Prekja e natës

Lëviz si gisht bebeje,
agimi harron dritën e bardhë.
Në thoin tënd ngul shikimin
ku rri varur një qiell pa damarë.
Pemët thithin etjen e natës
era qëndis plagë me muline mjegulle.
Një zog i padukshëm diku nëpër natë
çel vezë në thellësi heshtjeje….
Aty-këtu, në mes të ëndrrës
pa fytyrë e me duart lidhur
prek botën e zezë të natës
me gishtin e palindur….
Migel Flor
Athens-Grece
Analizë letrare nga Timo Mërkuri
Kur figura bëhet qenie
“Lëviz si gisht bebeje…” Qysh në këtë varg të parë poetja Migel Flor na befason, madje dhe më tejë, nuk na thotë fare çfarë është ajo që lëviz. Është nata? Është errësira? Apo është ajo frymë e padukshme që i paraprin lindjes së çdo drite? Pikërisht këtu nis magjia e poezisë. Figura nuk vjen si një zbukurim i mendimit; ajo hyn në varg si një qenie e gjallë, me ritmin dhe frymëmarrjen e saj. “Gishti i bebes” nuk është thjesht një krahasim. Ai sjell në poezi prekjen e parë të jetës, atë drithërimë të brishtë që mezi ndihet, por që ndryshon gjithçka. Nata nuk ecën mbi tokë; ajo duket sikur kalon mbi shpirtin e lexuesit me një lehtësi që nuk lë gjurmë në dhe, por në kujtesë.
Pastaj vjen vargu: “agimi harron dritën e bardhë.” Një varg i tillë nuk kërkon të besohet me arsyen. Ai pranohet me atë pjesë të njeriut që i beson poezisë. Agimi nuk është më një çast i zakonshëm i natyrës; ai është një qenie që mund të harrojë, të ndalet, të mbetet për një çast peng i natës. Psh. Ka qasje me nxënësit e klasës së parë kur harrojmë fletoren e detyrave në shtëpi. Në këtë përmbysje të rendit të zakonshëm fillon të marrë jetë një botë tjetër, ku sendet nuk binden më ndaj ligjeve të fizikës, por ndaj ligjeve të ndjesisë.
Pikërisht këtu ndihet fryma e modernizmit dhe, më thellë, ai damar i hollë i realizmit magjik që e bën të pamundurën të duket krejt e natyrshme.
Edhe më tej figurat nuk qëndrojnë pranë njëra-tjetrës si gurë të vendosur me kujdes. Ato lidhen si rrënjët e pemëve nën tokë, duke ushqyer njëra-tjetrën pa zhurmë. “Pemët thithin etjen e natës.” Pemët nuk pinë ujë, por etjen.
Edhe nata nuk është më mungesë drite; ajo është bërë një qenie që ndien mungesë, që ka nevojë, që kërkon.
Kështu poetijai jep shpirt edhe asaj që zakonisht e quajmë abstrakte. Lexuesi nuk e sheh më natën; ai fillon ta ndiejë.
Po aq e fuqishme është figura: “era qëndis plagë me muline mjegulle.” Në duart e poetit era bëhet një endëse e heshtur. Mjegulla shndërrohet në fill, ndërsa plaga nuk hapet me dhunë, por qëndiset ngadalë, sikur dhimbja të kishte edhe ajo mjeshtërinë e saj. Është një nga ato imazhe që nuk shuhen sapo mbaron leximi; ato mbeten pezull në mendje, si fijet e merimangës që shkëlqejnë vetëm kur i prek drita.
Në këtë univers edhe e padukshmja ka trup. “Një zog i padukshëm diku nëpër natë / çel vezë në thellësi heshtjeje…” Këtu poezia arrin një nga kulmet e saj. Zogu nuk simbolizon diçka; ai jeton. Heshtja nuk është boshllëk; ajo bëhet një strehë ku lind jeta. Kjo është arsyeja pse këto vargje nuk të duken të çuditshme. Ato kanë krijuar tashmë ligjin e tyre dhe lexuesi e pranon atë pa kundërshtim.
Pikërisht në këtë natyrshmëri të së jashtëzakonshmes ndihet prania e realizmit magjik, jo si një shtresë e vendosur mbi poezi, por si një dritë e fshehtë që kalon përmes saj.
Dhe kur poezia mbërrin te vargjet “prek botën e zezë të natës / me gishtin e palindur…”, duket sikur të gjitha figurat e mëparshme kthehen në një burim të vetëm. “Gishti i palindur” është një nga ato krijime poetike që nuk shterojnë në një shpjegim. Ai është metafora e asaj pjese të qenies sonë që ende nuk ka marrë trajtë, por që kërkon të prekë të panjohurën. Është intuita përpara mendimit, ëndrra përpara fjalës, drita që ende fle brenda farës.Me këtë figurë poezia nuk mbyllet; ajo vazhdon të jetojë në heshtjen e lexuesit.
Kjo është arsyeja pse “Prekja e natës” mbetet gjatë në kujtesë. Jo për larminë e figurave, por sepse secila prej tyre ka zemrën e vet dhe rreh me ritmin e poezisë. Ato nuk janë thirrur për të zbukuruar vargun. Kanë ardhur të banojnë në të.
Prandaj, kur mbaron leximi, nuk të kujtohet vetëm nata, as agimi, as zogu i padukshëm. Të mbetet ndjesia se ke kaluar përmes një bote kuin figurat nuk ishin më fjalë. Ishin qenie që merrnin frymë dhe, për një çast, të mësuan ta shihje edhe heshtjen si një formë të jetës..
Koplimentat janë pak për poeten në këtë rast.
