

Nga Timo Mërkuri
Përfshirja e iso-polifonisë shqiptare dhe e fyellit të Jugut në kolonën zanore të filmit “The Odyssey” të regjisorit Christopher Nolan nuk është thjesht një lajm i mirë për kulturën shqiptare. Është një nga ato çaste të rralla kur një trashëgimi shekullore, e lindur mes maleve, kullotave dhe brigjeve të Jugut, bëhet pjesë e kujtesës artistike të botës. Nuk është vetëm prania e një elementi shqiptar në një prodhim hollivudian me përmasa botërore; është dëshmia se një kulturë lokale mund të flasë natyrshëm me gjuhën e miteve universale.
Filmi “The Odyssey”, i shkruar dhe realizuar nga Christopher Nolan mbi eposin e pavdekshëm të Homerit, është një nga projektet më të mëdha kinematografike të viteve të fundit. Nolan, autor i një serie filmash të njohur si “Oppenheimer”, “Interstellar”, “Dunkirk”, “Inception” dhe “The Dark Knight”, i rikthehet kësaj here botës antike me synimin për të sjellë në ekran jo vetëm udhëtimin e Odiseut, por edhe atmosferën shpirtërore të një epoke ku miti dhe historia bashkëjetojnë.
Këtij vizioni i shërben kolona zanore e kompozitorit Ludwig Göransson, fitues i dy çmimeve Oscar për “Black Panther” dhe “Oppenheimer”. Në kërkim të një gjuhe tingullore që të mos tingëllonte moderne, as thjesht simfonike, por të mbante në vetvete frymën e kohëve arkaike, Göransson ndërmori një udhëtim që e solli në jug të Shqipërisë. Këtu ai regjistroi këngë iso-polifonike dhe tingujt e fyellit të barinjve, me pjesëmarrjen e grupit të Delvinës dhe mjeshtrit të fyellit e culës dyjare, Vendim Kapaj. Në këtë proces mori pjesë edhe akademiku Vaso Tole, etnomuzikolog dhe njohës i shquar i traditës muzikore shqiptare, i kredituar në ekipin muzikor të filmit.
Pse u zgjodh pikërisht iso-polifonia shqiptare? Përgjigjja nuk gjendet te folklori si zbukurim, por te vetë natyra e kësaj muzike.
Në fillesë të çdo muzike qëndron zëri i njeriut. Ai është instrumenti i parë që njohu njerëzimi. Menjëherë pas tij vjen fyelli, vegla e lindur nga fryma, bariu dhe natyra. Kur këta dy elementë bashkohen, krijojnë një peizazh tingullor që të afron me agimin e qytetërimit. Pikërisht këtë kërkonte Göransson: jo një efekt ekzotik, por tingullin që të jepte ndjesinë se vinte nga një kohë kur miti dhe jeta ende nuk ishin ndarë nga njëri-tjetri.
Por ka edhe një arsye tjetër, po aq të rëndësishme. Iso-polifonia shqiptare nuk është thjesht këndim me shumë zëra. Ajo është një organizëm muzikor me një arkitekturë të pazëvendësueshme, ku marrësi, kthyesi, hedhësi dhe isoja ndërtojnë një marrëdhënie organike që rrallë gjen një ekuivalent të plotë në traditat e tjera muzikore. Në këtë bashkëjetesë zërash nuk ka vetëm harmoni; ka frymëmarrje të përbashkët, kujtesë dhe kohë. Është një muzikë që nuk e rrëfen historinë, por duket sikur e mbart atë në vetë strukturën e saj. Për një film që synon të rikthejë atmosferën e botës homerike, një gjuhë e tillë muzikore ishte zgjedhje pothuajse e natyrshme.
Ndoshta nuk është rastësi që ky udhëtim muzikor përfundoi pikërisht në brigjet e Jonit shqiptar. Këto brigje i përkasin të njëjtës hapësirë mesdhetare ku lindi dhe u përhap tradita homerike. Prandaj tingulli i iso-polifonisë nuk vjen në film si një huazim i largët, por si një jehonë e lashtë që duket se ka ruajtur në kujtesën e saj diçka nga fryma e atij universi ku miti, deti dhe zëri njerëzor kanë qenë gjithmonë pranë njëri-tjetrit.
Domethënës mbetet edhe një hollësi që vetë kompozitori ka treguar. Regjistrimet duhej të përfundonin herët në mbrëmje, sepse interpretuesit zgjoheshin në orën katër të mëngjesit për t’u kujdesur për kopenë. Ky nuk është një episod folklorik për t’u treguar me buzëqeshje. Ai dëshmon se muzika nuk u mor nga artistë që riprodhonin një traditë në skenë, por nga njerëz që e jetojnë ende atë si pjesë të përditshmërisë së tyre. Pikërisht kjo i dha kolonës zanore atë ndjesi autenticiteti që nuk mund të fabrikohet në studio.
Edhe mënyra se si kjo muzikë është përdorur flet për respektin ndaj saj. Iso-polifonia nuk është futur në film si një citim folklorik apo si një këngë e shkëputur për të krijuar ngjyrim lokal. Ajo është shkrirë në vetë indin e kolonës zanore, duke u bërë pjesë e gjuhës muzikore të filmit. Tingujt e saj dhe fyelli shqiptar ndërthuren me orkestrimin bashkëkohor, duke krijuar një timbër të lashtë e të pangatërrueshëm.
Iso-polifonia shqiptare nuk u zgjodh sepse ishte shqiptare. U zgjodh sepse ishte ajo që kërkonte vepra. Christopher Nolan dhe Ludwig Göransson nuk ishin në kërkim të një ngjyrimi folklorik, por të tingullit më të lashtë, më natyror dhe më autentik që mund të rikrijonte universin homerik. Pikërisht për këtë arsye kjo zgjedhje ka një peshë të jashtëzakonshme. Ajo nuk është një nderim sentimental ndaj kulturës sonë, por një vlerësim artistik i bërë nga dy krijues që sot ndodhen në majat e kinemasë dhe të muzikës së filmit. Në atë çast, arti nuk njohu kufij gjeografikë; njohu vetëm vlerën.
Ndoshta për këtë arsye jehona e zërit të iso-s dhe fryma e fyellit në “Odiseun” e Nolanit tingëllojnë më shumë se një sukses artistik. Ato dëshmojnë se një këngë e lindur në Jugun e Shqipërisë, e ruajtur brez pas brezi nga njerëz të zakonshëm, është në gjendje të flasë me gjuhën e miteve dhe të shoqërojë udhëtimin e heroit më të madh të letërsisë antike. Është një çast i rrallë kur një trashëgimi lokale fiton përmasë universale, pa humbur asgjë nga identiteti i saj.
Një vlerësim i veçantë i takon edhe akademikut Vaso Tole, prania e të cilit në këtë projekt ishte garanci që kjo pasuri e rrallë shpirtërore të paraqitej me autenticitetin dhe dinjitetin që meriton. Prej vitesh ai ka qenë jo vetëm studiuesi më këmbëngulës i iso-polifonisë shqiptare, por edhe një nga zërat që e ka bërë atë të njohur përtej kufijve të vendit. Në këtë projekt ai solli dijen, përvojën dhe përkushtimin e një jete kushtuar ruajtjes dhe promovimit të kësaj trashëgimie.
Melodinë e fyellit të Vendim Kapajt dhe këngën e grupit të Delvinës i kemi dëgjuar dhe admiruar prej kohësh. Janë tinguj që na kanë shoqëruar në festa, në skena dhe në kujtesën tonë kulturore. Por pas këtij vlerësimi ndërkombëtar i dëgjojmë ndryshe. Na duken më të thellë, më përfaqësues dhe më të denjë për vendin që u është dhënë në një nga prodhimet më të rëndësishme kinematografike të viteve të fundit. Nuk ka ndryshuar muzika; ka ndryshuar mënyra si e shohim ne.
Tashmë e presim me padurim të shohim “The Odyssey”, jo vetëm për madhështinë e një filmi të Christopher Nolan-it, por edhe sepse në kolonën e tij zanore do të dëgjojmë një erë shpirtërore që vjen nga Shqipëria. Do të jetë një ndjesi e veçantë të kuptosh se, mes miteve të Homerit dhe imazheve të ekranit, jehon edhe zëri i Jugut tonë.
Sarandë 18 korrik 2026