Kujt i kemi hyrë në hak? Marigona Zekaj

Marigona Zekaj

Kujt i kemi hyrë në hak?

Kujt i kemi hyrë në hak që sot fjala ka humbur peshën e saj, dhe vendin e saj e ka zënë zhurma e armës?

Çfarë kemi bërë që komunikimi na duket dobësi, ndërsa dhuna zgjidhje?

Një fjalë e thënë me mend, një bisedë e sinqertë, një dorë e zgjatur mjafton për të shmangur përçarjet. Sot, në vend të fjalës, zgjedhim heshtjen e rëndë ose shpërthimin e menjëhershëm. Nuk dëgjojmë më për të kuptuar, por presim vetëm momentin për të reaguar. Dhe kur fjala dështon, ne nuk përpiqemi ta gjejmë atë përsëri ne zgjedhim armën.

Por arma nuk është vetëm ajo që mbahet në dorë. Ajo fillon shumë më herët në mendjen që nuk pranon dialogun, në shpirtin që nuk njeh durimin, në egon që nuk di të tërhiqet. Arma lind aty ku fjala vritet.

Çdo ditë bëhemi dëshmitarë të një shoqërie që largohet nga vetja. Një shoqëri që harron se forca më e madhe është të dish të flasësh, të dëgjosh, të falësh. Sepse është më e lehtë të ngrisësh zërin sesa të ulësh krenarinë. Është më e lehtë të lëndosh sesa të kuptosh.

Dhe pastaj pyesim veten: ku gabuam?

Ndoshta gabimi ynë fillon aty ku gjaku i atyre që ranë për këtë tokë nuk u kujtua sa duhet, e as lufta nuk na la përshtypjen që duhej.

Ndoshta kemi harruar se njeriu nuk bëhet më i madh kur vret as nipin, as vëllain, as gruan etj etj.

Kujt i kemi hyrë në hak?

Ndoshta vetes sonë. Sepse çdo herë që zgjedhim dhunën në vend të dashurisë, ndoshta zgjedhim mallin në vend të qetësisë, dhe kështu humbasim njerëzoren brenda nesh.

Dhe nëse vazhdojmë kështu, një ditë nuk do të kemi më as fjalë për të thënë vetëm heshtje që rëndon më shumë se çdo krismë.

Andaj nuk e kam anashkaluar profesionin tim, dhe kam zgjedhur shpirtin tim të pastër, jo emrin e madh ne një shoqëri qe ne vend te dialogut zgjedhë plumbin!!!!!