G. Llojdia

1.
Botërori ka gjithmonë një veçori të rrallë: ai nuk kurorëzon vetëm kampionë, por rrëzon edhe mite. Çdo katër vjet, historia e futbollit rishkruhet dhe hierarkitë që dukeshin të pathyeshme lëkunden. Ata që i kemi quajtur prej dekadash “të mëdhenjtë” po bien njëri pas tjetrit. Si në atë shprehjen popullore: ca sot, ca nesër, e ca të tjerë do ta kenë radhën pasnesër.
2.
Gjermaninë e nxori nga gara Paraguai. Një skuadër e organizuar, e guximshme dhe e bindur se emri nuk fiton ndeshje.
Holandën e Van Bastenit, Gullitit dhe vëllezërve Koeman, dikur simbol i futbollit total, e la pas Maroku, me freskinë, ritmin dhe besimin e një brezi të ri. Senegali i dha Belgjikës një leksion karakteri për plot 85 minuta.Kongo,Alegjeria,Korea, Japonia, Afrika e Jugut dhe skuadra të tjera treguan se futbolli nuk njeh më aristokraci. Ai respekton vetëm meritën.
3.
Në fushë nuk fiton më pesha e fanellës, por pesha e lojës. Nuk mjafton më lavdia e së shkuarës për të imponuar të tashmen. Futbolli modern kërkon shpejtësi mendimi, disiplinë taktike, guxim dhe uri për fitore. Pikërisht këto cilësi i sollën në skenë skuadrat afrikane, aziatike dhe latinoamerikane. Ndërsa shumë prej përfaqësueseve evropiane u dukën të rënduara nga e shkuara e tyre, të lodhura fizikisht e psikologjikisht, me sytë nga arbitri dhe me shpresën se ndonjë penallti do t’i shpëtonte nga një realitet që nuk mund ta ndryshonin.
4.
Kështu, “të mëdhenjtë” po largohen një nga një. Edhe ata që do të mbeten në garë mund të jenë vetëm “mohikanët e fundit” të një epoke që po perëndon. Sepse koha nuk njeh privilegje, ajo njeh vetëm ata që dinë të rilindin.
5.
Në të vërtetë, kjo nuk është vetëm një histori futbolli. Është një metaforë e kohës sonë.
Rendi i ri botëror nuk po lind vetëm në politikë apo ekonomi. Ai po shfaqet në çdo fushë të jetës: në sport, në shkencë, në arsim, në kulturë, në teknologji. Qendrat tradicionale të pushtetit nuk janë më të vetmet që prodhojnë sukses.
Bota po bëhet më e hapur, më konkurruese dhe më e paparashikueshme.
6.
Historia na ka mësuar se asnjë fron nuk është i përjetshëm. Çdo brez ndërton mitet e veta dhe rrëzon ato të brezit paraardhës. Kështu ndodh edhe në futboll: emrat mbeten në libra, por lavdia duhet fituar çdo ditë, në çdo ndeshje.
Prandaj, ndoshta nuk ka më “të mëdhenj” dhe “të vegjël”. Ka vetëm ata që dinë të ecin me ritmin e kohës dhe ata që mbeten peng i lavdisë së djeshme.
7
Shumë mite do të bien vetvetiu. Shumë të tjerë do të ngrihen. Kjo është ligjësia e historisë. Dhe futbolli, si gjithmonë, është pasqyra më e bukur e saj.