
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
LANÇ-i e ngriti për herë të parë gruan shqiptare në piedestalin e historisë
Historia e popullit shqiptar gjatë shekujve të robërisë është e mbushur me shembuj të shumtë heroizmi e sakrifice të gruas shqiptare. Në çdo periudhë të historisë sonë kombëtare, ajo ka qenë pranë luftës për liri dhe pavarësi, duke dhënë një kontribut të çmuar në mbrojtjen e atdheut. Nga koha e ilirëve e deri në ditët tona, gruaja shqiptare ka zënë një vend të nderuar në kujtesën dhe ndërgjegjen kombëtare.
Atdhetarizmi, forca morale dhe shpirtërore e gruas shqiptare u shfaqën me një intensitet të veçantë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ). Për herë të parë në historinë moderne të vendit, mijëra gra dhe vajza morën armët dhe luftuan krah për krah me burrat kundër pushtuesve nazifashistë. Rreth 6.000 gra e vajza u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm në luftën për çlirim, por edhe në thyerjen e zakoneve dhe paragjykimeve shekullore që e kishin mbajtur gruan larg jetës shoqërore e politike.
Edhe Kolonja dha një kontribut të vyer në këtë epope çlirimtare. Gratë dhe vajzat kolonjare u shquan për trimëri, përkushtim dhe qëndresë morale. Mbi 50 luftëtare u rreshtuan në formacionet partizane, ndërsa qindra të tjera punuan në prapavijë, duke siguruar ushqime, veshmbathje, strehim, ndihmë mjekësore dhe lidhje me njësitet partizane.
Gruaja kolonjare nuk ishte vetëm nënë, bashkëshorte apo motër; ajo ishte edhe organizatore, udhëheqëse e heshtur, bartëse e urtësisë popullore dhe, kur e kërkoi koha, luftëtare me pushkë në dorë. Historia e Kolonjës ruan me nderim kujtimin e grave që mbrojtën lirinë dhe dinjitetin e vendit me gjakun e tyre.
Në vitet e LANÇ-it, gratë shqiptare u bënë organizatore të rezistencës, infermiere, propagandiste, korriere dhe luftëtare. Në qytete e fshatra u krijuan këshillat e grave antifashiste, të cilat organizuan ndihma për partizanët, shpërndarjen e trakteve, fushata ndërgjegjësimi dhe veprimtari arsimore. Organizata “Bashkimi i Grave Antifashiste Shqiptare”, e themeluar në vitin 1943, u bë shtylla e rolit të ri të gruas në shoqërinë shqiptare. Në Konferencën e Dytë Nacionalçlirimtare të Labinotit, delegacioni i grave kërkoi dhe arriti përfshirjen e plotë të tyre në Frontin Nacionalçlirimtar.
Krahas luftës me armë, gratë e asaj kohe ngritën edhe organin e parë të shtypit për to, revistën “Gruaja Shqiptare”, e cila u bë zë i emancipimit dhe i ndërgjegjes kombëtare.
Gjashtë dëshmore kolonjare të lirisë
Në betejat e LANÇ-it, shumë gra e vajza shqiptare ranë heroikisht në fushën e nderit. Midis tyre, gjashtë gra e vajza kolonjare u shquan për sakrificën e tyre sublime dhe mbetën përjetësisht në kujtesën e popullit.
Dritaren e shtëpisë e ktheu në fortifikatë
Afërdita Roko Koti (1 shkurt 1924 – 12 nëntor 1943)
Afërdita lindi në fshatin Blush të Kolonjës, në një familje atdhetare dhe arsimdashëse. Që në vitet 1942-1943 u angazhua në Lëvizjen Antifashiste si aktiviste e rinisë, duke shpërndarë trakte dhe duke ndihmuar veprimtarinë ilegale.
Më 12 nëntor 1943, gjatë përleshjeve të ashpra ndërmjet batalionit partizan “Hakmarrje” dhe forcave balliste në Blush, çdo shtëpi u kthye në një pozicion lufte. Afërdita, nga dritarja e shtëpisë së saj, orientonte partizanët dhe ndiqte lëvizjet e armikut. E diktuar nga ballistët, ajo u qëllua dhe ra heroikisht në vend.
U shpall Dëshmore e Atdheut me vendim nr. 76, datë 12.11.1969 dhe me vendim nr. 7, datë 20.5.2003. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Ersekës.
Nënkryetarja e gruas që sfidoi ballistët
Gliqeri Andrea Ropi (31 dhjetor 1885 – 7 maj 1943)
Lindi në fshatin Leshnjë të Kolonjës, në një familje me tradita të forta atdhetare. Ishte nënkryetare e organizatës së gruas në fshatin e saj dhe u dallua për mbledhjen e ndihmave dhe përkrahjen e vazhdueshme për partizanët.
Veprimtaria e saj patriotike ra në sy të forcave të Ballit Kombëtar, të cilat e arrestuan dhe më 7 maj 1943 e pushkatuan në Leshnjë.
U shpall Dëshmore e Atdheut me vendim nr. 52, datë 17.6.2005. Prehet në varrezat e fshatit Leshnjë.
“Trimat janë në mal, jo këtu në shtëpi”
Marie Dhimitër Gjergo (24 mars 1895 – 9 nëntor 1943)
Marie Gjergo lindi në Gostivisht të Kolonjës, në një familje të njohur për ndjenjat patriotike. Shtëpia e saj u bë bazë e rëndësishme për ilegalët dhe partizanët. Ajo i ndihmonte me ushqime, kujdesej për të plagosurit dhe ruante mbledhjet e fshehta.
Në natën e 8-9 nëntorit 1943, kur ballistët rrethuan shtëpinë e saj duke kërkuar të birin partizan, Marie u përball me guxim dhe u tha: “Trimat janë në mal, jo këtu në shtëpi.” Për këtë qëndresë të pathyeshme u vra mizorisht.
U shpall Dëshmore e Atdheut me vendim nr. 76, datë 12.11.1969. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Ersekës.
U vra me torbën e bukës për partizanët
Eftimi Kosta Kuka (20 prill 1886 – 22 janar 1944)
Lindi në fshatin Radovë të Leskovikut, në një familje patriote. Gjatë LANÇ-it, shtëpia e saj u bë një bazë e qëndrueshme e partizanëve. Nënë Eftimia siguronte ushqime, veshmbathje dhe strehim për luftëtarët e lirisë.
Më 22 janar 1944, ndërsa po çonte bukë për partizanët, u ndesh me forcat gjermano-balliste dhe u vra mizorisht në vend, me torbën e bukës në duar.
U shpall Dëshmore e Atdheut me vendim nr. 76, datë 12.11.1969. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Ersekës.
Ra përgjegjësja e rinisë në Ersekë
Stathica Thanas Papakristo (2 mars 1928 – 28 nëntor 1944)
Stathica lindi në fshatin Postenan të Leskovikut. Që në moshë të re u përfshi në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, duke organizuar vajzat për përgatitjen e triko-ve dhe çorapeve për partizanët, shpërndarjen e trakteve dhe mësimin e këngëve patriotike.
Në gusht 1944 mori pjesë në përleshjet kundër forcave gjermano-balliste në fshatin Radanj, si pjesëtare e çetës territoriale. U arrestua, por më pas u lirua. Pas lirimit punoi si përgjegjëse e rinisë në Ersekë, derisa ra aksidentalisht gjatë kryerjes së detyrës më 28 nëntor 1944.
U shpall Dëshmore e Atdheut me vendim nr. 76, datë 12.11.1969 dhe me vendim nr. 5, datë 27.12.2002. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Ersekës.
Me pushkë dhe çantën e infermieres në vijën e parë të luftës
Shaniko Iljaz Jupasi (14 nëntor 1927 – 18 tetor 1944)
Shaniko lindi në fshatin Starje të Kolonjës, në një familje me tradita atdhetare. Në vitin 1943 doli partizane në batalionin “Hakmarrje”, ndërsa më pas u rreshtua në Brigadën X Sulmuese.
Ajo u dallua për guximin, dashurinë për shokët dhe përkushtimin ndaj detyrës. Përveç pushkës, mbante gjithmonë çantën e infermieres, duke u kujdesur për të plagosurit në vijën e parë të luftës.
Më 18 tetor 1944 ra heroikisht gjatë luftimeve në Fikas të Elbasanit, në përballje me një autokolonë gjermane.
U shpall Dëshmore e Atdheut me vendim nr. 76, datë 12.11.1969 dhe me vendim nr. 7, datë 12.11.2002. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Ersekës.
Nderim dhe mirënjohje të përjetshme
Gratë dhe vajzat kolonjare, ashtu si mijëra gra të tjera shqiptare, u bënë simbol i trimërisë, qëndresës dhe përkushtimit ndaj lirisë së atdheut. LANÇ-i i nxori ato nga hijet e paragjykimeve dhe i vendosi në piedestalin e historisë kombëtare, si pjesë e pavdekshme e sakrificës së popullit shqiptar për liri.
Kujtimi i Afërditës, Gliqerisë, Maries, Eftimisë, Stathicës dhe Shanikos mbetet një amanet i gjallë për brezat: liria nuk dhurohet, por fitohet me guxim, sakrificë dhe dashuri për atdheun.