Kopshti i Shpirtrave Tanë:”Një Letër e Hapur për Miqtë e Poezisë Time”

Thonë se njeriu nuk ecën kurrë vetëm nëpër rrugët e kësaj bote, por unë e kuptova vërtetësinë e kësaj thënieje vetëm atëherë kur vargjet e mia gjetën strehë në zemrat tuaja. Në ditët e mia më të vështira, kur qielli mbi kokën time rëndohej nga retë e lodhjes gjithmonë kam kërkuar dritën. Dhe atë dritë nuk e gjeta vetëm tek aftësia që Krijuesi më dha për të pikturuar dhimbjen e shpresën përmes fjalëve, por e gjeta tek ju—miqtë e mi, që u bëtë pasqyra e asaj drite.
Poezia ime nuk do të ishte gjë tjetër veçse një pëshpëritje në errësirë, nëse ju nuk do t’i jepnit zë me leximin tuaj. Ju nuk jeni thjesht ndjekës të një faqeje apo lexues të thjeshtë; ju jeni bashkëudhëtarët e shpirtit tim. Sa herë që unë hedh mbi letër një pjesëz nga vetja një copëz natyre, një rrezet dielli, një thirrje drejt universit apo një reflektim mbi njerëzoren ju e merrni atë fjalë dhe e mbillni në kopshtin tuaj.
Bashkë, ne kemi krijuar një hapësirë të jashtëzakonshme. Një kopsht shpirtrash të bukur, ku nuk ka dimër që na ngrin, sepse ngrohtësia e mirëkuptimit dhe e ndjesisë së përbashkët na mban ngrohtë. Është një cep parajse që e ndërtojmë çdo ditë me ndjenjën që mbart fjala , duke besuar se arti ka fuqinë të shërojë, të lidhë dhe të lartësojë njeriun.
Nganjëherë muza vjen e vrullshme si pranvera, herë të tjera hesht dhe më bën të pres. Por në çdo stinë të jetës sime, prania juaj virtuale, fjalët tuaja të ngrohta dhe rrahjet e përbashkëta të zemrës mbi të njëjtat vargje, kanë qenë shoqëruesi im më i mirë. Ju më keni kujtuar se jeta, me të gjitha thyerjet dhe triumfet e saj, është një dhuratë që duhet jetuar dhe ndarë me të tjerët.
Nga thellësia e shpirtit tim, ju falënderoj për çdo sekondë që keni ndalur hapin për të dëgjuar zërin tim. Ju uroj me gjithë zemër që jeta juaj të jetë një pranverë e pafundme, plot shëndet, dritë dhe dashuri. Le të vazhdojmë ta ujitim këtë kopsht të përbashkët, sepse për sa kohë që ndiejmë dhe krijojmë bashkë, jemi të pathyeshëm.
“Muza është shtegtarja e padukshme që troket në portën e shpirtit, vetëm atëherë kur bota jashtë ka rënë në gjumë, për të zgjuar fjalët që s’dinin se ekzistonin”.
Me mirënjohje ,
Arjana Fetahu Gaba