
Nga Timo Mërkuri
Poezinë “Përgjigje për sot”, të shkruar më 22 korrik 2020, Natasha Lako e ripublikoi dje, duke shtuar vetëm një shënim të shkurtër: “Më kujtoi kohën e Covidit”, e më pas këtë reflektim: “E kemi harruar atë izolim, nga lindin shumë perceptime të sotme.” Ky rikthim i poezisë në kujtesën e autores i jep lexuesit një dritare të re leximi, por nuk ia zbulon sekretin. Sepse kjo poezi nuk është e lidhur me një ngjarje të vetme, me një kohë të caktuar apo me dëshirën për të dëshmuar një përvojë historike. Ajo lind nga një rrethanë konkrete, por shumë shpejt shkëputet prej saj dhe hyn në atë hapësirë ku përjetimi njerëzor fiton një jetë të vetën, të pavarur nga koha që e ka lindur.
Mendoj se pikërisht këtu qëndron një nga veçantitë më të bukura të poetikës së Natasha Lakos: misteri poetik. Jo si mjegull që fsheh kuptimin dhe as si prirje për hermetizëm, por si një mënyrë e të shkruarit që i reziston shpjegimit përfundimtar. Vargu thotë gjithnjë pak më pak se sa ngërthen, figura poetike hap shtigje të reja mendimi, ndërsa heshtja bëhet po aq domethënëse sa edhe fjala. Prandaj lexuesi nuk vihet përballë një kuptimi të gatshëm; ai hyn në një bashkëbisedim të qetë me poezinë, ku çdo lexim zbulon një dritë tjetër dhe çdo rikthim zgjon një pyetje të re.
Ky mister nuk është një zbukurim i vargut dhe as një mjegull që fsheh kuptimin. Ai është fryma që i lidh të katër vargjet në një tërësi të vetme. Mërzia që shndërrohet në mënyrë të qenies, rënia në fotografi, të qeshurat “e bindura” dhe retë që japin urdhra nuk kërkojnë të rindërtojnë botën e zakonshme. Ato na vendosin përballë një realiteti tjetër, ku e dukshmja dhe e padukshmja jetojnë në të njëjtën hapësirë dhe ku e pathëna ka po aq peshë sa fjala. Pikërisht nga kjo pikë do t’i afrohemi poezisë, me bindjen se misteri nuk e largon kuptimin, por e mban të hapur dhe të gjallë.
Shënimi: “Më kujtoi kohën e Covidit” i shtoi poezisë një shtresë tjetër leximi, pa ia ngushtuar domethënien. Edhe pa të, vargu “U mërzita së qeni e mërzitur” tingëllon si shprehje e një lodhjeje që nuk lidhet me një rrethanë të vetme, por me vetë përvojën e të qenit. Pas këtij shënimi, e njëjta mërzi fiton edhe jehonën e izolimit, të vetmisë dhe të pasigurisë që shënuan kohën e pandemisë. Megjithatë, poezia nuk mbetet brenda atij kujtimi. Si çdo vepër e vërtetë poetike, ajo e tejkalon shkasin që e ka lindur. Për këtë arsye, edhe kur dimë se çfarë e riktheu në kujtesën e autores, vargjet vazhdojnë të na flasin jo vetëm për Covid-in, por për njeriun, për brishtësinë e tij dhe për ato gjendje që nuk i përkasin vetëm një kohe, por vetë jetës.
1.Qysh në vargun e parë, Natasha Lako vendos përpara lexuesit enigmën e parë të poezisë:“U mërzita së qeni e mërzitur.”
Në dukje, është një fjali krejt e zakonshme. Në të vërtetë, ajo hap një nga enigma më të thella të qenies njerëzore. Poetja nuk thotë se u mërzit nga vetmia, nga frika apo nga ndonjë ngjarje e caktuar. Ajo nuk kërkon shkaqe, nuk kërkon fajtorë. Mërzia lind nga vetë mërzia.
Këtu ndodh zhvendosja e parë poetike. Mërzia nuk është më një ndjenjë që vjen e ikën si retë e një pasditeje. Ajo është bërë mënyrë e të jetuarit. Ka hyrë aq thellë në qenien e njeriut, sa njeriu lodhet jo prej saj, por prej bashkëjetesës me të.
Këtu qëndron enigma e vargut: Si mund të lodhet njeriu nga një gjendje që tashmë është bërë pjesë e vetvetes? Si ndahet ai prej saj, kur kufiri mes të dyjave është tretur? Poetja nuk jep përgjigje. As nuk përpiqet. Ajo e lë pyetjen të marrë frymë në heshtje, sepse e di se disa të vërteta nuk jetojnë te përgjigjet, por te pyetjet që nuk shuhen.
Në këtë pikë poezia prek filozofinë e ekzistencës pa përdorur asnjë term filozofik. Mjafton një varg. Ai lëviz si një gur i hedhur në ujë. Rrethi i parë është mërzia. Pastaj vijnë rrathë të tjerë: lodhja, koha, vetmia, qenia. Secili zgjerohet pa e prishur qetësinë e sipërfaqes.
Ndoshta kjo është arsyeja pse ky varg mbetet gjatë në kujtesë. Ai nuk shfaq një përjetim të veçantë; prek një gjendje që, herët a vonë, e ka njohur çdo njeri. Pikërisht këtu poezia fillon të shkëputet nga rasti që mund ta ketë lindur. Ajo hyn në hapësirën e përvojës njerëzore.
Dhe e pathëna mbetet e paprekur. Sepse nuk dimë nëse poetja po flet për një ditë të vetme, për një kohë të gjatë apo për gjithë jetën. Vargu nuk e thotë. Ai vetëm hap një dritare. Përtej saj, secili sheh qiellin e vet.
2.Pas vargut të parë, poezia bën një lëvizje të papritur:“Rashë në fotografi.”Në poezinë e Lakos, foljet nuk tregojnë vetëm veprime; ato zbulojnë gjendje të shpirtit. Edhe këtu, fjala “rashë” është çelësi i figurës poetike. Poetja nuk thotë: u ktheva te fotografia, e pashë fotografinë apo m’u kujtua fotografia. Ajo bie në të. Është një rënie e pazakontë. Nuk është rënie në hapësirë, por në kohë. Në kujtesë. Në vetvete.
Këtu fotografia pushon së qeni një copë letër. Ajo bëhet një vend. Një strehë e heshtur ku njeriu hyn kur e tashmja nuk i mjafton më. Është sikur shpirti, i lodhur nga pesha e ditës, kërkon një dritare nga ku të marrë frymë. Dhe e gjen në kujtesë.
Edhe kjo është një enigmë poetike që poezia nuk e zbërthen: Çfarë fotografie është? E kujt është? Çfarë ruan ajo? Asgjë nuk thuhet. Asgjë nuk duhet të thuhet. Sepse po të emërtohej, fotografia do të bëhej vetëm kujtimi i poetes. Duke mbetur pa emër, ajo bëhet kujtimi i çdo lexuesi.
Kjo është një nga fuqitë më të holla të kësaj poezie. Ajo nuk e mbyll figurën, por e lë të hapur si një derë gjysmë të çelur. Kush hyn në të, sjell me vete kujtesën e vet.
Më duket se fotografia, në këtë poezi, ka edhe një kuptim tjetër. Ajo është koha që nuk rrjedh më. Ndërsa jeta ecën pa u ndalur, fotografia mban të palëvizshëm një çast. Është një ishull i vogël në lumin e kohës. Kur subjekti lirik thotë “Rashë në fotografi”, ai nuk hyn vetëm në një kujtim; hyn në një kohë ku rrjedha është ndalur dhe ku shpirti mund të pushojë për një çast.
Ky është një paradoks i bukur poetik. Zakonisht ne ruajmë fotografitë që të mos humbasim të kaluarën. Këtu ndodh e kundërta. Është fotografia ajo që ruan njeriun. E mbledh brenda vetes, siç mbledh deti një copëz drite që po perëndon.
Dhe pikërisht këtu figura fiton një përmasë filozofike.
Ndoshta njeriu nuk bie kurrë në një fotografi. Ai bie në atë pjesë të vetes që koha nuk ka mundur ta ndryshojë. Prandaj ky varg tingëllon njëkohësisht si kujtim dhe si zbulim. Si kthim pas, por edhe si kthim brenda vetes.
Natasha Lako nuk na e shpjegon këtë udhëtim. Ajo vetëm na tregon çastin kur fillon. Pastaj hesht. Dhe është pikërisht kjo heshtje që e mban të gjallë misterin e poezisë.
3.Dy vargjet e fundit e çojnë poezinë në pikën e saj më të lartë artistike:
“Të qeshurat e mia janë të bindura,
Të urdhëruara prej reve.”
Në leximin e parë, këto vargje duken sikur i përkasin një bote sureale. Por, sa më gjatë qëndron me to, aq më tepër e kupton se nuk kemi të bëjmë me një lojë të imagjinatës. Kemi të bëjmë me një të vërtetë që nuk mund të thuhet ndryshe.
Edhe këtu gjithka nis nga një fjalë. Jo nga e qeshura, por nga të qeshurat. Është një shumës që e zgjeron përmasën e përjetimit. Nuk bëhet fjalë për një buzëqeshje të vetme, të rastit. Bëhet fjalë për gjithë mënyrën se si njeriu e shpreh gëzimin. Dhe pikërisht kjo mënyrë ka humbur lirinë e saj.
Por të qeshurat e saj : “Janë të bindura…” Kjo është një nga ato shprehje që nuk e humbin kurrë forcën e sugjerimit. Të bindura ndaj kujt? Ndaj çfarë? Poetja nuk e thotë. Ajo na lë vetëm një shenjë, pastaj tërhiqet.
Vargu pasues e shton edhe më shumë enigmën:”Të urdhëruara prej reve.”Kjo është një figurë që nuk kërkon të deshifrohet deri në fund. Përkundrazi, ajo fiton forcë pikërisht sepse mbetet e hapur. Retë nuk janë vetëm një element i natyrës. Në poezinë e Lakos ato marrin një funksion krejt tjetër. Janë një prani e padukshme që vepron mbi njeriun. Nuk kanë fytyrë, nuk kanë zë. Megjithatë, ndikojnë mbi shpirtin e tij.
Kush janë këto re? Janë koha? Janë fati? Janë ankthi? Janë historia? Apo janë ato mjegulla të brendshme që mbulojnë herë pas here vetëdijen? Poezia nuk zgjedh asnjërën nga këto përgjigje. Dhe bën mirë. Sepse, po ta bënte, do ta varfëronte figurën. Forca e saj qëndron pikërisht te shumëkuptimësia.
Në këtë pikë më duket se Natasha Lako prek një të vërtetë të heshtur të jetës njerëzore. Ka ditë kur njeriu vazhdon të qeshë, por nuk e ndien më lirinë e së qeshurës. Buzëqeshja mbetet, ndonëse burimi i saj ka ndryshuar. E sheh sa e qetë është kjo mënyrë e të thënit. Dhe sa tronditëse. Poetja nuk përdor asnjë fjalë të rëndë. Nuk flet për dhimbjen, për ankthin apo për dëshpërimin. Mjaftojnë rete, mjafton bindja e të qeshurave. Pjesa tjetër mbetet në heshtje.
Kjo është arsyeja pse fundi i poezisë vazhdon të kumbojë edhe pasi vargjet kanë përfunduar. Ai nuk e mbyll kuptimin. Përkundrazi, e lë të hapur si qiellin pas kalimit të reve.Dhe ndoshta ky është një nga misteret më të bukura të kësaj poezie: njeriu ende qesh, por poezia na bën të pyesim në heshtje se kush i lëviz fijet e padukshme të asaj të qeshure.
4.Sa më shumë i afrohesh kësaj poezie, aq më qartë ndien se ajo nuk është ndërtuar vetëm mbi fjalët, por edhe mbi atë që nuk thuhet. Heshtja nuk qëndron midis vargjeve si një boshllëk; ajo është pjesë e gjuhës së tyre. Ka një zë të padukshëm që flet përmes mungesës së shpjegimeve. Dhe pikërisht kjo është një nga veçantitë më të bukura të poetikës së Lakos.
Ajo nuk i zbërthen figurat që krijon. Nuk na tregon pse subjekti lirik është mërzitur kaq gjatë. Nuk shpjegon se në ç’fotografi ka rënë. Nuk na thotë kush janë retë që urdhërojnë të qeshurat. Gjithçka mbetet pezull. Jo për ta vështirësuar leximin, por për t’i dhënë poezisë një frymëmarrje më të gjatë se vetë vargjet.
Në këtë mënyrë, lexuesi nuk është vetëm ai që merr kuptimin. Ai bëhet bashkëudhëtar në krijimin e tij. Çdo njeri sjell me vete kujtesën, ankthin, vetminë apo shpresën e vet dhe, pa e kuptuar, e plotëson poezinë me përvojën personale. Ky është një raport i rrallë midis poetit dhe lexuesit. Dhe ai nuk ndërtohet mbi shpjegimin, por mbi besimin.Lako i beson ndjeshmërisë së lexuesit. Nuk e merr përdore si fëmijë, nuk ia mbyll udhët. Vetëm ndez disa drita të zbehta përgjatë rrugës. Më tej secili ecën me ritmin e vet.
Kjo është arsyeja pse poezia nuk shteron në leximin e parë. Ajo rikthehet ndryshe sa herë e lexon. Jo sepse ndryshojnë vargjet, por sepse ndryshon ai që i lexon, plotësohet gjithnjë e më shumë në do lexim. Si një pasqyrë që nuk ruan të njëjtën fytyrë, por dritën që bie mbi të.
Këtu, sipas mendimit tim, qëndron një nga vlerat më të mëdha artistike të kësaj poezie. Misteri nuk fsheh kuptimin; ai është hapësira ku kuptimi vazhdon të lindë. Prandaj edhe pas leximit të fundit, poezia nuk largohet me ne si një përgjigje. Ajo mbetet si një pyetje e qetë, që vazhdon të trokasë në kujtesë.
Ndoshta kjo është fitorja më e bukur e artit: kur vargu mbaron, ndërsa poezia vazhdon.
5.Në këtë poezi, misteri nuk është një zbukurim artistik dhe as një mënyrë për ta bërë vargun më të ndërlikuar. Ai është vetë mënyra se si ndërtohet realiteti poetik. Fjala nuk ecën drejt shpjegimit; ecën drejt zbulimit. Por çdo zbulim lë pas vetes një mister të ri. Kjo e bën poezinë të mos mbyllet kurrë brenda një kuptimi të vetëm.
Lako nuk i krijon figurat për t’i admiruar si metafora të bukura. Ajo u jep atyre një jetë të dytë. Mërzia bëhet një gjendje ekzistence, fotografia shndërrohet në një hapësirë ku strehohet kujtesa, retë nuk mbulojnë vetëm qiellin, por edhe fatin e njeriut. Kështu, sendet e zakonshme humbin peshën e përditshmërisë dhe fitojnë një dritë tjetër, të padukshme, por të ndjeshme.
Kjo është arsyeja pse poezia nuk konsumohet në leximin e parë. Ajo rikthehet sa herë rikthehet lexuesi. Çdo lexim zbulon një nuancë që më parë kishte mbetur në hije. Jo sepse ndryshon poezia, por sepse ajo ruan brenda vetes një tepricë kuptimi që nuk shteron.
Mendoj se pikërisht këtu qëndron një nga tiparet më të veçanta të poetikës së Lakos. Ajo nuk e zhduk misterin poetik duke e shpjeguar, por nuk e lë as të kthehet në errësirë. E mban në atë kufi të brishtë ku kuptimi ndriçon, pa humbur thellësinë. Është një poetikë e sugjerimit, jo e pohimit; e jehonës, jo e deklarimit. Dhe kjo i jep vargut një jetë që vazhdon edhe pasi ai ka mbaruar.
6.Leximi i kësaj poezie të çon natyrshëm drejt një dialogu me disa nga prirjet më të rëndësishme të poetikës moderne europiane. Jo sepse Lako ndjek modele të caktuara apo u afrohet atyre në mënyrën e të shkruarit, por sepse ndan me to një bindje të përbashkët: poezia nuk fiton thellësi duke shtuar fjalët, por duke u dhënë atyre një peshë që i tejkalon.
Në këtë kuptim, poezia e saj të kujton atë ekonomi shprehjeje që haset te Paul Celan. Edhe këtu, një varg i vetëm mban brenda vetes një ngarkesë të gjerë kuptimore. “U mërzita së qeni e mërzitur” apo “Rashë në fotografi” nuk kërkojnë të shpjegohen deri në fund; ato vazhdojnë të jetojnë përtej leximit, duke ruajtur misterin e tyre. Kjo nuk është një afri stilistike, por një afri në besimin se fjala poetike fiton forcë kur nuk e konsumon të gjithë kuptimin.
Po aq natyrshëm krijohet një dialog me poetikën e Tomas Tranströmerit. Te poeti suedez, një figurë e vetme është e aftë të hapë një hapësirë të tërë meditimi. Edhe Lako e arrin këtë me figurën e fotografisë. Ajo nuk mbetet një objekt i kujtesës, por shndërrohet në një hapësirë ekzistenciale ku koha, vetmia dhe identiteti ndërthuren në një përjetim të vetëm. Figura nuk përshkruan një realitet; ajo krijon një realitet tjetër.
Një afri tjetër mund të vërehet me mënyrën poetike të Ëisłaëa Szymborskës. Ashtu si poetja polake, edhe Lako nuk filozofon në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ajo nuk ndërton ide abstrakte mbi qenien. Përkundrazi, niset nga një përjetim i zakonshëm dhe, pa e humbur thjeshtësinë e tij, e shndërron në një pyetje që prek vetë ekzistencën njerëzore. Pikërisht kështu vepron vargu i parë i kësaj poezie, ku një gjendje shpirtërore shndërrohet në një meditim të heshtur mbi kufijtë e durimit njerëzor.
Megjithatë, këto afri nuk e zbehin individualitetin e saj. Përkundrazi, e bëjnë atë më të dukshëm. Poetja nuk huazon poetika; ajo dialogon me to nga brenda përvojës së saj krijuese. Misteri poetik që përshkon këtë poezi nuk është fryt i hermetizmit dhe as një lojë me paqartësinë. Ai lind natyrshëm nga një mënyrë e të parit të botës, ku e dukshmja nuk ndahet kurrë plotësisht nga e padukshmja, ku heshtja është pjesë e gjuhës poetike dhe ku kuptimi nuk mbyllet në fund të vargut, por vazhdon të zgjerohet në vetëdijen e lexuesit.
Pikërisht në këtë aftësi për të bashkuar dendësinë e fjalës, thellësinë e figurës dhe misterin e kuptimit, kjo poezi hyn denjësisht në dialog me arritjet më të mira të poetikës moderne europiane, duke ruajtur njëherazi zërin e saj të veçantë dhe identitetin e padiskutueshëm të poezisë shqipe.
Sarandë, korrik 2026
Pergjigje per sot
U merzita se qeni e merzitur,
Rashe ne fotografi.
Te qeshurat e mija jane te bindura,
Te urdheruara prej reve.
