Gëzim Llojdia
1.
Vitet ’20 kanë ngjarje të rëndësishme për shqiptarët. Lufta e Vlorës ,që pengoi më tej copëtimin.
Një personazh i kësaj lufte që u zgjodh pas betejës së Kotës,dikur thirrej fusha e Ahmete dhe Kotë i mbeti emri nga italianët që ndërtuan garnizonin më të fuqishëm me gjeneral Gotin,ky vend që u quajt nga rapsodët e kohës :
”Obobo se ç’qenka Kota/
më e bukur se Evropa…
(dhe asaj dite që gjëmonte 5 qershor 1920 A.Agaj shprehet ditën sulmit për sokëllimët dhe thirrjet origjinale .
Asnjë imitacion i tillë ,por gjithsekush thërriste mikun,shokun,nganjëherë dhe kundërshtarin por jo armikun e tij me emër dhe aq fortë sa tundej mali.
-O Hasan, nga vajte o m…i gomarit,del në shesh të burrave,ose
-O o o Kanan,ku je qen i qënit, del të shohësh si luftojnë burrat….)pra nga aty hyri në Vlorë në krye të trupave shqiptare, pas një beteje të zhvilluar më parë, më 3 shtator 1920.
Për merita në këtë luftë i dhuruan edhe një vilë në Ujë të Ftohtë. Dhe për atë kohë të luftës burrat e kishin bërë benë e madhe të mos rruheshin deri sa të lirohej Vlora,thotë A.Agaj ndërsa në
vjershën kushtuar këtij burri thuhet:
Zoti Qazim trashamani,
i thotë vilajtetit c’bani,
dhe vilajeti dëgjuan,
muarr dyfeqet e shkuan….
2.

Ky burrë që kishte lindur në një katund, që thirrej Kocul më 22 gusht 1887,i biri i Muhamet Kociut quhej ,pra ky ishte Qazim Koculi. Në historinë e saj ky vend ka edhe këtë fakt. Kryeministër për 6 orë ose një ditë kryeministër dhe e çuditshme edhe dita shënonte 6 dhjetor 1921 .
Keni dëgjuar për një kryeministër që një ditë të tërë krye këtë detyrë të lartë shtetërore?Si e përshkruajnë mediumet tona në vitet 200:
” Kriza e dhjetorit 1921 e gjeti në krahun e forcave që ishin për rrëzimin e qeverisë së Evangjelit. Nga kjo krizë ai u bë protagonist jo me ndonjë dëshirë të madhe, duke hyrë në histori edhe si kryeministri njëditor i Shqipërisë.
Ai më 6 dhjetor formoi pa konsultime një kabinet prej 8 anëtarësh, për askush nuk që i gatshëm të ndihmonte.
I vetmi urdhër që lëshoi “kryeministri” njëditor ishte ai për drejtorin e përgjithshëm të postave, të cilin e urdhëroi të mos lëshonte asnjë lloj telegrami të pakontrolluar prej tij.Nga këto dy shkaqe, Koculi dha dorëheqjen brenda të njëjtës ditë që u emërua kryeministër.
3.
Për herë të parë emrin e Qazim Koculit e kam ndeshur në dokumente që lidhen me Luftën e Vlorës. Më vonë, në vitet ’70, mësova se djali i tij dhe pjesëtarë të tjerë të familjes u internuan në Kuç. Për kohën, një masë e tillë konsiderohej e zakonshme nga regjimi.
Në Kuç,punuan deri në ardhjen e demokracisë, familjarët jetuan të izoluar, të mbyllur brenda kufijve të internimit, duke kaluar vite të tëra në punë të detyruar për ekonominë socialiste dhe duke humbur një pjesë të çmuar të jetës së tyre.
4.
Po citoj disa rrëfime të pabotuara për Qazim Koculin, të cilat i kam regjistruar posaçërisht.Fahri Shaska, me origjinë nga fshati Kocul i Vlorës, disponon një bibliotekë të pasur me botime dhe dokumente historike, e cila, sipas tij, është më e pasur se biblioteka publike. Ai shprehet:
“Për 35 vjet, Qazim Koculi zhvilloi një aktivitet të gjerë politik, ushtarak dhe administrativ.
Ai ishte deputet, senator, prefekt, ministër dhe kryeministër, por mbi të gjitha komandanti ushtarak i epopesë së Luftës së Vlorës. Veprimtarinë e nisi në vitin 1908, pasi përfundoi studimet e larta ushtarake në Stamboll, dhe e mbylli më 5 janar 1943, kur u vra në mënyrë të pabesë nga italianët dhe bashkëpunëtorët e tyre.”
Sipas tij, komunistët e kritikuan Qazim Koculin për kthimin në Shqipëri pas 15 vjetësh emigrimi, në qershor të vitit 1939. Për këtë kritikë, Koculi ishte përgjigjur:
“Kur shtëpia merr flakë dhe fëmijët janë brenda, burri nuk rri e bën sehir, por futet të shpëtojë ç’të mundet, edhe pse e di se çatia mund t’i bjerë mbi kokë. Shqipëria ka marrë flakë. Unë nuk mund të bëj sehir, edhe pse e di fundin tim.”Sipas ketij autori , një tjetër arsye pse regjimi komunist e shpalli armik ishte qëndrimi i tij i hapur antikomunist.Ai rrëfen se Enver Hoxha dërgoi Hysni Kapon në shtëpinë e Koculit në Kocul për ta bindur të bashkohej me lëvizjen komuniste, por Qazim Koculi e përzuri dhe kundërshtoi hapur idetë komuniste. Sipas këtij rrëfimi, ai nuk u dënua sepse ishte kthyer në kohën e pushtimit italian, por për shkak të bindjeve të tij antikomuniste.
5.
Kujtime nga dorëshkrimi i Faik Qukut.
Faik Quku shkruan:”Qazim Koculi ishte mburrja dhe shpresa e atdheut. Me prestigjin e madh që gëzonte në popull, ai mbetej armiku numër një dhe më i rrezikshmi për Italinë. Ai kishte veshur maskën e pajtimit me gjendjen, por në të vërtetë përgatitej për rezistencë. Për Qazim Koculin, si realist i vërtetë, rëndësi kishte shpëtimi i Shqipërisë dhe jo forma e veprimit. Kjo sjellje nuk e lëkundte besimin e patriotëve ndaj tij, por as nuk i bindte italianët për sinqeritetin e tij.”Ai sjell edhe një bisedë me Qazim Koculin:
“I thashë: Qazim, nuk të ka hije të përzihesh kaq shumë me italianët.
Ai m’u përgjigj: Faik, nën maskën e bashkëpunimit duhet të përgatitemi për t’i goditur italianët. Duhet të përgatisim një Luftë të re të Vlorës.'”
Kur e pyeti për mikun e tij Mustafa Kruja, Koculi u përgjigj:
“Në rast të një lufte mes Shqipërisë dhe Italisë, Mustafai është me Shqipërinë.”
Një ditë para nisjes për në Vlorë, më 4 janar 1943, Athanas Simonidhi e paralajmëroi të mos shkonte, pasi do ta vrisnin. Qazim Koculi iu përgjigj shkurt:
“E di, por do të shkoj.”
Sipas Simonidhit, bashkëshortja e gjeneral Zanin-it kishte thënë se Qazim Koculi do të shkonte në Vlorë dhe më 9 janar do të dilte në ilegalitet.Faik Quku përfundon se, me vrasjen e Qazim Koculit, italianët eliminuan njeriun më të aftë, më revolucionar dhe më të rrezikshëm për pushtimin e tyre në Shqipëri.Sipas tij, Koculi ishte figura më e përgatitur për të udhëhequr popullin në një luftë vendimtare kundër Italisë dhe, po të kishte mbetur gjallë, fati i Shqipërisë mund të kishte marrë një drejtim tjetër.
6.
Pas vrasjes së tij, sipas dorëshkrimit, drejtues të B.K dhe të Lëvizjes Nacionalçlirimtare u mblodhën në Velçë për të diskutuar mundësinë e një sulmi kundër Vlorës dhe forcave italiane. Plani parashikonte edhe hedhjen në erë të Urës së Mifolit dhe largimin e grave e fëmijëve drejt Mallakastrës. Megjithatë, sipas Qukut, plani nuk u zbatua pasi Beqir Sulua argumentoi se italianët ishin ende shumë të fortë dhe hakmarrja e tyre do të sillte pasoja të rënda.
Në të njëjtin dorëshkrim thuhet se gjeneral Zanini, i konsideruar organizatori i vrasjes së Qazim Koculit, u transferua menjëherë në Itali. Po aty kujtohet se, pas fitores në Luftën e Vlorës, Komiteti i Luftës i dhuroi Qazim Koculit një vilë në Ujë të Ftohtë, banesë që ekziston edhe sot…
Ne foto vila Koculi ne Ujine e Ftohte.