Alisa Mene

Refuzoj të thyhem
Shumë stuhi shpirtërore, shumë errësirë mendimesh, shumë njerëz burim negativiteti.
Ti rritesh me një model të detyruar. Rrugës fillon të zgjedhësh dhe të kuptuarit e gjërave marrin një shije tjetër. Vendos kë të pranosh në rrugëtimin tënd e kë të lësh pas me të harruarën. Mendon se di gjithçka, por ti nuk di të nesërmen. Ti nuk e di botën dhe shpirtin e njerëzve. Shumë nga këta njerëz janë pjesë e jetës tënde, pra ata që ti nuk i zgjedh.
Ne nuk zgjedhim të vijmë në këtë jetë, por duhet të zgjedhim se si ta jetojmë dhe ta pranojmë.
Ah, sa fjalë e thjeshtë është pranimi, por sa e vështirë është për t’u bërë. Duhet të pranojmë humbjen, duhet të pranojmë dhimbjen, të pranojmë çfarë na rrethon dhe si janë njerëzit, që të dimë të ruhemi nga e ardhmja. Të ruajmë veten nga trishtimi dhe helmi i atyre pa formë e pa ngjyra.
Sot bëra një bisedë me veten dhe vendosa ta pranoj ashtu siç është. Them me bindje se ishte biseda më e fortë dhe më e vështirë që kam bërë ndonjëherë. U zhyta në thellësinë time dhe gjeta vetëm veten time të ulur në një cep, si të harruar.
“E pse ndodh kjo vallë?” – e pyeta veten.
Sepse vrapoj pas asaj që quhet ideal. Vrapoj drejt mërzitjes së të tjerëve për t’ua larguar. Vrapoj në përkujdesjen për ata që dua. Vrapoj e luftoj fort kundër padrejtësisë ndaj të tjerëve.
Dhe harroj veten time…
Refuzoj të tregoj çfarë po jetoj ose, më mirë, çfarë jetova dje, sepse sot zgjodha veten time. Atë të harruarën, me shumë ngjyra dhe energji. Atë të brishtën, që e kam mbuluar gjithmonë me arrogancë apo nervozizëm. Atë sinqeritet që e kam bërtitur dhe që e kanë marrë për çmenduri.
Zgjedh të mos luftoj me helmuesit, sepse thjesht mund t’i përjashtoj nga jeta ime.
Zgjedh të buzëqesh, jo sepse dua të mbuloj vuajtjen, por sepse më ndriçon shpirtin.
Zgjedh të çohem çdo ditë, megjithëse, kur mendoj të djeshmen, më shkakton ende të dridhura.
Nuk ka nevojë të jesh perfekt për t’i mbijetuar çdo sfide dhe për të refuzuar të thyhesh.