Poezi nga Lumo Kolleshi

LIS E PJERGULL
 
Ke parë si qëndrojnë bashkë
Lis edhe pjergull përmbi dhe?
Aty Barjam e këtu Pashkë
Vezët bashkë qëllonim ne.
 
Bëheshim zjarr e jepnim dritë,
Shpirtin pa shkallë ngrinim në qiell,
Për së thelli lusnin e lusnin sytë
Të mos kish të shtunë e të diel.
 
Po sot?Ah, sot lisit të shkretë
Iu derdh me flakë një rrufe,
Ca shkumë e gurë sollën rrëketë
Dhe pjergulla kokë nuk po ngre.
 
Në një humnerë ramë aq keq,
Aq tmerr,sa veç të dy e dimë,
Nuk e njohëm kurrë atë dreq,
Që rrufetë shkarkoi mbi dashurinë.
 
Tani të ndarë e të përndarë,
Më pak se hi,më shumë se mjegull,
çati e shembur përmbi trarë,
As lis,as pjergull.
08.07.2013
 
NE PARKUN E LENE PAS DORE
 
Me përtesë nisa këmbët në parkun e vjetër,
Në parkun e lënë pas dore ku s’gjen një fill bari,
Gjithçka përreth kthyer në gjendje të egër,
Veç taksën për gjelbërim bashkiakët ta marrin.
 
 
Trishtohem dhe sytë më mbushen me plagë
Dhe thellë,thellë qenies trazohet një revoltë,
Një kalë të hirtë shalon kujtesa si në baladë,
Po prapë si Doruntinë pëlcet te kjo portë.
 
Qetësinë e kërkuar e humbas papritur
Dhe hapat më bindeshin me zor.
Për ta bërë mërzitjen dhe më të mërzitur,
U deshën dhe gjinkallat e shpifura në kor
10.07.2015
 
KUAJT
 
Dhe ec e thuaj pastaj se nuk janë të bukur,
Dhe ec e thuaj pastaj se nuk janë paqësorë,
Se shpirtin e garës në gjak s’e kanë futur,
Se nuk janë më fisnikët në vargun me dasmorë.
 
Dhe ec e thuaj pastaj se nuk janë hijerëndë
Me jelet lëshuar nëpër erë e stuhi.
Edhe kur vdesin,dinë të vdesin veç në këmbë.
Dhe ec e thuaji njeiurt të mos ketë për kuajt xhelozi.
10.07.2016
Rinas.
Udhë.
Në një strehëz trari lagur prej shiut
Pelegrin fati i njeriut.
10.07.2019