Vullnet Mato

Je bukur, por fytyra tregon të mungon diçka,
siç i mungon kaltërsia qiellit, me re veshur,
siç i mungon liqenit pasqyrimi, nga mjegulla,
të mungon ndjenja, që të bën të qeshur.
Je bukur, por syrit tënd, i mungon diçka,
siç i mungon familjes, njeriu mërguar larg,
siç i mungon motrës, vëllai, kur s’e ka,
të mungon gjysma tjetër, shpirti binjak.
Je bukur, por buzëve të tua u mungon diçka,
siç mungon mjalti hojeve, nga lulet vonuar,
siç u mungon petëve, sherbeti në bakllava,
të mungon puthja e zjarrtë, në buzët e tua.
Je bukur, por shtatit tënd, i mungon diçka,
siç i mungon blerimi Saharës, mbuluar nga rëra,
siç i mungon çiftit, partneri krahëpërkrah,
të mungon dashuria, që t‘i plotëson të tëra…