Sikur të vije siç më vjen në ëndrra-Arjana Fetahu Gaba

Arjana Fetahu Gaba

Sikur të vije siç më vjen në ëndrra
 
Sikur të vije siç më vjen në ëndrra,
Ku mua gjithmonë më shtang habia,
Do të ktheja trupin në një flutur mali,
Mjaft lodhur n’pafuqitë e mija.
 
 
Sikur të vije siç më vjen në ëndrra,
Buzë eshkë dhe sytë mallur për diell,
Pak ujë hëne të mbledhur shpirtit,
Me erën e parë sakaq do ta sjell.

 

Sikur të vije siç më vjen në ëndrra,
Aty ku gjejmë kohë të çmallemi bashkë,
Per zotin të ikje më s’do të lija ,
Se unë do t’isha një lule Pashkë.
 
Sikur të vije siç më vjen në ëndrra,
Ah ato ëndrra me ty nëpër natë,
Unë akoma besoj dashurive të zjarrta,
Dhe pse e jona qe e pafatë.
Arjana Fetahu Gaba
March 19, 2018
( ripostim)