Ilirian Ali




Ç’mrekulli !
Sapo dielli kapërcen malin e Çikës, fshati i Tërbaçit merr një pamje poetike, gati magjike. I mbështetur i tëri mbi shkëmbin e Malit të Tranajoit, ai duket sikur rrëfen historinë, qëndresën dhe krenarinë e banorëve të këtyre trojeve të stërlashta, sa vetë jeta.
Tranajoi nuk është thjesht një masiv shkëmbor. Ai është simboli i fshatit, i lidhur pazgjidhshmërisht me kujtesën, besimin dhe identitetin e brezave. Nuk është rastësi që banorët e Tërbaçit e quajnë malin e tyre të shenjtë.
Sa bukur ishte të ndodhesha përsëri në qendër të fshatit, të takoja miq e të rikujtoja njerëz që i ruaj me dashuri në kujtesën time. Ndërsa dielli kishte marrë udhën pas malit dhe fshati prehej nën hijen e Tranajoit, para syve m’u shpalos e gjithë lugina, Gryka e Lekajve, Qershiza dhe Sinogjini, ende të larë nga rrezet e fundit të diellit.
O Zot, çfarë bukurie magjepsëse!
Një pamje që rrallë ta fal natyra, një tablo madhështore që i jep Tërbaçit një hijeshi të veçantë. Të duket sikur mali përkëdhel fshatin e vet, duke e mbrojtur me hijen e tij shekullore, si një prind që ruan me dashuri bijtë e vet.Ky moment dhe ky vend ështē nga margaritarët e trashëgimisë sonë natyrore e shpirtërore. Janë vende që meritojnë të vizitohen, të admirohen dhe të ruhen, sepse në to jetojnë historia, kujtesa dhe shpirti i Labërisë.Këtu nē sheshin e fshati ku kishte plot njerëz tē qeshur e të gēzuar ,pata kënaqësinë të takoja edhe këngëtaren e mrekullueshme dhe njeriun e mirë Aurelēn, protagoniste e një mbrëmje festive. E mbaja mend qysh të vogēl kur këndontenë në skenēn e teatrit,aty ku ajo mori udhën e kēngës të cilēn e kurorezoji me talentin e saj jo vetëm si një kengëtare me një profil të veçantë dhe zë të mrekullueshem por dhe si një aktore që ka lēnë gjurmë me karakteret e interpretuara mrekullisht në të gjitha etapat e aktivitetit të saj . Edhe pse arti i Aurelēs ka fluturuar larg, rrënjët i ka të ngulitura fort këtu në këtē fshat,në Tërbaçin e të parēve të saj .Ç’gëzim pash nē syt e saj rrethuar nga dhjetra fēmijë,të rinj ,gra e burra që vallzonin e kēndonin bashkë me të.Me zërin,e saj,me thjeshtësinë e saj dhe me dashurinë për rrënjët e saj ajo e nderon fshatin e Tërbaçit dhe mbetet një bijë e denjë e Labërisë,sepse Tërbaçin nuk e bëjnë vetëm malet e luginat, por edhe bijtë e bijat e tij që e kanë nderuar dhe nderojnē edhe sot kudo me punën dhe talentin e tyre