Kur mësuesi ishte prindi i dytë-Judita Dedi

Nuk e di nëse fëmijët e sotëm e shohin figurën e mësuesit siç e shihnim ne dikur.

Mbase koha ka ndryshuar shumë, por sa herë kthehem me mendjen pas, më vijnë ndër mend ngjarje që edhe sot më bëjnë të buzëqesh..

Një ditë, mamaja më dërgoi të blija bukë. Ishte pikërisht orari kur ne duhej të ishim në studim… Teksa ecja, pashë përballë mësuesen e matematikës. Ajo nuk më pa fare. Por unë u shtanga.

Mu duk sikur kisha bërë diçka të gabuar. Mora bukën dhe u nisa me vrap drejt shtëpisë.

Sapo hyra, iu ankova mamit..

-Pse më nxore nga orari i studimit? Po sikur të më kishte parë mësuesja?

Mamaja buzëqeshi dhe më tha se nuk kisha bërë asgjë të gabuar.

Ishte ajo që më kishte dërguar.

Por unë nuk qetësohesha. Jo nga frika e ndëshkimit, por nga mendimi se mos mësuesja krijonte një përshtypje të gabuar për mua..

Po ashtu më kujtohet edhe 7 Marsi. Ishim në klasën e parë.

Askush nuk na kishte thënë se mjaftonte të shkonte një përfaqësi.

Për ne ishte e paimagjinueshme që mësuesja jonë, Katerina, të mos na shihte të gjithëve.

Dhe shkuam të gjithë, plot dyzet nxënës.

Shtëpia e saj mezi na nxinte.

U ulëm ngjeshur pranë njëri-tjetrit, me lulet në duar e me sytë që shkëlqenin nga gëzimi.

Nuk na pengonte ngushtësia.

Na mjaftonte të ishim pranë mësueses sonë… Ndoshta pikërisht këto përjetime bënë që, pa e kuptuar, të dashurohesha me profesionin e mësuesit.

Kur isha fëmijë, loja ime më e dashur nuk ishte me kukulla. Luaja mësuesen..

Vendosja tri radhë gurësh si nxënës, merrja një dërrasë të vogël, shkruaja me shkumës dhe imitoja mësueset e mia.

Nuk e dija atëherë se ajo lojë e pafajshme ishte ëndrra ime më e madhe.

Vitet kaluan dhe ëndrra u bë realitet. ..

Sot jam vetë mësuese.

Sa herë hyj në klasë, më kujtohet vajza e vogël që luante mësuesen me disa gurë të rreshtuar si nxënës.

Kohët kanë ndryshuar dhe çdo brez ka mënyrën e vet të të mësuarit e të rriturit.

Përpiqem çdo ditë të bëj më të mirën për fëmijët që kam në klasë, ashtu siç bënë dikur mësuesit e mi për mua.

Me mirënjohje kujtoj çdo mësues që la gjurmë në rrugëtimin tim.

Nëse një ditë edhe ndonjë nga nxënësit e mi do të më kujtojë me të njëjtën ngrohtësi, do ta ndiej se kam bërë diçka të mirë në këtë profesion…