Të mësuarit dhe të lexuarit nuk kanë moshë – sekreti për të mbetur i ri në mendje
Nga Agim Lika
“Kushdo që pushon së mësuari është i vjetër, qoftë ai 20 apo 80 vjeç.” Kjo thënie e njohur e Henry Ford mbetet edhe sot një nga mesazhet më domethënëse për shoqërinë moderne. Në një kohë kur bota ndryshon me ritme marramendëse, të mësuarit gjatë gjithë jetës nuk është më një zgjedhje, por një domosdoshmëri.
Shpesh pleqërinë e lidhim me kalimin e viteve, me thinjat apo dobësimin fizik. Në të vërtetë, plakja fillon në çastin kur njeriu humbet kureshtjen, pushon së lexuari, së pyeturi dhe së kërkuari dije. Një mendje që nuk ushqehet me njohuri të reja fillon të humbasë gjallërinë e saj, ndërsa një mendje aktive mbetet gjithmonë e re.
Përvoja e jetës e dëshmon më së miri këtë të vërtetë. Kam njohur njerëz mbi tetëdhjetë vjeç që vazhdojnë të lexojnë, të shkruajnë dhe të krijojnë me të njëjtin pasion si në rininë e tyre. Ata ruajnë një kujtesë të admirueshme, një mendim të kthjellët dhe një dëshirë të pashuar për të mësuar. Në anën tjetër, takojmë njerëz shumë më të rinj që kanë hequr dorë nga leximi dhe zhvillimi intelektual. Me kalimin e kohës kjo reflektohet jo vetëm në kujtesë, por edhe në mënyrën e të menduarit, të komunikuarit dhe të përballimit të sfidave të jetës.
Shkenca e ka vërtetuar prej kohësh se aktiviteti mendor ndihmon në ruajtjen e funksioneve njohëse. Leximi, shkrimi, mësimi i aftësive të reja dhe angazhimi në veprimtari krijuese e mbajnë trurin aktiv dhe përmirësojnë cilësinë e jetës. Mendja është si një muskul: sa më shumë të ushtrohet, aq më e fortë bëhet.
Megjithatë, mësimi nuk kufizohet vetëm te librat. Çdo përvojë, çdo takim me njerëz të ndryshëm, çdo sfidë dhe madje edhe çdo gabim përbën një mësim të vlefshëm. Universiteti më i madh mbetet vetë jeta, e cila çdo ditë na jep mundësinë të bëhemi më të ditur dhe më të mençur.
Historia njeh shumë personalitete që veprat më të rëndësishme i krijuan në moshë të thyer. Ata nuk u dorëzuan përballë viteve, sepse e kuptuan se mosha nuk është pengesë për të menduar, për të krijuar dhe për të kontribuar. Rinia nuk është vetëm çështje moshe; ajo është një gjendje e mendjes dhe e shpirtit.
Fatkeqësisht, shoqëria e sotme po përballet me një fenomen shqetësues. Shumë njerëz kalojnë orë të tëra në rrjetet sociale, si Instagram, TikTok e platforma të tjera, ndërsa libri po zë gjithnjë e më pak vend në jetën e përditshme. Pak ditë më parë, gjatë një shëtitjeje në plazh, mes qindra njerëzve pashë vetëm tre persona me libra në duar. Ky ishte një imazh domethënës, që më bëri të reflektoj. Bibliotekat po zbrazen, ndërsa ekranet po mbushin çdo çast të lirë të ditës.
Paradoksi është se sot botohen më shumë libra se kurrë më parë. Titujt janë të shumtë dhe temat tepër të larmishme, por numri i lexuesve duket se po zvogëlohet. Megjithatë, librat me vlerë historike vazhdojnë të zgjojnë interes të veçantë. Një shembull është libri ynë më i ri, i shkruar në bashkautorësi me Hajrush Konin, “Ishmi në regjistrin austro-hungarez 1918”, i cili ka tërhequr vëmendjen e banorëve vendas, sepse sjell për herë të parë të dhëna autentike mbi familjet, numrin e shtëpive, banorëve, mbiemrat, moshën e tyre dhe shumë informacione të tjera me rëndësi historike e gjenealogjike. Kjo tregon se libri mbetet një burim i pazëvendësueshëm njohurish kur ai sjell fakte të reja dhe ruan kujtesën kolektive.
Shoqëria jonë ka nevojë të promovojë kulturën e të mësuarit gjatë gjithë jetës. Duhet të inkurajojmë leximin, të mbështesim krijimtarinë dhe të vlerësojmë ata që vazhdojnë të mësojnë, pavarësisht moshës. Çdo faqe libri e lexuar, çdo njohuri e fituar dhe çdo përvojë e reflektuar është një investim për një jetë më të pasur dhe një shoqëri më të zhvilluar.
Në fund të fundit, vitet nuk janë ato që përcaktojnë sa të rinj jemi. Ajo që na mban të rinj është etja për dije, dëshira për të kuptuar botën dhe guximi për të mësuar diçka të re çdo ditë. Për sa kohë njeriu ruan kureshtjen, vazhdon të lexojë dhe të mësojë, ai mbetet i ri në mendje, i pasur në shpirt dhe i vlefshëm për shoqërinë.
Sepse njeriu nuk plaket kur i shtohen vitet; ai plaket vetëm kur i shteron dëshira për të mësuar.