Po, unë jam manipulatore-Ana Musija

Ana Musija

Po, unë jam manipulatore. Është shumë e çuditshme që po e them vetë, sepse njerëzit vështirë të më besojnë, por më lini t’ju rrëfej.

Unë manipuloj çdo ditë, ndonjëherë pa vetëdije, ndonjëherë me qëllim.

Manipuloj që njerëzit të më pëlqejnë, që njerëzit të më urrejnë, që njerëzit të kenë frikë nga unë, që njerëzit të më falin, ose që njerëzit të mendojnë se jam dikush tjetër nga ajo që jam, për një qëllim të caktuar.

Gjithçka mund të ndodhë brenda një dite dhe ti nuk e kupton. Epo, sepse nuk duhet ta kuptosh, nuk duhet ta vësh re, përndryshe nuk quhet manipulim.

Manipulimi kërkon rezistencë, kërkon inteligjencë emocionale dhe shumë vëzhgim. Gjithashtu edhe dhuratën biologjike të një intuite të paparë që kap çdo gjë.

Unë i fus njerëzit në shumë kuti dhe i kategorizoj që të jetë më e lehtë. Jo në kuti një nga një, jo, por në disa kuti njëkohësisht. Nuk është aq e vështirë sa duket të parashikosh njerëzit, me praktikë bëhet lojë kalamajsh, diçka për të cilën nuk duhet të mendosh shumë, ndonjëherë fare.

Çelësi është gjithmonë informacioni që jep. Sa më shumë të më tregosh, aq më e lehtë është për mua të të kuptoj dhe t’i përdor të gjitha fjalët e tua si armët e mia. Kjo është pjesa ime e preferuar.

Edhe nëse nuk flet shumë, pa merak, unë t’i nxjerr disa fjalë me zor. Gjithmonë e gjej anën.

Ti mund të përpiqesh të më “manipulosh”, por unë mund ta kem kuptuar para se ti të përpiqesh fare, sepse manipulatorët thellë-thellë dyshojnë për gjithçka. Me këtë mund të mendosh se unë nuk besoj që ka mirësi te njerëzit. Epo, po dhe jo. Mendoje njëherë.

Kur njerëzit mendojnë se më njohin, ndonjëherë është shakaja e shekullit, sepse ata njohin vetëm ato pjesë të personalitetit tim që kam dashur t’ua tregoj. Dhe kjo, o shok, është ajo që më bën edhe fshehtësisht të paparashikueshme, edhe dukshëm të parashikueshme. Kjo më bën, në mënyrë të dobishme, një gjarpër dhe një gënjeshtare.

Tani ndoshta mendon se po flas gomarlleqe. Zakonisht njerëzit ashtu mendojnë. Epo, ndoshta po, ndoshta jo, por me siguri nuk është e gjithë historia e vërtetë.