
Një episod i pakëndshëm me dramaturgun Fadil Paçrami
Në vitin 1994 kam takuar për një intervistë dramaturgun Fadil Paçrami, i cili asokohe banonte në një shtëpi private afër Konostudios.
Fadili më tregoi shkurt historinë e persekutimit të tij. Pas Festivalit të 11-të të Këngës në RTSH (25 dhjetor 1972), u akuzua për liberalizëm. Dhe në Plenumin e Katërt të Komitetit Qendror (26-28 qershor 1973), u piketua nga Enver Hoxha në një fushatë kundër ndikimeve të huaja liberale në kulturën shqiptare.
Vetë Enveri e akuzoi për një frymë liberale që po nxit në fushën e kulturës, sidomos në artin skenik, në teatër, në letërsi, madje dhe në festivalin e fundit të këngës.
U arrestua më 21 tetor 1975 dhe, pas tetëmbëdhjetë muajsh në burgun e Tiranës, në mars 1977 u shpall fajtor për sabotim në fushën e kulturës, sepse kishte lejuar ndikimet e huaja, duke zvetënuar kësisoj rininë. U dënua me 25 vjet burg. Dënimin e vuajti në burgun e Burrelit dhe në atë të Kosovës së Madhe në afërsi të Elbasanit. U lirua më 17 mars të vitit 1991, dy javë përpara zgjedhjeve të para pluraliste. Fadili më tegonte disa detaje.
Pas Pleniumit të IV, në qershor 1973, e dërguan në minierën e Fushë Arrëzit. Te hyrja e minierës bënte seleksionimin e gurëve të mineralit me çekiç në dorë, si punëtor i thjeshtë, me 4800 lekë rrogë. Por më dramatike ishte ajo që ndodhi në korrik të 1973. Në zonën ku ishte deputet, në Kamëz, inskenuan një gjyq të turpshëm, me 2000 aktivistë, agjitatorë dhe spiunë të Sigurimit.
Fadilin e detyruan të çohej në këmbë dhe të bënte një si biçim autokritike. Një skenë sa e turpshme, aq edhe vulgare. Kur Fadili u çua për të dalë nisi një histeri e paparë britmash, e sulme me domate e vezë.
***
Nuk kam ndonjë nostalgji për Fadil Paçramin, pavarësisht nga metafora tragjike e jetës së tij. Aq më tepër që nuk mbahej si mik i talenteve në art dhe letërsi. Nuk do më pëlqente që qytetërimi ynë modern të vazhdojë të përcaktohet nga trashëgimi të tilla.
Nuk më zhduken kurrë nga kujtesa fjalët me të cilat F. Paçrami iu sul shkrimtarit Bilal Xhaferri në një mbledhje të Lidhjes së Shkrimtarëve: “Të kemi pushkatuar babanë. Edhe ti je armik!”. Mënçuria e qetë është shumë më aftgjatë se sa inati më i fuqishëm. Fadili, funksionar i lartë partiak, mund ta çlironte aspektin psikik nga ky eksitim, pasi ishte shkrimtar, dhe shkrimtari duhet të respektojë disa kode për të qenë në paqe me natyrën dhe njeriun.
E solla këtë episod të vërtetë nga jeta e tij për të shtruar një pyetje: kush ia imponoi Paçramit një sjellje ekzistenciale kaq të veçantë, sa të guxonte të hynte në konflikt të hapur me diktatorin, duke futur frymën liberale në teatër dhe në letërsi?
Përse u ngrit ky drejtues i lartë i PPSH kundër kufizimeve të përhershme, duke e ditur se po krijonte një gjendje tjetërsimi që të çonte në pikën më të errët të rrezikut? Nga buronte kjo energji instiktive për të grisur perdet ideologjike? Nga ndëgjegja, morali, apo estetika? Mendimi im është se buronte spontanisht nga super-uni i tij si shkrimtar e dramaturg, nga premisa psikike e rikompensimit brenda sistemit të frenimeve, dhe jo nga ndërgjegjia si funksionar i lartë partiak, madje fanatik dhe i përbetuar. Madje në një bisedë paraprake me E. Hoxhën para dënimit, ndihet te Paçrami ndjenja e pandërgjegjshme e fajit dhe e nevojës për t’u ndëshkuar, në përpjestim të zhdrejtë me impulset “mëkatare”.
***
Fadil Paçrami (1922-2008), lindi në Shkodër. U shkollua në mesin e françeskanëve në qytetin e lindjes. Pastaj u dërgua në Bolonjë për të studijuar mjekësi. Më 1942 i ndërpreu studimet, për t’u bashkuar me lëvizjen partizane në Shqipëri. Pas lufte punoi në organizatën e rinisë komuniste dhe, më vonë, u zgjodh Zv/Ministër i Arsimit dhe Kulturës nën Sejfulla Malëshovën, dhe kryeredaktor i së përditshmes «Zëri i popullit» (1948-1957). Më 1965-1966 ushtroi detyrën e Ministrit të Kulturës dhe të Arteve, dhe nga viti 1971 deri më 1973 atë të kryetarit të Kuvendit Popullor
Veprat: «Dy drama» (Në tufan, Mbi gërmadhat), Tiranë 1963; «Tri drama» (Shtëpia në bulevard, E bardha dhe e zeza, Rrugëve të pashkelura), Tiranë 1968; «Edhe tri drama» (Ngjarje në fabrikë, Njëzet ditë, Lagja e vjetër), Tiranë 197