Poetika e Mimoza Ahmetit, si një akt i vetëdijes sociale  dhe estetike- Teuta Sadiku

 Teuta Sadiku

 

Poetika e Mimoza Ahmetit, si një akt i vetëdijes sociale  dhe estetike.

Poezia “Letër Mamkës” e Mimoza Ahmetit është një reflektim i thellë mbi realitetin shoqëror dhe politik të Tiranës, duke përdorur një gjuhë të pasur figurative dhe një strukturë të lirë. Ahmeti, e njohur për stilin e saj të veçantë dhe shpesh të guximshëm, ka fituar çmime ndërkombëtare për poezinë e saj, duke përfshirë Festivalin e Parë të Poezisë në Sanremo në vitin 1988 . Poezia e saj shpesh ndërthur elemente të jetës personale me ato shoqërore, duke krijuar një pasqyrë të ndjeshme dhe kritike të Tiranës.

 Përshkrimi i Tiranës si një qytet i ngushtë dhe i lodhur pasqyron ndjesinë e izolimit dhe humbjes së identitetit në një mjedis urban që po ndryshon shpejt.

Tirana është fare e zakontë.
me ngushtësinë e shtëpive të ulëta,
me udhët e lodhura të dimrit,
me një pesëmbëdhjete katësh në qendër
ngritur si utopia ime,
me roje të përforcuara në udhëkryqe
ambasadash,
me policë-qukapikë qershori të zbehur.

Në këto vargje  Ahmeti  pikturon të gjallë antiheroizimin e kryeqytetit.

Tirana nuk paraqitet si qendër madhështore, por si qytet i rrudhur, i lodhur, i ngushtë.

Nëpërmjet kontrastit vertikal  shtëpitë e ulëta janë ngushtësi, varfëri, kufizim.

pesëmbëdhjetëkatëshi është shenjë utopie, moderniteti, ngritjeje, por edhe e një iluzioni urban.

Pra, “utopia ime” lexohet si ironi e hidhur: subjekti ka një utopi të vogël, të betonuar, të vetmuar, të futur në qendër të një qyteti të lodhur.

Për të dhënë hapësirën e militarizuar Ahmeti  vazhdon të pikturojë Tiranën ,rojet, ambasadat, policët , duke e lënë lexuesin të kuptojë se qyteti nuk është hapësirë lirie, por hapësirë vrojtimi dhe kontrolli.

Urbanja te Ahmeti është politikisht e ngarkuar dhe tiranë nuk është thjesht një qytet , por simptomë e historisë.

 Për të  pasqyruar një krizë morale dhe sociale në shoqëri, poezia përdor mekanizma artistikë.

Si i ndërton Ahmeti mekanizmat artistikë?

Kurrë shteti nuk ka qene kaq përballë njeriut,
kurre tradhtia e burrave nuk ka qen ë më në modë,
kurrë gjumë më të rëndë nuk kanë fjetur netët
dhe gratë më të humbura, më të zbrazura.

Ahmeti nuk e paraqet krizën personale si dramë private të shkëputur nga historia; përkundrazi, e koncepton karakterin individual si vend ku reflektohet dhe plasaritet çarja e shoqërisë ,një shoqëri në shpërbërje simbolike, ku autoriteti politik nuk është më absolut, por ende është kërcënues; ku lidhjet njerëzore nuk janë çliruar, por janë deformuar.

Përshkrimi i rrezikut si një dashuri kafshuese me gojë pa dhëmbë tregon një përballje me dhunën dhe manipulimin në jetën e përditshme.

Po të them e dashur, rreziku po më fton duke qeshur
me gojën pa dhëmbë të një dashurie kafshuese
me çarje në karakter,
që është një pjesë e çarjes shoqërore,

 Poezia e Ahmetit shfaq letërsinë si një mjet për të përballuar dhe përpunuar realitetin, duke përdorur vargjet si një formë të vetëmbrojtjes dhe shprehjes.

Nga një perspektivë sociologjike, poezia mund të interpretohet si një reflektim i tensioneve dhe çarjeve në shoqërinë shqiptare. Përshkrimi i rojeve dhe policëve si “policë-qukapikë” dhe “roje të përforcuara” sugjeron një shtet të fuqishëm dhe të kontrolluar, ku individët ndihen të mbikëqyrur dhe të kufizuar. Kjo pasqyron një shoqëri ku autoriteti dhe kontrolli janë të pranishëm në jetën e përditshme, duke krijuar një ndjesi të pasigurisë dhe frikës.

Por kjo poezi nuk është vetëm poezi sociale; është edhe dramë e vetëdijes. “Unë”-i lirik nuk është thjesht dëshmitar i realitetit; ai është trupi ku realiteti futet si plagë.

Dhe ja se si ndërtohet kjo:

Diç parandjej, mamka!

 subjekti është në alarm intuitiv dhe  jo në qetësi racionale.

rreziku po me fton duke qeshur

 rreziku nuk është ngjarje e jashtme, por një forcë joshëse, e afërt, gati intime;

po me rrezojne ende pa u ngritur

 Subjekti këtu sulmohet para se të ngrihet, pra kemi një dramë të pengimit të formimit të vetes.

Kjo do të thotë se poezia nuk duhet lexuar vetëm si pasqyrë e shoqërisë, por si internalizim i krizës shoqërore në vetëdijen e gruas-poete. Subjekti lirik e përjeton çarjen shoqërore si çarje të vetes; prandaj drama sociale dhe drama e vetëdijes ecin bashkë.

Poezia gjithashtu trajton çështje gjinore, duke theksuar humbjen dhe zbrazëtinë e grave, që mund të interpretohet si një kritikë ndaj pozicionit të gruas në shoqërinë shqiptare. Ky aspekt pasqyron dhe  lidhet me teoritë feministe që analizojnë rolin e gruas në strukturat shoqërore dhe ndikimin e normave kulturore në identitetin dhe statusin e saj.

Poetika e Ahmetit  në përgjithësi dhe “Letër mamkës”në veçanti  lexohen nga  këndvështrimi feminist.

Pse? Sepse poezia vë përballë:

  • tradhtinë e burrave,
  • gratë e humbura, të zbrazëta,
  • një subjekt femëror që flet, parashikon, reziston dhe shkruan.

Pra kemi tri figura të gruas:

-mamka ,e cila është kujtesa, streha, vazhdimësia femërore

-gratë e humbura të cilat  janë  viktima të një rendi social e moral.

– unë-i poetik ,çka është gruaja që nuk pranon të jetë viktimë, por e kthen traumën në gjuhë.

Në “Letër mamkës”, gruaja nuk paraqitet vetëm si qenie e dëmtuar nga kriza sociale. Ajo paraqitet edhe si subjekt i fjalës, i parandjenjës dhe i rezistencës estetike. Poezia e kthen përvojën femërore nga objekt i dhunës simbolike në subjekt të artikulimit kritik.

Letër mamkës” nuk është vetëm titull intim. Kjo poezi krijon një skenë rrëfimi. “Mamka” është:

  • adresë intime dhe mbrojtëse ,është  vendi ku subjekti mund të flasë pa maskë.
  • Mamka është figurë e memories, e origjinës dhe e strehës etike.
  •  
  • Mamka është bashkëbiseduese femërore, pra një kanal komunikimi mes gruas-bijë dhe gruas-nënë, përballë një bote mashkullore të tradhtisë, shtetit dhe dhunës.
  • Mamka është kontrast me hapësirën publike të Tiranës, ambasadave, policëve, shtetit.

Pra poezia ndërton dy hapësira:

-hapësirën publike që është Tirana, shteti, rojet, polici, tradhtia, rreziku dhe hapësira intime që është mamka, letra, rrëfimi, zëri i brendshëm, poezia.

Poezia “Letër mamkës” është  kalim nga hapësira publike e dhunës te hapësira intime e rrëfimit dhe e mbijetesës.

Si funksionojnë  këto hapësira ,si ndërtohen këto shenja poetike ?

“me roje të përforcuara në udhëkryqe ambasadash”

Kjo nuk është thjesht pamje qyteti. Kjo është topografi e ankthit politik.
Ambasadat në fundvitet ’80 / fillim ’90 janë shenjë e kufirit mes brendësisë së mbyllur shqiptare dhe botës së jashtme ,dëshirës për dalje, tensionit diplomatik dhe survejimit të shtuar.

“me policë -qukapikë qershori të zbehur”

 Polici nuk paraqitet si institucion mbrojtës , por si shpend goditës, mekanik, i çuditshëm, i zbehtë.

Pra, shteti në poezi nuk shfaqet vetëm si pushtet.Ai shfaqet si prani absurde, groteske dhe e konsumuar.

Poezia e Ahmetit nuk e përshkruan shtetin me realizëm dokumentar; ajo e deformon nëpërmjet figurës, duke e kthyer në objekt poetik grotesk.

Poezia “Letër mamkës”  mund të lexohet si një nga tekstet ku ndërthuren  qartë vetëdija sociale, subjektiviteti femëror dhe rezistenca estetike në poezinë shqipe të pragtranzicionit.

Në poezinë e Ahmetit, si një poezi në pragtranzicion, ndryshon ligjërimi poetik .Në gjuhën poetike të Ahmetit  hyn kaosi i historisë dhe  retorika kolektive zëvendësohet me zërin e çarë individual.Poezia e saj  bëhet vend i antikonformizmit.

Përmes formës epistolare, figuracionit grotesk dhe një zëri lirik të lënduar, por jo të nënshtruar, Ahmeti e shndërron Tiranën në topografi të ankthit politik dhe moral, ndërsa përvojën intime të gruas në aparat kritik për të lexuar çarjen e shoqërisë shqiptare. Në këtë kuptim, poezia nuk mbetet vetëm dëshmi e një kohe historike, por bëhet edhe akt i vetëmbrojtjes përmes gjuhës, ku vargu fiton funksionin e një kundërpërgjigjeje ndaj shtetit, tradhtisë, dhunës dhe shpërbërjes së lidhjeve njerëzore.

Poezia është e strukturuar në varg të lirë, pa rimë të rregullt, duke i dhënë poetes lirinë për të shprehur mendimet dhe emocionet e saj në mënyrë të natyrshme dhe të papërpunuar. Ky stil i lirë pasqyron ndjesinë e kaosit dhe pasigurisë që përshkruhet në poezi. Përdorimi i figurave letrare si metaforat dhe simbolet, si “makina e mishit” dhe “goja pa dhëmbë“, i jep poezisë një dimension të thellë dhe të pasur, duke e bërë atë më të fuqishme dhe më të prekshme për lexuesin.

Poezia e Ahmetit  është një shembull i përdorimit të letërsisë për të reflektuar dhe kritikuar realitetin shoqëror dhe politik. Ajo ndërthur ndjeshmërinë personale me analizën sociologjike, duke krijuar një poezi që është në të njëjtën kohë e bukur dhe e fuqishme, e ndjeshme dhe e mençur. Kjo poezi  është një pasqyrë e ndjeshmërisë dhe guximit të një poeteje që përdor fjalën për të sfiduar dhe për të kuptuar botën që e rrethon.

Poezia “Letër mamkës” është poezi  përfaqësuese e  poetikës së Ahmetit.

Në poetikën e Ahmetit vihet re :

  • prania e një uni femëror të  pakompromentuar
  • përzierja e intimes me shoqëroren
  • figuracioni i papritur, tronditës, antikonvencional
  • tensioni mes brishtësisë dhe sfidës;
  • antikonformizmi ndaj normës estetike dhe sociale.

unë do t’i grij… në vargjet e mia

Mbyllja e poezisë me këto vargje e bën poetikën e Ahmetit një akt rezistence estetike.

Karakteristikat e poetikës së Ahmetit ndër vite :

  • poezia si mbrojtje  kundër rrezikut, manipulimit dhe  përdorimit.

-poezia si sublimim i dhunës , ajo nuk vret, por “grin” në gjuhë.

– poezia si rikthim i sovranitetit të subjektit gruaja rifiton veten në aktin e shkrimit

– poezia si etikë e mosnënshtrimit ,fjala refuzon të bëhet viktimë.

Poezia e Ahmetit është  formë e rezistencës simbolike, përmes së cilës subjekti femëror rimerr kontrollin mbi një realitet që e kërcënon, e manipulon dhe kërkon ta rrëzojë

“Letër mamkës” e koncepton poezinë jo si strehë por si laborator të rezistencës simbolike, ku subjekti femëror përpunon traumën sociale dhe i kundërvihet asaj me fuqinë shndërruese të gjuhës.

Kjo poezi nuk është vetëm metaforë e zemërimit. Kjo është poetikë.
Kështu Ahmeti thotë çfarë është poezia .Poezia nuk është zbukurim,  nuk është dekor,  nuk  është meditim i pafajshëm.Poezia është akt përballjeje, akt shndërrimi, akt simbolik i asgjësimit të dhunës përmesgjuhës.

Pra poezia për Ahmetin është:

  • vendi ku subjekti rimerr kontrollin.
  • vendi ku realiteti i egër përtypet, përpunohet, “grihet”
  • vendi ku gruaja-poete nuk hesht, por kundërgodet.

Në poezinë e Ahmetit  bashkohen

  • sociologjia e tekstit,
  • poetika e autores,
  • etika e shkrimit,
  • vetëdija feministe,
  • rezistenca estetike.

 

Leter Mamkes

Mamka,
mos ta lexoj këtë leter tjetërkush veç teje,
jo se sekrete, por ende nuk jam e fortë plotësisht
për t’i mundur këto që po të them:
Tirana është fare e zakonte.
me ngushtësinë e shtëpive të ulëta,
me udhët e lodhura të dimrit,
me një pesëmbëdhjete katësh në qendër
ngritur si utopia ime,
me roje të përforcuara në udhëkryqe
ambasadash,
me policë-qukapikë qershori të zbehur.
Diç parandjej, mamka!
Kurrë shteti nuk ka qenë kaq përballë njeriut,
kurrë tradhëtia e burrave nuk ka qene me në modë,
kurrë gjumë më të rëndë nuk kanë fjetur netët
dhe gratë më të humbura, më të zbrazura.
Po të them e dashur, rreziku po më fton duke qeshur
me gojën pa dhëmbë të një dashurie kafshuese
me çarje në karakter,
që është një pjesë e çarjes shoqërore,
po më ofrohen detyra, miq e të njohur të shumtë,
të gjithë të lartë nga emrat, por të ulët
nga tensioni i jetës,
përpiqen të më ngrenë duke u kapur pas meje,
po më rrëzojnë ende pa u ngritur.
E dashur, dëgjomë pa shqetesim,
unë do t’i grij, do t’i grij po të them,
në vargjet e mia.