Dashuria – zjarr dhe lot-Vullnet Mato

Vullnet Mato

 
Shpesh qielli me retë loton,
pema me gjethe lotët pikon,
lulja me vesë, petalet pastron,
syri, dhimbjen me lotë largon.
 
Dielli me gjithë lotët shuan etjen,
me lot mbush lumenjtë dhe detet,
me lot ushqen, bimët që rriten,
me lot vajton tokat që përmbyten.

 

Dielli me zarr, shekujt përjeton,
me zjarr vere, pyjet shkrumbon,
me zjarr ndez çdo zemër, që dashuron,
dashuria, vetëm me lot e zjarr jeton.
 
Cilin zjarr duhet të shuaj njeriu më parë,
kur gjithçka në botë, ka përbrenda zjarr?
Me zjarr dhe lot, është krijuar kjo botë,
njeriu vdes, se lotët e zjarret s’i shuan dot…