Të gjithë ikin nga unë :
ikin mëngjeset,
si minibuset që marin fëmijët në shkollë.
ikin mbrëmjet ,
Ikën shiu,
ikën mjegulla,
ikin qiejt,
ikën xha Thanasi,
i fundit, i radhës,
me shpinën kërrusur, si bastun,
teksa hijen le pas , fundit të shkallës.
Dita më tregon shpinën,
si natën e saj.
Tavolina fundin ,
prej nga shoh vetëm
shpina fjalësh ,
si makinat që tregojnë targat.
kur rrëshqasin gomat.
Dera ma mbyll , veten
para syve,
po ashtu si dashuria,
që posa unë mendoj fillimin me të,
ajo mendon – fundin .
Fundjavave , madje edhe fundviteve ,
ua shoh mbarimin ,
si fundshpina e një hije që e ndjek.
Poezia më le vetëm fundvargun,
me thënien palosur ,
kopsitur në fund,
si dashuria :
që posa unë mendoj fillimin me të,
ajo mendon për fundin.
Vetëm Numri ,
më qesh përballë,
me një shkretësi antike ,
Vetëm njëshi
më qesh ,
me kërrabën e tij sarkastike.
Mars, 2024
