Të pata…
Të pata afër,
sa shumë,
por sa pak u çmalla,
sa shumë si vite,
por,sa pak me dashuninë tande
me u ngop sa duhet,
të pata afër,
fizikisht,
po kurrë nuk më mjaftoi fjala,
të shpreh,
atë ç’ka n’zemrën time
për ty përjetësisht ruhet.
Të pata,
aq sa nji bijë,
s’e ka pasë e s’ka me mujt
me e pasë
kaq afër kaq gjatë
nanën e saj,
të pata,
e me pranin tande u msova
aq shumë,
e tani pyes veten për ç’ka
s’munda,
si e zënë në faj,
sytë gati në vaj.
Të pata,
po kurrë s’e dita
sa dhimbte ikja,
mungesën tande,
kurrë s’kisha me e besu,
të pata,
por më ike,
si mjegull m’u shkrive,
e me tisin e dashnis tande,
jetën time ke rrethu.
E tash me dhimbjen time
s’di ç’ka me ba,
kur vegimi yt
ditën me diell,natën me hanë,
më shfaqet,
e malli rritet e rritet,
bashkohet me dhimbën
e bashkë me kujtimet,
një mal i naltë bahet.