin e një qeverie nga pushteti: dorëheqja, humbja e shumicës parlamentare, mocioni i mosbesimit ose humbja e zgjedhjeve. Këto janë mekanizmat klasikë që garantojnë rotacionin e pushtetit dhe funksionimin normal të shtetit demokratik.

Por çfarë ndodh kur asnjëra prej këtyre rrugëve nuk duket e mundur?

Çfarë ndodh kur shumica parlamentare është e konsoliduar dhe deputetëve nuk ia do intetesi të rrëzojnë qeverinë, kur protestat, sado të zgjasin nuk e prodhojnë efektin e dëshiruar politik?

Nëse gjendemi në këtë pikë a ekziston ende një mekanizëm që mund të rikthejë llogaridhënien?

Po, ky mekanizëm ekziston dhe quhet drejtësi. Nëse ajo do të ishte e pavarur, e pakorruptuar dhe e paanshme do të gjendej zgjidhja që shqiptarët kërkojnë prej sa kohësh tashmë.

Nëse SPAK do të donte të riikthente shpresën, ky është momenti!

Në një sistem ku pushteti politik kontrollon shumicën parlamentare, institucioni i vetëm që mund të tronditë themelet e qeverisjes është një prokurori që heton pa frikë dhe pa favore. Detyra e SPAK-ut në fakt nuk është të bëjë politikë por të zbatojë ligjin e nëse ligji do të zbatohej, e gjithë qeveria besoj do të ishte në arrest me burg. Kur ligji zbatohet pa kompromis, pasojat politike vijnë vetë pse janë të pashmangshme.

A ka SPAK-u guximin të hetojë deri në fund? A munden ta shpëtojnë Shqipërinë duke zbatuar ligjin e asgje tjetër më shumë?

Shqipëria nuk ka nevojë për prokurorë që bëjnë deklarata. Ka nevojë për prokurorë që ndjekin provat kudo ku ato çojnë dhe japin vendime të formës së prerë. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe Shqipëria e gjitha vuan vetëm për zbatimin e këtij togfjalëshi!

Shpresa e qytetarëve sot nuk qëndron më te partitë, por tek institucionet që duhet të jenë të pavarura.

Një SPAK i fortë e shpëton Shqipërinë duke krijuar bindjen se askush nuk është i paprekshëm, se postet politike nuk janë mburojë, se pushteti nuk është imunitet, se ligji është më i fortë se çdo qeveri.

Qeveritë rrëzohen vetëm humbasin legjitimitetin politik ose kur përballen me forcën e ligjit. Kur mekanizmat politikë nuk ekzistojnë, atëherë mbetet vetëm një shpresë: një drejtësi që nuk pyet se kush je, por jep vendimin për çfarë ke bërë.

Vetëm atëherë Shqipëria mund të fillojë të çlirohet nga kultura e pandëshkueshmërisë që e ka mbajtur peng për dekada dhe më në fund të nisë një fillim i ri.